Fidanishtja

PDK pajtohet me nismën për heqjen e neneve 37 dhe 38

/ 3 minuta lexim

Partia Demokratike e Kosovës ka hequr dorë nga mocioni i saj për riformulimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të mediave.

Me këtë veprim, të cilin Grupi Parlamentar i PDK-së ia ka prezantuar sot Kryesisë së Kuvendit, është pajtuar në parim me kërkesën e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që Kodi i Penal të ndryshohet duke i hequr tërësisht këto nene dhe jo duke i riformuluar ato.

Heqja e neneve 37 dhe 38 ka qenë në vazhdimësi edhe kërkesë e mediave dhe Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se është krijuar një rrëmujë, por ka shprehur besimin se do të gjendet zgjidhja më e mirë dhe më e përshtatshme për mediat dhe gazetarët.

Krasniqi, megjithatë, nuk e ka shfajësuar qeverinë për këtë rrëmujë, duke rikujtuar se Kodi është proceduar në Kuvend për miratim me këto dy nene pikërisht nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha se PDK është pajtuar që të mos ketë mocion për riformulimin e neneve dhe ka përkrahur nismën e qeverisë për heqjen e neneve 37 dhe 38 në bazë të procedurave të rregullta.

Hidromorava

Përderisa opozita ka kritikuar ashpër sjelljet e partisë më të madhe në Kuvend dhe qeverisë që drejton ajo, duke thënë se po ia humb kredibilitetin Kuvendit me sjelljet e tilla.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se LDK do t’i mbështet kërkesat e komunitetit të gazetarëve.

Kurse, për procedurat që do të ndiqen deri te heqja e neneve ai tha se kjo mbetet çështje e interpretimeve ligjore e kushtetuese.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini tha se PDK dhe qeveria që ajo drejton po bëjnë lojë shumë të rrezikshme me kredibilitetin e Kuvendit duke votuar dhe më pas penduar për votat e tyre.

Sidoqoftë, problem më vete tash mbeten procedurat, pasi që të premten Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen e neneve 37 dhe 38 duke e fuqizuar Kodin Penal me këto dy nene.

Hyrja në fuqi e këtij Kodi pritet diku në janar të vitit të ardhshëm, kështu që tash mbetet për interpretim juridik kushtetues çështja se a do të hyjë fillimisht ky kod në fuqi e me pas të ndryshohet apo do të gjenden hapësira ligjore që ai të ndryshohet qysh në këtë fazë. /rel/