Pendohet “Çakalli” që vrau dhe dogji në Kosovë

Paramilitari serb që u bë dëshmitari kryesor i prokurorisë në gjyqin e ish-shokëve të tij për krime lufte në Kosovë thotë se duhet të tregonte për masakrat brutale që ka kryer njësia e tij.
Zoran Rashkoviq është quajtur hero dhe kriminel lufte, patriot dhe tradhtar, i çmendur dhe gjeni. I pyetur nga BIRN-i për të përshkruar veten ai tha se “është njeri i të vërtetës”.
“Dua t’i jap fund kësaj heshtjeje 15 vjeçare, dua ta heq këtë brengë nga gjoksi dhe kryqin që mbaj në kokë”, tha ish-paramilitari serb Zoran Rashkoviq, tani dëshmitari kyç i prokurorisë në rastin kundër 13 luftëtarëve serbë të akuzuar për krime lufte në katër fshatra të Kosovës gjatë luftës së viteve 1999.
Rashkoviq, ish-anëtar i njësisë paramilitare “Çakallët”, ka qenë dëshmitar në gjykatën speciale në Beograd në disa raste, dha dëshmi për masakrat brutale në fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaq dhe Qyshk, të gjithë në zonat rreth qytetit të Pejës.
Për dy vitet e fundit, Rashkoviq ka qenë në mbrojtje konstante të policisë, sepse kur vendosi të dëshmojë me emrin e tij, ai dhe familja e tij filluan të kërcënoheshin nga ish-Çakallët dhe nga njësia e policisë për mbrojtje.
Rashkoviq tha se e gjithë kjo ka vërtetuar se shoqëria “nuk do të dëgjojë të vërtetën për Kosovën”.
“Pyes veten a isha më i manipuluar në vitet 1999, kur si djalë 20 vjeçar shkova në luftë me krenari, duke menduar se kjo ishte mënyra për të mbrojtur tokën time nga “shqiptarët e ligj”, ose tani, sepse doja të tregoja të vërtetën dhe rrezikova jetët e personave më të afërt, sepse besoja se kishte ardhur koha për t’u përballuar me të shkuarën dhe për pajtim”, tha Rashkoviq.
Refugjat dy herë
Duke shpjeguar se çfarë donte të thoshte me “manipulim”- në vitet 1990s, Raskovi tha se “të gjitha këto luftëra dhe fushata nga të gjitha anët se dikush po merrte tokën tonë më bëri të mendoja se po bëja gjënë e duhur. Isha refugjat nga Kroacia dhe tani edhe nga Kosova”.
Rashkoviq ka lindur në qytetin kroat të Rijekës, kur vendi ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Në mes të luftërave në Ballkan, kur ishte 15 vjeç, u arratis nga qyteti i tij i lindjes për në Kosovë.
“Me babanë, nënën dhe vëllain tim më të ri, si refugjat për herën e parë, shkuam në Pejë, qyteti nga ku vjen familja ime”, tha Rashkoviq.
Në vitin 1998, pasi përfundoi shkollën e mesme, bëri shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe shërbeu si roje për Vladimir Lazareviq, i cili në atë kohë ishte shefi i Trupave të Prishtinës së Armatës Jugosllave. Lazareviq që atëherë është dënuar me 15 vite burgim për krime lufte në Kosovë në vitin 1999 nga Tribunali i Hagës.
Gjatë shërbimit dymbëdhjetë mujor, filloi konflikti i armatosur mes guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të sigurisë serbe, dhe Rashkoviq thotë se dëshmoi disa nga skenat më të tmerrshme të civilëve serbë që u vranë në kampin Kleçka të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe liqenin Radonjiq, që e bindën t’i bashkohej dhe të luftonte për “tokën e Kosovës”.
“Kur u ktheva, Peja nuk ishte qyteti i njëjtë. Gjashtë fëmijë serbë ishin vrarë në kafen Panda, kudo kishte urrejtje dhe mungesë tolerance”, tha Rashkoviq.
Kur punonte në një dyqan kafeje, takoi Nebojsha Miniq, të njohur si “Mrtvi” (“I vdekuri”), kriminel i njohur dhe anëtar i grupeve të ndryshme paramilitare dhe të një njësi policie të quajtur Munje (Vetëtimë), që dyshohet se ka kryer disa nga krimet më të tmerrshme të luftës.
Jeta pas masakrave
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor, 1999, që i dha fund luftës në Kosovë, Rashkoviq dhe familja e tij u arratisën për në Serbinë qendrore. Ai pastaj u bë pjesë e disa bandave kriminale dhe pas luftës u dënua me 12 vite burgim për plaçkitjen e një banke.
Në mbrojtje të tij, ai thotë se vetëm po përpiqej të “vidhte çfarë ishte vjedhur” sepse banka që vodhi ishte pronë e Miroslav Mishkoviqit, i cili është akuzuar se ka fituar në mënyrë të paligjshme 30 milionë euro nga kompani rrugësh të privatizuara.
Kur ishte në burg, Rashkoviq, organizoi disa kryengrite, më të madhen në 2006, kur qindra të burgosur qepën gjuhën me gojën në protestë për kushte më të mira burgu.
Ai u arratis nga burgu dy herë, dhe kur doli, u bë dëshmitar i mbrojtur në rastin e Çakallëve.
Në fillim ishte planifikuar që Rashkoviq do të dëshmonte me emër të koduar për të fshehur identitetin e tij, por për herë të parë në historinë e gjykatave në Serbi, një dëshmitar i mbrojtur vendosi të dëshmojë publikisht që të “tregonte të vërtetën për horroret në Kosovë”.
“Doja t’i shikoja të gjithë në sy. Kjo nuk u bë nga Serbia, por nga individë. Doja ta hiqja këtë brengë nga shpirti im. Doja që kjo të dëgjohej në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel. Nuk mendoj se është patriotike të heshtësh për këto krime, veçanërisht nëse djeg dhe vret fshatra të tërë. Është thjesht frikë”, tha Rashkoviq.
Gjatë gjyqit, ai pati kërcënime të hapura nga ish-shokët e luftës.
“Kam kuptuar se një kriminel është një kriminel. Nuk mund të justifikojmë veprimet tona duke thënë se “na bënë këtë neve, kështu që do të hakmerremi”, tha ai.
Sot, ai thotë se është efektivisht “pa shtet” sepse nuk ka dokumente zyrtare identiteti; ka dorëzuar një kërkesë për kartën e identitetit dy vjet më parë kur e fundit kishte skaduar, por autoritetet po refuzojnë t’ia japin.
“U ankova dhe kërkova për ndihmë nga cdo institucion i mundshëm- policia, prokuroria, gjyqtari dhe avokati i popullit. Të gjithë thanë se do të më ndihmonin, por ende nuk kam kartën e identitetit”, tha Rashkoviq.
“Ndihem i manipuluar, ose më mirë, i inatosur sepse po i kërkoj vetë shtetit tim të më japë të drejtat e mia bazë njerëzore, ndërsa të gjithë Çakallët e tjerë po ecin nëpër Beograd të lirë”, tha ai.
Në të ardhmen, Rashkoviq tha se do donte të kthehej në Kosovë.
“Kam tokë aty. Nuk shita asgjë. Do të doja të kthehesha dhe të filloja një jetë të re. Kjo është arsyeja pse fola. Ka ardhur koha për një dialog të vërtetë, sepse nuk kam edhe 15 vjetë të tjera për të pritur”.
“Dua të kthehem në shtëpi”, tha ai. (BalkanInsight)