Eko Higjiena

Pensionistët ankohen se nuk i do shteti

/ 3 minuta lexim

Në Kosovë, 7 për qind e popullsisë së përgjithshme është e përbërë nga persona të moshës mbi 65 vjeçare.

Edhe hulumtimet e fundit të bëra nga vetë institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregon se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë e varfërisë.

Pensionistët kosovarë vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që të ngrenë lartësinë e pensioneve për të gjitha kategoritë, duke përfshirë edhe pensionet e pleqërisë.

Për Sahit Dragajn, kryetar i Partisë se Pensionistëve, shuma e quajtur pension nuk i mbulon as shpenzimet elementare për ushqim, pa llogaritur detyrimet tjera që kanë pensionistët. Andaj, ai këtë situatë e vlerëson si të mjerueshme.
“Edhe pse është bërë një rritje vitin e kaluar prej 26.5 për qind, apo për 21 euro, dhe nga 1 janari i këtij viti edhe për 11 euro shtesë, pensionistët kontributpagues marrin nga 112 euro, kurse pensionistët e moshës nga 60 euro, dhe me këtë shumë nuk mbulohen as shpenzimet elementare”, tha Dragaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai kërkon nga institucionet kompetente që sa më parë të rregullohet statusi juridiko- ekonomik i pensioneve dhe, siç thotë ai, të “nxirret Ligji për Pensionistë dhe Invalidë, t’i kthehet dinjiteti dhe të ruhet personaliteti i pensionistëve dhe invalidëve të punës”.
Behxhet Osmani, pensionist 85 vjeçar, thotë pensioni që ai merr nuk i mjafton as për barna.

Mobi Casa

“Është e turpshme të mos ketë interesim për pleqtë. Ne kemi mbetur shumë keq. Unë blej dy herë në muaj barna, edhe rrymën e paguaj, edhe asgjë nuk me mbetet për ushqim me pensionin që marr. Ne jemi në gjendje shumë të keqe”.

Shaban Krasniqi, 70 vjeçar, thotë se Qeveria e Kosovës aspak nuk mendon për përmirësimin e mirëqenies së pensionistëve.
“Unë mendoj që udhëheqësit nuk mendojnë për pensionistë, por as për popullin në përgjithësi. Mendojnë më shumë për vete dhe për xhepat e vet. Ne jemi në gjendje shumë të keqe ekonomike. Me 60 euro ta kalosh muajin është bërë e pamundur”.
Disa prej pensionistëve kanë ndjenjën se ata nuk i do askush.
Muharrem Berisha, 85 vjeçar, thotë se tashmë kanë ndryshuar kohërat dhe as nga institucionet, por as nga vetë familja pensionistët nuk e kanë përkujdesjen e duhur.

“Të moshuarit shteti nuk i do hiç. Fëmijët i kam të martuar, i kanë familjet e veta dhe nuk po kanë mundësi t’i ndihmojnë pleqtë. Është bërë jeta shumë e vështirë për neve. Kemi punuar shumë gjatë, tërë jetën, rininë, që ta kemi një pleqëri të mirë, por ja se si na erdhi pleqëria. Mos me pas para as për barna”.

Sidoqoftë, kjo kategori e shoqërisë, sidomos në vitet e fundit, po përballet me gjendje të rëndë dhe ata thonë se institucionet përgjegjëse duhet të merren seriozisht me këtë çështje.