PDK në Viti e sëmurë nga meritokracia
Gjilan – Në një reagim për media që është bërë në emër të anëtarëve të kryesisë së Degës se PDK-së në Viti, kryetarëve të nëndegëve dhe anëtarëve të PDK-së, që janë të brengosur me ndodhitë në Degën e PDK-së në Viti thuhet se kjo parti duket sikur është “e sëmurë” nga lufta e brendshme për pushtet dhe nga meritokracia.
Reagon kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Viti ndajë ecurisë së procesit zgjedhor që po mbahet në këtë komunë. Në një komunikatë për media thuhet se përplasjet e fundit në Degën e PDK-së në Viti ngjallin shumë dilema, por mbi të gjitha mbetet dilema se nga po shkon Dega e PDK-së në Viti.
“Dega e PDK-së në Viti në zgjedhjet e brendshme partiake, që janë në vazhdim e sipër, duket sikur është “e sëmurë” nga lufta e brendshme për pushtet dhe nga meritokracia. Me këtë rast, parashtrohet pyetja kur, nga kush dhe pse filloi kjo përçarje apo “luftë” e brendshme?”, thuhet në komunikatë për media.
PDK-ja në Komunën e Vitisë deri në vitin 2007 ishte në opozitë. Me ardhjen në pushtet të PDK-së qytetarët e Komunës së Vitisë votuan për ndryshime dhe ndryshimet janë evidente, për të cilat shumica sot janë të kënaqur. Në këto zgjedhje kryetar i Komunës u zgjodh, Nexhmedin Arifi nga PDK, ndaj të cilit qytetarët e Komunës së Vitisë kishin respekt dhe admirim të veçantë.
Më tej thuhet se një pjesë e Kryesisë së PDK-së, së bashku me Kryetarin e Degës së PDK-së së Vitisë, Daut Xhemajli, me rastin e marrjes së vendimit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Vitisë nga pozita e Sekretarit të Degës së PDK-së, në mungesë kuorumi dhe në momentin kur sekretari i Degës nuk ishte fare në Kosovë, por në udhëtim zyrtar jashtë vendit, i ngjan skenarëve të filmave të konspiracionit.
“Një gjë që duhet ta dini është, se këto veprime tuaja nuk kanë mbështetje në demokracinë, që ne përqafojmë. Janë logjika të mbrapshta të mbetjes në pushtet me çdo kusht, që më shumë ngjallin asociacione të regjimit të Gadafit, Mubarakut, Asadit, Lukashenkos e Kastros. Sepse jeni të motivuar nga idetë e tyre mbi pushtetin, pikë referente e të cilave është në thënien se njëherë nëse zgjidhem, do të duhej gjithherë të zgjidhem. E keqja më e madhe qëndron në atë se ju as që jeni zgjedhur ndonjëherë në mënyrë demokratike, siç bëhen zgjedhjet partiake”, thuhet në reagim.
Ndryshe, ky reagim është bërë në emër të anëtarëve të kryesisë së Degës se PDK-së në Viti, kryetarëve të nëndegëve dhe anëtarëve të PDK-së, që janë të brengosur me ndodhitë në Degën e PDK-së në Viti e që është firmosur nga Besim Halimi, Hetem Kurteshi, Taip Alidema, Kabil Hajdari, Hysen Ymeri, Sabri Sherifi, Besim Haliti, Selman Ymeri, dhe Mifail Azizi. /rajonipress/