PDK duhet të reflektoj në Viti
Nga Arton Musliu – Funksionimi i brendshëm legal në bazë të dispozitave juridiko-statutore dhe organizimi strukturorë, i mbështetur dhe i mbështjellur vazhdimisht nga koncepti politik dhe qasja ideore, janë tri komponentet fundamentale përmes së cilave sajohet dhe mirëfunksionon një subjekt i caktuar politik.
Juristi me siguri se do të mbronte qëndrimin se pa u mbështetur në norma të brendshme partiake nuk mund të ketë ecje cilësore përpara. Një politikan natyrisht se mbron idenë e formësimit të konceptit të caktuar politik, përmes së cilit do të rriste përkrahjen në masë.
Derisa një militant partiak do të vraponte pa ndal për strukturimin e partisë së tij. Mendoj se të tri këto dimenzione janë të domosdoshme. Secila nga këto hallka ka rëndësinë e vetë zingjirore. Këputja ( mosfunksionimi) i një hallke pashmangshëm çon në humbje dhe regres. Në këtë kontekst Partia Demokratike e Kosovës, dega në Viti, është duke çaluar në hallkën e parë dhe të dytë.
Shumë zhurmë është bërë për këtë çështje. Plotë individë kanë shprehur pikëpamjet e tyre në lidhje me daljen nga kjo situatë e pashpresë. Disa hapur e disa më diskret. Ndërsa unë kam vendosur që mendimin tim ta jap publikisht përmes këtij opinioni.
Njëkohësisht plotë figura të partisë kanë shprehur ambiciet e tyre politike për ta udhëhequr degën, gjë që është shumë legjitime.
Përpjekjet e njerëzve të devotshëm për të zvogëluar përçarjet në këtë degë janë për respekt. Mirëpo këto përpjekje fatkeqësisht kanë mbetur pa rezultat. Dhe tash jemi ku jemi. Një subjekt i ndarë si mos më keq.
Në këtë situatë ndihma e organeve qendrore të partisë, të cilat për çudi janë tepër indiferente, është e domosdoshme. I gjithë ky elektorat konsistent nuk duhet të lihet pa adresë. Ata janë të përkushtuar dhe të vendosur për rikthimin e primatit në Viti.
Procesi i degraduar i zgjedhjeve të brendshme të PDK-së në Viti duhet të përfundohet njëherë e mirë dhe në këtë mënyrë të krijohen kushte sa më parë për fillimin e përgatitjes për zgjedhjet parlamentare të cilat do të vijnë shumë shpejt. Me një organizim strukturorë cilësorë nëpër nëndegët e partisë, me një punë ekipore të kryesisë së ardhshme të degës, e cila domosdoshmërisht duhet të jetë funksionale, dhe me një mobilizim të madh të anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë, jam i bindur se do të jemi forca e parë politike në Viti.
Prandaj, si një anëtarë i thjesht i partisë kërkoj nga organet gjegjëse që të ulen sa më shpejt dhe të zgjidhin këtë ngërç. Unë jam i gatshëm të jap kontributin tim profesional, politik dhe organizativ, duke filluar nga fshati prej të cilit vij.
Mendoj fuqishëm, ashtu si mendojnë edhe shumica e anëtarëve me të cilët kam biseduar, se zgjidhja më e mirë dhe më demokratike do të ishte riorganizimi i zgjedhjeve të brendshme partiake në degën e Vitisë.
Kjo për shumë arsye. Arsyeja e parë qëndron në faktin se në një proces të rregullt e demokratik, të mbikëqyrur nga organet qendrore të partisë, askush nuk do të ndahej i pakënaqur me rrjedhën e procesit.
Arsye tjetër është ballafaqimi i vlerave dhe autoritetit të secilit. Ndërkaq për mendimin tim, arsyeja me e rëndësishme është fuqizimi dhe mobilizimi i degës për fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në këtë drejtim reflektimi i figurave eminente të partisë është imanent.
Përndryshe çdo zgjidhje tjetër gjysmake dhe subjektive do të ishte kontraproduktive.


