Fundamenti

PDK legalizon sahanlëpirësit

/ 4 minuta lexim

Nga Arbana Xharra – Gara për zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Prishtinë, është shembulli që tregon saktë se si eliminohen personat e padëgjueshëm, ata që haptazi kanë ngritur zërin kundër keqpërdorimeve, duke u zëvendësuar kështu me individë servilë, në shërbim të kërkesave nga Qendra, të cilët kanë shprehur gatishmëri të punojnë me përkushtim të madh për interesa të individëve dhe grupeve të caktuara brenda kësaj partie. Ajo çfarë ka ndodhur këto ditë në Prishtinë, është realisht fryma që dominon PDK-në.

Strategjia të cilën është duke e ndjekur kjo parti, do t’u sigurojë pozita të rëndësishme atyre që po dalin nga humnera, edhe të tjera personazheve të njohur për shkeljen e vlerave etike dhe morale. Ata dalëngadalë njëri pas tjetrit, po zënë vende në pozita të rëndësishme brenda PDK-së.

Klanet e forta brenda strukturave të PDK-së i kanë në letër saktë se kush ku do të pozicionohet, nuk ka rëndësi vullneti i delegatëve. Rasti i Shemsi Veselit më i votuari prej strukturave të prezantuara në kuvendin e partisë përmes delegatëve të zgjedhur nëpër nëndegë të degës të PDK-së së Prishtinës, i cili mbetet i fundi në listë në votimin për kryesinë e degës, është pasqyrë reale e “demokracisë” së kësaj partie.

Votimi i parë nga 261 delegatë në Kuvendin e degës së Prishtinës, 258 kanë votuar për Shemsi Veselin për këshill drejtues. Ky votim ka treguar qartë se strukturat e PDK-së, dega e Prishtinës, e ka dhënë verdiktin e vet për Veselin. Por, ky vullnet i strukturës së degës së PDK-së është degraduar nga klanet e caktuara brenda të përzgjedhurve të anëtarëve të këshillit drejtues të degës së Prishtinës, duke votuar për persona sahanlëpirës.

Në takimin e këshillit drejtues të degës së Prishtinës, 51 anëtarë të këshillit drejtues marrin pjesë në votim për përzgjedhjen e anëtarëve të kryesisë së degës, Veseli mbetet në grupin e më pak të votuarve, në fund të listës.

UBT

Më së shumti vota merr Fatmir Sopi, i cili fillimisht ishte në LKÇK, me pas në AKR duke iu bashkëngjitur PDK-së në zgjedhjet e fundit. Ky rezultat tregon për dirigjimin kush kë ta votojë, se si nxirren jashtë garave ata që kanë luftuar pa kompromis të keqen dhe të cilët nuk kanë hezituar të kritikojnë edhe partinë nga e cila vijnë për t’u pozicionuar në listë, ata servilë që janë në shërbim të individëve dhe grupeve të caktuara.

Nuk ka logjikë politike që të marrë më shumë vota personi fillestar në strukturat e PDK-së në krahasim me anëtarin e kryesisë qendrore dhe anëtarin e këshillit drejtues të PDK-së, nënkryetarin e degës së PDK-së për Prishtinë dhe shefin e grupit parlamentar të këshilltarëve në Komunën e Prishtinës. Tash në garë për Prishtinën kanë mbetur dy klane ajo e Memli Krasniqit dhe e Lirak Çelajt.

Edhe pas gjithë këtyre lojërave që dalin haptazi në shesh, që janë duke u luajtur në shumë degë e sidomos në atë të degës së Prishtinës, kreu i Partisë, Hashim Thaçi, vrojton aplikimin e strategjisë së përsosur. Atë të pozicionimit të personave puthadorë, që nesër do të jenë në shërbim të realizimit të zhvillimit të bizneseve të tyre që çojnë drejt zhvatjes së parasë publike.

PDK nga zgjedhjet e brendshme ka dëshmuar se kjo parti ruan me fanatizëm linjën e interesit të caktuar, ku personat kredibilë, ata që nuk janë pjesë e pazarllëqeve eliminohen. Kështu gradualisht PDK në krye të saj po forcon dominimin e politikanëve arrogantë që ende s’e kanë hequr baltën nga kundrat.

Ndërskamcat, montimet, frymë e dëshmuar e kësaj partie do të dominojë së shpejti në zgjedhjet e Kuvendit të PDK-së me ç’rast pritet të triumfojë “Dora e fortë” e PDK-në.