Pavarësi
Poezi nga Ardian Haziri
U rrite në djepin e lashtë dardan,
Me ninulla që bartin peshën e historisë,
U bëre tetëmbëdhjetë.
Sa shumë breza për ty janë bërë fli,
Për emrin tënd të bukur, Pavarësi.
U përkunde në djepin gjysmë të djegur,
Nga flaka e betejës së madhe,
Brenda kullës së qëndresës e flijimit,
Të asaj tejsakrifice,
Midis Drenice.
Lufta për ty,
Nuk është vetëm armë e dhimbje,
Është fryma e guximit që jep dritë,
Është nder, shpirt, gjuhë, ardhmëri,
Është liri.
Ardian Haziri


