PDK : Militantizmi i LDK-së dhe i Lutfi Hazirit po tentojnë ta prishin procesin zgjedhor

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Shtabi Zgjedhor i Degës së PDK-së në Gjilan, është duke ndjekur me vëmendje procesin zgjedhor, përmes zyrtarëve të akredituar në KQZ dhe duke kontribuar që ky proces të përfundojë i rregullt. Mirëpo nga raportimet e zyrtarëve nga tereni, mësohet për një seri shkeljesh dhe ndërhyrjesh të drejtpërdrejta në procesin zgjedhor, nga ana e militantëve e zyrtarëve të LDK-së deri tek kandidati i tyre Lutfi Haziri, të cilat shkelje janë që nga blerja e votës e deri tek ndikimi në afërsi të qendrave të votimit nga kandidati i tyre.

Sipas Informacioneve nga tereni, të vëzhguesve të akredituar të PDK-së, kandidati i LDK-së Lutfi Haziri, po shkel sot ligjin e zgjedhjeve me prezencën e tij të vazhdueshme në afërsi të qendrave të votimit, në disa qendra votimi si në fshatrat Zhegër, Llashticë, Lladovë, Velekincë etj., dhe në qendrat e votimit në qytet, për të ndikuar kështu drejtpërdrejt në procesin e votimit.

Me këto sjellje Lutfi Haziri po tenton ta kompensojë zhgënjimin e tij dhe ta evitojë humbjen e thellë duke përdorur edhe format e fundit, të ndikimit të drejtpërdrejtë, në mënyrë të paligjshme në proces. Andaj e sugjerojmë t’mos e dëmtojë procesin dhe t’i lejë qytetarët të bëjnë zgjedhjen e lirë!

Një tjetër shkelje e regjistruar rreth orës 12:00 në njërin prej vendvotimeve në qendrën e votimit në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku njëri prej anëtarëve të kryesisë së LDK-së ka kërcënuar verbalisht dhe e ka urdhëruar të lirojë hapësirat e qendrës së votimit, një anëtar të akredituar të PDK-së.

Ndërsa në Qendrën e Votimit, (ku votohet me mbiemrin Rashiti) në Shkollën Fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, është raportuar se rreth orës 12:00, një komisioner i LDK-së u ka sugjeruar hapur votuesve të votojnë për kandidatin e LDK-së. Me këtë rast, Shtabi Zgjedhor i degës së PDK-së i ka marrë të gjitha masat ligjore përmes KKZ-së të cilët pas një ore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin.

Eco Higjiena

Ndërsa tek zyra e LDK-së në lagjen “Dardania II”, nga vëzhguesit e akredituar të PDK-së mësohet se ka një organizim nga LDK-ja, ku njerëzit para se të shkojnë në qendrën e votimit, paraprakisht detyrohen të nënshkruajnë në listat e LDK-së në zyrën e kësaj nëndege, ku dyshohet se nënshkruhen për të marrë më pas shpërblimin.

Të gjitha këto shkelje, janë regjistruar nga vëzhguesit e akredituar të PDK-së në terren dhe të njëjtat janë raportuar në organet kompetente, në KKZ dhe në organet e rendit, pasi ka informata që ka kontrabandim të votës nga ana e LDK-së.

Por, megjithatë, të gjitha këto tentativa për ta manipuluar edhe këtë raund të procesit zgjedhor, veç sa do ta vetëdijësojnë qytetarin e spektrit të gjerë politik në Gjilan, të prirë kësaj radhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati për kryetar Qemajl Mustafa.

Shtabi Zgjedhor i degës së PDK-së, me gjithë strukturën e akredituar, po e ruan procesin zgjedhor – vlerën më të madhe të demokracisë – besimin e qytetarëve të Komunës sonë. Prandaj nuk do të lejojmë me asnjë çmim që dikush ta dëmtojë procesin dhe vlerën qytetare të kësaj komune të mrekullueshme thuhet në njoftimin e shtabit zgjedhor të degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/