Pazaret e reja, pazare të vjetra

Nga Albin Kurti- Serbia synon që të jetë përpara Kosovës dhe Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Brukselit pikërisht që këtyre dyjave t’ua vështirësojë integrimet evropiane (ngjashëm siç bën Greqia me Maqedoninë). Serbia aspiron që të anëtarësohet sa më parë në BE dhe nga pozita e shtetit anëtar të na kushtëzojë prej lart

Teksti i mëposhtëm është komunikata e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e datës 3 mars 2011. Fjalën ‘Pacolli’ zëvendësojeni me fjalën ‘Jahjaga’ kurse fjalën ‘Tadiq’ me fjalën ‘Nikoliq’.

1. Bisedimet e paralajmëruara midis Kosovës dhe Serbisë njëmend kanë të bëjnë me integrimet evropiane, por ama me integrimin e Serbisë në BE dhe jo me integrimin e Kosovës në BE. Këto bisedime i nevojiten Serbisë dhe aspak Kosovës. Për të avancuar drejt BE-së Serbia ka nevojë të tregojë që i ka marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet përreth saj. Natyrisht që më së vështiri për Serbinë është ta dëshmojë që i ka marrëdhëniet e mira me Kosovën. Mirëpo, dëshmi e përsosur për fqinjësinë e mirë të Serbisë me Kosovën janë mu këto bisedimet ku Kosova ia beson Serbisë edhe çështjet e brendshme të saj! Bisedimet e parlajmëruara ia mundësojnë Serbisë të thotë në Bruksel që ka fqinjësi të mirë me Kosovën, paçka se nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Serbia synon që të jetë përpara Kosovës dhe Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Brukselit pikërisht që këtyre dyjave t’ua vështirësojë integrimet evropiane (ngjashëm siç bën Greqia me Maqedoninë). Serbia aspiron që të anëtarësohet sa më parë në BE dhe nga pozita e shtetit anëtar të na kushtëzojë prej lart. Nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës shumë kollaj mandej do të mund të avanconte drejt BE-së, natyrisht duke plotësuar kushtet e normat e parapara nga Brukseli. Mirëpo, Serbia nuk do që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Politikanët shqiptarë, në Kosovë e në Shqipëri, kurrsesi nuk duhet t’i ndihmojnë Serbisë.

2. Apetitet e Serbisë nuk përfundojnë në këtë pikë. Përmes këtyre bisedimeve ajo dëshiron që ta sajojë një republikë serbe përbrenda Kosovës sipas modelit të Bosnjes. Plani i Ahtisaarit tashmë e ka hedhur farën e bosnjëzimit të Kosovës, dhe në negociatat e ardhshme Serbia dëshiron që brenda Kosovës t’i formësojë konturat e një republike të re serbe në Ballkan. Ka kohë që flitet për autonominë për veriun, statusin special për veriun dhe rikthimin e 6- pikëshit famëkeq të Ban Ki-moon-it. Para çfarëdo konsiderate për pranimin e pavarësisë së Kosovës, Serbia paraprakisht e do një shtet të tillë serb brenda shtetit të Kosovës. Pra, asgjë e re në krahasim me Milosheviqin, i cili në Konferencën e Daytonit në vitin 1995 e pati pranuar Bosnjen si shtet të pavarur jashtë Serbisë atëherë kur lideri boshnjak Alija Izetbegoviq e pati pranuar Serbinë brenda Bosnjes në formën e Republikës Serbe atje.

3. Nëse ky plan i Serbisë realizohet, atëherë okupimi total i Kosovës nga Serbia e Milosheviqit të fundit të shekullit XX do të zëvendësohej me kontroll total të Kosovës nga Serbia e Tadiqit në dekadën e dytë e të tretë të shekullit XXI. Nga lart Serbia do ta dirigjonte politikën kosovare nëpërmjet kushtëzimeve nga pozita e vendit që ka avancuar drejt BE-së shumë më tepër se ne, e më vonë edhe nga pozita e shtetit anëtar të BE-së. Nga poshtë, ajo do ta kushtëzonte Kosovën përmes republikës së re serbe brenda Kosovës ngjashëm siç vepron me Bosnjen e cila, përkundër vullnetit të boshnjakëve dhe kroatëve, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës meqë Republika Serbe atje e ka përdorur të drejtën e vetos për këtë çështje. Pra, Serbia edhe do të mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës pas disa viteve, por vetëm atëherë kur do ta ketë të siguruar ndikimin e saj dominues në Kosovë, duke formuar një Serbi të vogël brenda Kosovës, dhe pasi që t’i jetë afruar fare pranë portës ku shkruan: BE. Mirëpo, aktualisht nuk është çështja që Serbia thjesht nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës andaj duhet të ketë sërish bisedime ndërmjet saj dhe Kosovës. Serbia vazhdon të mos e pranojë as kompromisin – Planin e Ahtisaarit. Kjo është arsyeja pse po planifikohen bisedime të reja me të. Kjo është arsyeja pse fantazma e 6 Pikëshit të Ban Ki-moon-it po kthehet.

4. BE-ja nuk duket që do ta ndalë realizimin e hegjemonisë së Serbisë. Sepse BE-ja mbi të gjitha dëshiron që Serbinë ta shkëpusë nga ndikimi i Rusisë, nga përdorimi i saj si dorë e zgjatur e Rusisë. Shkatërrimi i BRSS-së rezultoi me një Rusi që si një oktopod i madh ka për tentakula Bellorusinë, Ukrainën, Transdniestrinë, Abhazinë, Osetinë Jugore, por pak a shumë edhe Armeninë, Taxhikistanin e Kirgistanin. Në anën tjetër, edhe shkatërrimi i RSFJ-së rezultoi me një Serbi që si një oktapod i vogël ka për tentakula Republikën Serbe në Bosnje, 30% të popullsisë në Mal të Zi që janë deklaruar serbë, duke qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi, veriun e Kosovës dhe enklavat serbe në Kosovë, si dhe ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni. Interesi parësor i BE-së është që ta ndajë oktapodin e vogël (Serbinë) nga oktapodi i madh (Rusia) përmes procesit të integrimeve evropiane, meqenëse që nga viti 2007, atëherë kur Rumania e Bullgaria u bënë anëtare të BE-së, Serbia në oborrin evropian mbeti si Kalë i Trojës që i shërben Rusisë. Interesi parësor i Kosovës dhe i shqiptarëve është që tentakula e Serbisë e llojit të veriut dhe enklavave serbe në Kosovë të shkëputet sa më parë nga Serbia. Interes yni është edhe ky interesi parësor i BE-së, porse ai s’mund të jetë interes parësor yni, aq më pak nëse për ta realizuar interesin e saj parësor BE-ja është e gatshme që këtë ta bëjë edhe në kurriz të interesit parësor të Kosovës dhe të shqiptarëve. BE-ja e di mirë që Serbia qysh në origjinën e saj si shtet veten ia ka borxh Rusisë. Prandaj, BE-ja, edhe pse nuk e do Serbinë menjëherë në BE, e do atë në binarët e integrimeve evropiane ku do ta tërhiqte lëmueshëm Serbinë prej një stacioni në tjetrin drejt Brukselit. BE-ja na e ka dëshmuar shumë herë deri më tash që i jep përparësi stabilitetit në Serbi dhe jo demokracisë në Kosovë.

5. ShBA-të, përkundër qëndrimit tradicionalisht më të shpejtë dhe më të avancuar për Kosovën dhe shqiptarët në krahasim me BE-në, nuk është e pritshme që do t’i dëmtojnë marrëdhëniet e tyre me BE-në për hir të Kosovës. Po ashtu, ShBA-të s’mund të kenë ambicie më të mëdha për Kosovën sesa vetë krerët institucionalë të saj që pranojnë të negociojnë me Serbinë për Kosovën. Dhe, njëkohësisht, nuk mund të kërkojnë nga BE-ja favore për Kosovën dhe shqiptarët përderisa ne udhëhiqemi nga politikanë e zyrtarë shtetërorë të korruptuar e të diskredituar. BE-ja nuk do të lëshojë pe për kërkesat që e ngrisin pozitën e Kosovës, përderisa nga këto koncesione do të përfitonte edhe pushteti i korruptuar në Kosovë.

6. Moskushtëzimi i Serbisë është falje ndaj Serbisë pa na kërkuar falje ajo. Janë dhjetë arsye kapitale pse Kosova nuk duhet të shkojë në negociata me Serbinë duke qenë se ato janë krejtësisht të padrejta. Këto arsye duhet të jenë kushte për Serbinë.

Nuk mund të ketë bisedime me Serbinë përderisa:

– Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës;

– Serbia nuk po e ndryshon kushtetutën e saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë;

– Serbia nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX;

– Serbia nuk na i ka dorëzuar kriminelët serbë të luftës;

– Serbia nuk na i ka kthyer trupat e rreth 1800 të pagjeturve dhe nuk jep informacione për ta;

– Serbia nuk na i ka paguar dëmet e luftës dhe okupimit;

– Serbia ua shkel të drejtat shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe i shtyp ata;

– Serbia vazhdon t´i financojë strukturat e saj ilegale në Kosovë;

– Serbia nuk na e ka kthyer fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, librat kadastralë dhe 1200 eksponate kulturore;

– Në Serbi janë dhjetëra mijëra kriminelë serbë të luftërave të viteve të ´90-ta që shëtiten të lirë e të pacenuar nga prokuroria e shtetit.

Janë edhe dy arsye të tjera që i bëjnë këto negociata të jenë asimetrike, d.m.th. midis dy palëve edhe nominalisht të pabarabarta. Së pari, këto negociata janë negociata me Serbinë për Kosovën dhe jo negociata me Serbinë edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Duke qenë se Kosova është edhe palë negociatore por edhe vetë tema, këto negociata paraqesin kontestim të qenies sonë. Dhe, së dyti, në negociatat me Serbinë faktorët ndërkombëtarë edhe ndërmjetësojnë edhe sundojnë me Kosovën josovrane, por jo edhe me Serbinë. Së këndejmi, Serbia i vjel frytet e kompromiseve si puna e Planit të Ahtisaarit dhe e ka komoditetin që ajo vetë të mos e pranojë atë kompromis pasi që protektorati ndërkombëtar në Kosovë e detyron Kosovën që njëanshëm t’i implemetojë koncesionet.

7. Bisedimet e radhës nganjëherë i quajnë dialog e nganjëherë bisedime. Natyrisht: para se t’i quajnë negociata. Dhe, fillimisht flitej për dialogun për çështje teknike e së fundi për bisedimet për çështje praktike. Natyrisht: para se t’i quajnë politike. Edhe në vitin 2005 thoshin se do të ketë bisedime vetëm për çështje teknike por kjo bëhej vetëm sa për ta joshur Kosovën. Shumë shpejt çështjet teknike bëhen superpolitike. Në fakt, çdo gjë me Serbinë është çështje politike. Kosova nuk ka as marrëveshje paqeje me Serbinë. Kosova me Serbinë është në një gjendje lufte pa luftë. Në njërën anë, po na thuhet që nuk do të flitet në ato bisedime për statusin e Kosovës, kurse, në anën tjetër, pranohet se do të flitet për veriun, gjithnjë duke aluduar dhe duke e menduar veriun si një territor disi me status të padefinuar. Çka është Kosova nëse nuk është (edhe) territori i saj, çdo pjesë e territorit të saj? Mos ndoshta Kosova për zyrtarët e saj na qenka vetëm qyteti i Prishtinës? Apo, ndoshta, vetëm oborri i ndërtesës së Qeverisë dhe pasuritë e qeveritarëve? Kosovës po i gatitet skenari i Bosnjes – jo më i luftës në Bosnje, por i paqes së Bosnjes që është jo më pak famëkeqe. Po na përgatitet kompromisi i radhës që i vjen era 6 Pikësh i Ban Ki-moon-it. Me këto negociata Serbia po i afrohet Bashkimit Evropian ndërsa veriun dhe enklavat në Kosovë po ia afrojnë Serbisë.

8. Miqtë bëjnë bisedime edhe pse tashmë njihen. Ne nuk e kemi mik Serbinë. Kur ata që s’njihen bisedojnë këtë e bëjnë për t’u njohur. Shqiptarët nuk e kanë luftuar Serbinë pse nuk e kanë njohur atë. Shqiptarët e kanë luftuar Serbinë pikërisht pse e njohën dhe mu atëherë kur e njohën më së shumti atë. Konflikti i vazhdueshëm që kemi me Serbinë nuk vjen nga mungesa e bisedimeve me të por nga aspiratat e saj për Kosovën. Kemi të bëjmë me interesa kundërthënëse e jo me mungesë bisedimesh. Nuk kanë se çfarë na duhen këto bisedime. Në kohën kur kemi gjithnjë e më pak bukë e vende pune dhe gjithnjë e më shumë premtime që nuk i rrisin pagat por çmimet, qeveria tinëz është përcaktuar për spektaklin nga Brukseli të cilin do ta paguajmë shumë shtrenjtë. Nga kjo Qeveri, e cila i pranoi bisedimet me Serbinë pa u biseduar fare për to në Kosovë, do të kemi gjithnjë e më pak bukë dhe gjithnjë e më shumë cirk. Me pavarësinë formale të Kosovës njëmend kemi shumë pak si shtet, por me këto bisedime pa agjendë publike të bisedimeve dhe me një kryenegociatore pa platformë publike për negociata gjithçka është e rrezikuar. Ne jemi të bindur që neve na duhen bisedime me Tiranën e jo me Beogradin. Ne duhet të koordinohemi si komb dhe t’i harmonizojmë hapat strategjikë në politikë dhe ekonomi. Sepse ne duhet t’i kthehemi vetes. Ta realizojmë shtetndërtimin si sovranitet dhe zhvillimin ekonomik si prodhim. Asnjëra prej këtyre nuk bëhen nga bisedimet me Serbinë. Secila prej këtyre bëhet shumë më kollaj përmes bisedimeve me Shqipërinë.

9. Nuk mund të thuhet se në bisedime me Serbinë çështja e statusit të Kosovës do të jetë çështje e mbyllur. Statusi i Kosovës është çështje e mbyllur atëherë kur Kosova bisedon me një shtet që e ka njohur. Bisedimet me Serbinë pikërisht e bëjnë hapjen e çështjes së statusit, e çelin sërish atë. Qeverisë së Kosovës po i ngutet me bisedime sepse Serbisë po i ngutet. Pra, kjo Qeveri po dëshmon varësi nga agjenda e Serbisë. Krejt çfarë mund të bëjë Hashim Thaçi tash e tutje janë gabimet e reja. Hashim Thaçi s’mund të mos gabojë. Sepse ai ndodhet në rrugë të gabuar. Prej Hashim Thaçit mund të presim vetëm pacolla, edhe më shumë pacolla, tepër shumë pacolla. Emërimi i Edita Tahirit për kryenegociatore nënkupton që janë pranuar negociatat pa debat publik e parlamentar dhe pa vendim zyrtar e institucional. Me këtë pushtet po dështon shteti i Kosovës. Mirëpo, populli e shoqëria duhet të shënojnë sukses. Nuk është e mundur që ta shpëtojmë edhe Hashim Thaçin edhe Kosovën. Ne të VETËVENDOSJE!-s tashmë kemi vendosur. Ne jemi përcaktuar për Kosovën, ne duam ta shpëtojmë Kosovën. Shpëtimi i Kosovës dhe shpëtimi i Kosovës prej Hashim Thaçit po bëhen variacione të së njëjtës temë. Nga politikanët biznesmenë dhe nga biznesmenët politikanë nuk mund të llogarisim në mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe as në përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve.

10. Plani i Ahtisaarit është i dëmshëm jo vetëm pse na e ndan territorin, institucionet dhe kulturën mbi baza etnike por edhe për shkak se nuk mund të jetë kompromisi i mbramë. Aq shumë është lëshuar pe me këtë Plan saqë gjithnjë do të kërkohet që të lëshohet pe vetëm edhe pak deri sa të mbesim me aspak. Plani i Ahtisaarit nuk rrin. Ose do të bëhet më keq, ose do të bëhet më mirë. Kosova do të mund të bëhet një Bosnje e re pas dy a tri vjetëve duke hyrë në shtegun e negociatave me Serbinë, ose do të mund të bëhet një Slloveni e re pas 10 a 15 vjetëve përmes shtetndërtimit si sovranitet dhe zhvillimit ekonomik si prodhim. Për t’u bërë më keq mjafton të mos bëjmë asgjë dhe të presim gjithçka prej regjimit të dominuar nga dueti Thaçi-Pacolli. Për t’u bërë më mirë nuk duhet të heshtim, duhet të organizohemi dhe duhet të veprojmë – kudo dhe të gjithë: nëpër fshatra e nëpër qytete, punëtorë e të papunë, të rinj e të moshuar, gra e burra, nxënës e studentë, arsimtarë e mjekë, minatorë e pensionistë, bujq e zejtarë, brenda institucioneve e jashtë tyre. Sepse bashkë është e mundshme!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).