PDK e Vitisë e quan “Facebook Qeverisja” pushtetin komunal
Viti – Siç duket LDK e Vitisë ka katër vite që ka rënë në një ëndërrim letargjik me sy hapur duke menduar se edhe qytetarët po shohin ëndrrën e njëjtë, ose thënë më mirë, LDK ka sytë hapur, por po lutet që qytetarët kanë rënë në gjumë e nuk po e shohin qeverisjen e dështuar manipulative të Kryetarit të Komunës Sokol Haliti të ashtuquajturën “Facebook Qeverisjen” thuhet në reagimin e PDK-së në Viti.
Dega e PDK-së në Viti i quan krejt spekulative lavdërimet që japin zyrtarët komunal rreth realizimit të projekteve në këtë qytet.
Sipas PDK-së Sokol Haliti po mburret me projektet e realizuara gjatë qeverisjes së PDK-së në Komunën e Vitisë.
Hasan Aliu thotë se në qeverisjen e Sokol Halitit,”pamja e qytetit të Vitisë dhe lokaliteteve të saja ka ndryshuar shumë në të gjitha aspektet si në infrastrukture rrugore, ambientale dhe infrastrukture shkollore e shëndetësore”, por po harron me qëllim se qendra e qytetit, shtrati i lumit Morava dhe lumit prapa Shtëpisë së Kulturës, rrugët nëpër qytet e lagje, ndriçimi, trotuaret nëpër rrugë të Vitisë e deri ne Drobesh e në shumë fshatra që gravitojnë në rrugët magjistrale, parku i qytetit “ Njazi Azemi” Shkolla e Mesme Teknike në Viti, Shkollat në Radivojc, Trestenik, Sllatinë e Epërme, Remnik e Budrikë janë ndërtuar nga themelet në qeverisjen e PDK-së, ambulanta në Pozheran dhe Letnicë gjithashtu janë ndërtuar në qeverisjen e PDK-së dhe shumë projekte të tjera nëpër të gjitha fshatrat e Komunës së Vitisë janë realizuar në qeverisjen e PDK-së.
Në qeverisjen e z. Sokol Halitit e Hasan Alisë është ndërtuar vetëm shkolla e Beguncës tjerat shkolla janë përballur me mbyllje nga inspektorët sanitar, asnjë projekt madhor, sikur në kohën e PDK-së Qendra e Qytetit të Vitisë, gjatë qeverisjes së LDK-së është mbjellur bari në parkun e qytetit dhe është shtruar asfalt mbi asfalt të cilësisë së dobët nëpër rrugë të Vitisë dhe fshatra të cilët janë prishur pa kaluar muaji.
Aktivitetet Kulturore e Rinore e Sportive i ka karakterizuar një lënje pasdore nga ana e Komunës duke përkrahur me dhjetëra e mijëra euro artistët e huaj nga Prishtina e Komunat tjera, kurse shoqatat e grupet e Vitisë pothuajse janë shuar tërësisht, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në Komunën e Vitisë që mjetet financiare të shkojnë jashtë Vitisë e të mos u ndahen Shoqatave tona e Klubeve. Flakadani Karadakut ka pasur rritje enorme të shpenzimeve në krahasim me më parë kurse aktivitetet kanë qenë të njëjta.
Prapë Nënkryetari Komunës vazhdon me logjikën e manipulimit të opinionit vitias kur thotë; Institutet kosovare e kanë ranguar Komunën e Vitisë si “komuna më transparente dhe që ka përmbushur premtimet e saj”, sepse Institutet në fjalë e kanë ranguar Komunën e Vitisë ndër të fundit për realizim të premtimeve dhe qytetarët mund çdo herë që t`i gjejnë të dhënat në ëebfaqet e këtyre instituteve, kurse sa i përket përmirësimit të raporteve me Organizata Ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, më shumë kemi pasur një servilizëm të Sokol Halitit ndaj këtyre organizatave për qëllime propagandistike të Kryetarit se sa që Komuna dhe qytetarët e Vitisë kanë pasur ndonjë përfitim real.
Buxheti i Komunës së Vitisë gjithmonë është debatuar dhe ka kaluar nëpër dëgjime publike të nisura nga qeverisja e PDK-së dhe është vazhduar nga ana e LDK-së, prandaj LDK s`ka nevojë të sillet sikur e ka zbuluar Amerikën, por vetëm të caktoj prioritetet në bazë të kërkesave e nevojave të qytetarëve e jo në bazë të nevojave të familjarëve të Kryetarit të Komunës për të marrë tendera e as asfaltimet e rrugëve të mos i bëj nga arat e tij me buxhetin e varfër të Komunës së Vitisë.
Hasan Alia kishte harruar të përmend edhe shumë të “ arritura” të Kryetarit Sokol Haliti siç janë çmimet e blera “ Doktor Honoris Causa” dhe “Misionarë i Paqes së OKB-së” që e vendosin në një rang me Nelson Mandelen, pastaj Palestrën Sportive, Komunën e re, Stadiumet e Futbollit, renovimin e Shtëpisë së Kulturës, barna për ambulanta nga lista esenciale, kyçjen në autostradë, e shumë e shumë premtime boshe të tij për katër vjet.
E ka mirë Hasan Alia kur thotë se edhe partitë tjera duhet të caktojnë kandidatët, sepse në LDK dihet se janë tre kandidatë për Kryetarë të Komunës dhe se duke ditur premtimet e mëdha të Sokol Halitit ndaj njerëzve të LDK-së nuk është çudi që numri i kandidatëve për Kryetar Komune nga LDK-ja të rritet deri në zgjedhjet lokale të vjeshtës thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Viti./rajonipress/


