Mobi Casa

PDK nuk pajtohet me VV rreth investimeve në fshatin Miresh

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Driton Selishta sekretar i VV në Miresh thotë se shumë projekte të premtuara në fshatin Miresh nuk janë realizuar sepse po vazhdon avazi i vjetër , nëse nuk e voton PDK atëherë do të jesh i anashkaluar në projektet komunale. Por kështu nuk mendon Ekrem Kryeziu i PDK i cili thotë se në këtë fshat janë investuar mbi 800 mijë euro.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes në fshatin Miresh thonë se shumë projekte komunale që janë premtuar kanë mbetur të papërfunduara. Driton Selishta sekretar i VV në fshatin Miresh thotë se projektet nuk janë përfunduar sepse po vazhdon avazi i vjetër , nëse nuk e voton PDK atëherë do të jesh i anashkaluar në projektet komunale. “Pra kjo dukuri po ndodh ku 50 % e fshatit nuk është asfaltuar pikërisht pse nuk është votuar PDK-ja” mendon Selishta.

Selishta ka përmendur projektin e asfaltimi të rrugës e cila i lidh fshatrat Miresh-Pograxhë, Stublinë dhe Dobrosin, rrugë kjo që ka qenë në projektet komunale, e që asfaltimi i saj përafërsisht 1.5 km nuk është bërë si dhe rregullimi i urës e cila i lidh këto katër fshatra.

Selishta tha se nëse shkohet në këtë pjesë të rrugës sigurisht që bartim një rrezik më vete, për shkak se ura që i lidh këto 4 fshatra është në gjendje të mjerueshme dhe afër shkatërrimit total.

“Me pak mjete financiare kjo urë mund të rregullohet, por kjo po tregon edhe njëherë një papërgjegjshmëri totale të këtij pushteti komunal”.
Selishta ka përmendur edhe asfaltimin e rrugëve brenda fshatit”, ku 50 % e punëve janë kryer, kurse 50 % nuk u kryen.

Mobi Casa

Sipas tij një ndër projektet të cilat ia vlen të përmendet më së shumti është ujësjellësi i fshatit , projekt ky i cili kushtoi hiç më pak se 210.000 euro. “Ky projekt u sigurua fal donacioneve të fshatit ku përafërsisht u mblodhën rreth 65.000 euro, duke mos përfshirë edhe kyçësit pas përfundimit të projektit, dhe pjesa tjetër u sigurua nga CDI, Austrian Grup. Ky projekt u përurua në vitin 2010 pak para zgjedhjeve të përgjithshme duke aluduar edhe njëherë në mundësit që përmes këtij projekti të binden fshatarët se këtu po punohet dhe se ia vlen që kjo qeveri të votohet në këto zgjedhje 2010. Por ky projekt lëre më që nuk është funksional, por jeta e këtyre banorëve po keqësohet sepse ujë nuk ka. Njerëzit detyrohen që përmes cisternave të ujit të sigurojnë ujin e mjaftueshëm në ditët e nxehta të verës. Pra kostoja në ekonomitë familjare çdo ditë e më shumë po keqësohet për shkak të këtij mentaliteti qeverisës në komunë” tha Selishta.

Por kështu nuk mendon Ekrem Kryeziu kryetar i degës së PDK-së në Miresh. Kryeziu tha se fshati Miresh është tejet unik kur janë në pyetje investimet dhe asnjëherë nuk është bërë politikë.

Kryeziu tha se asfaltimet janë të ndara në tri faza ku deri tani janë shtruar 2300 metra . “PDK i ka mbajtur premtimet e saja dhe jemi në fazën e procedurave edhe për pjesët e tjera të tenderimit. Janë investuar në Miresh afërsisht 800 mijë euro, duke përfshirë këtu trotuare, ujësjellës, fusha sportive, asfalt, ndriçim publik , parqet në fshat, rrethoja e stadiumit” .

Kryeziu tha se shumë punë të mëdha janë bërë dhe çështja e urës gjithashtu Qemajl Mustafa ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka premtuar se do të jetë prioritet për vitin 2013.

“Jo vetëm ne si PDK në këtë fshat, por edhe qeveria komunale e ka trajtuar me shumë kujdes urën dhe lidhjen e katër fshatrave Pograxhë- Stublinë – Dobrosin- Bilinicë. Ne nuk kemi pasur nevojë të bëjmë fushatë në asnjë moment sepse investimet që janë bërë që nga viti 2008 kur në pushtet ka ardh PDK janë vërtet reale, të kapshme dhe shumë dobiprurëse për Mireshin “tha Kryeziu./rajonipress/