Pensionistët e Anamoravës viktima të avokatëve serb
Gjilan – Federata Sindikale e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Gjilan dhe Shoqata e pensionistëve janë të shqetësuar që kohëve të fundit disa pensionist kanë ra viktima të avokatëve serb të cilët po i plotësojnë dokumentacionet në strukturat paralele në Shillovë, Kufcë, dhe Koretishtë.
Për të rregulluar dokumentacionin pensional të kërkuar nga Serbia disa pensionist të Anamoravës nuk kanë gjetur tjetër rrugë përpos për të aplikuar përmes avokatëve privat në strukturat paralele serbe që veprojnë në fshatrat serbe në Kufcë, Shillovë dhe Koretishtë.
Ky lajm e ka shqetësuar Muharrem Bajramin kryetar i Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Gjilan. Bajrami tha për rajonipress se kjo që po ndodh me këta pensionist është poshtërsi. “Unë kam bërë apel që dokumentacioni të dorëzohet tek Federata Sindikale sepse ne jemi të interesuar që ta padisim Serbinë në Strasburg e nuk jemi të interesuar që përmes rrugëve private dhe avokatëve matrapaz të fitojmë të drejtat tona” tha Bajrami.
Bajrami për këtë dukuri fajëson edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatën e Pensionistëve në Gjilan të cilët sipas tij nuk po veprojnë me kohë për të stopuar këtë dukuri.
Sipas tij avokatët serb po ua marrin nga 25 % të mjeteve pensionistëve. Bajrami tha se deri tani në Gjilan nga 4000 pensionistë vetëm 250 prej tyre janë evidentuar dhe e kanë plotësuar dokumentacionin për ta dërguar në Strasburg.
Ndërkaq Jonuz Emini kryetar i Shoqatës së Pensionistëve në Gjilan tha për rajonipress se ka dëgjuar për këso raste dhe sipas tij kjo është alarmante.”Unë u bëjë apel pensionistëve që mos të bien në grackën e avokatëve serb sepse ata i kanë përfitimet e veta. Ne shumë shpejt do të dalim me qëndrimin zyrtarë se si dhe qysh do të veprohet tutje” tha Emini./rajonipress/


