RCCOLA

Pavarësi komplet

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Nga sot, pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e kushtëzuar. Institucionet e vendit i morën komplet kompetencat që i kishte deri më tash Zyra Civile Ndërkombëtare.

Udhëheqësit politikë thanë se kjo është një ditë historike, e miqtë e pavarësisë, në krye me Presidentin e SHBA’së, Barack Obama, e uruan popullin e Kosovës për këtë arritje të rëndësishme.

Shtetit të Kosovës, prej të hënës, i është hequr mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë.

Vendimin e ka marrë Grupi Drejtues Ndërkombëtar, pas mbledhjes së fundit që e ka mbajtur në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Vendet anëtare të GDN’së kanë vlerësuar se Kosova e ka përmbushur Planin e Ahtisaarit, në bazë të të cilit dokument është shpallur pavarësia e mbikëqyrur katër vjet e gjysmë më parë.

Konfirmimin e ka dhënë udhëheqësi i deritashëm i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith dhe Kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit përfundimtar të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Pas përfundimit të takimit, të të gjithë Drejtorëve për Ballkanin të 25 vendeve që kanë qenë pjesë e GDN’së dhe mysafirët e tjerë janë shfaqur në oborrin e Qeverisë për të bërë fotografinë e fundit të përbashkët.

Nga ndërtesa e Qeverisë kanë dalë hartuesi i Dokumentit të Pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari bashkë me Kryeministrin Thaçi, Ambasadorin Frank Wisner e Wolfgang Ischinger.

Secili prej mysafirëve ka qëndruar mbi flamujt e vegjël të vendeve përkatëse të vendosur në platonë në mes objektit të Qeverisë dhe Kuvendit.

Pas kësaj ngjarjeje, shumica prej mysafirëve ia kanë mësyrë Kuvendit, ndërkohë që Kryeministri Hashim Thaçi e Pieter Feith kanë mbajtur konferencën e fundit të përbashkët.

“Pavarësia e Kosovës është përmbyllur”, ka thënë Feith, edhe në gjuhën shqipe.

“Po qysh s’u kry”, ka thënë në anën tjetër, Kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur se a është zbatuar thënie e Ditës së 17 Shkurtit, “Bac u kry”.

Edhe në paraqitjen e fundit, Thaçi dhe Feith e kanë gjuajtur njëri – tjetrin me fjalë, kur kanë folur për Veriun e Kosovës.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare që është mbyllur bashkë me përfundimin e mbikëqyrjes, ka thënë se për dështimet në pjesën më problematike të Kosovës duhet të pyetet Kryeministri Thaçi. Sikur që duhet të pyetet edhe tash e tutje.

Ndërkombëtari që ka pasur fuqi ekzekutive mbi të gjitha institucionet ka marrë përgjigje menjëherë nga Thaçi. Ky i fundit ka thënë se Veriu i Kosovës do të jetë hendikep në karrierën e Feithit.

Por, edhe Thaçi edhe Feith kanë thënë se me Veriun duhet të merren institucionet e gjithëpushtetshme të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare duke përfshirë edhe Presidentin amerikan, Barack Obama, e kanë uruar Kosovën, me rastin e fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Një reagim ka ardhur edhe nga udhëheqësit e Serbisë, të cilët kanë thënë se nuk do njohin pavarësinë, edhe pa mbikëqyrje.

Ahtisaari: Gjithçka është në duart tuaja

Për katër vite e gjysmë, sa herë është përmendur pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, është përmendur edhe emri i Martti Ahtisaarit. Ky njeri ka udhëhequr bisedimet Kosovë – Serbi dhe ka hartuar dokumentin mbi të cilin funksionon shteti më i ri në Europë.

Fundamenti

As ditën kur është shpallur përfundimi i planit të tij, Ahtisaari nuk i ka ndalur krahasimet, figurat dhe tregimet kur ka folur për Kosovën.

Kësaj radhe nuk e ka marrë shembullin e hajnit dhe kuletës, por ka përmendur cigaren të cilën e ka krahasuar me ndërkombëtarët.

Ka thënë se edhe cigarja është njëfarë lehtësuesi, sikur që ndërkombëtarët kanë përkrahur Kosovën, por në të njëjtën kohë nga të dyja ka edhe indikacione negative.

“Sikur edhe cigaret, edhe mandatet ndërkombëtare ofrojnë lehtësim, por kanë efekte anësore të dëmshme dhe mund te rezultojnë në varshmëri të rrezikshme”, ka thënë ai.

Por, sipas tij, 10 Shtatori e dëshmon të kundërtën e metaforës së cigares derisa tash mbikëqyrësit ndërkombëtarë po zëvendësohen me dikë tjetër.

“Suksesi që e kremtojmë sot është i jashtëzakonshëm. Tani çdo gjë është në duart tuaja”, ka shtuar ai.

Fjalë të mira për fundin e mbikëqyrjes kanë thënë edhe dy ish-ndërmjetësuesit, amerikani Wisner dhe gjermani Ischinger. Madje ky i fundit ka bërë thirrje për rend, ligj dhe luftë korrupsionit si garanci për të ecur Kosova drejt BE’së.

Për vizionin e Kosovës për integrime në BE dhe NATO kanë folur Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi.

“Vizioni ynë si popull dhe si vend është Europa, ku bëjmë pjesë si kulturë dhe si civilizim, të jemi pjesë e dinjitetshme dhe e barabartë, synimi i të gjithë neve është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ne si shtet dhe si shoqëri do t’i plotësojmë të gjitha parakushtet, standardet dhe reformat e nevojshme që këtë vizion tonin ta bëjmë sa më shpejt realitet”, është shprehur Presidentja.

Për progres ka folur edhe Kryeministri.

“Ndonëse progres i madh është shënuar dhe kemi bërë shumë hapa përpara, Kosova e vitit 2012 nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Nuk është ajo Kosovë që duam t’ua lëmë trashëgim fëmijëve tanë. Liria dhe pavarësia janë parakushte për zhvillim, por ato nuk janë të vetëmjaftueshme. Zotohemi që bashkërisht do të punojmë për t’i realizuar objektivat, qëllimet tona, për t’u anëtarësuar në NATO dhe për t’u integruar në BE”, ka deklaruar Thaçi.

Por, fjalime me fjalë të mira për ndërkombëtarët nuk ka thënë Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka hedhur përgjegjësinë te misionet e huaja që nuk kanë arritur as pas një dekade të vendosin rendin dhe ligjin edhe në Veriun e barrikaduar.

“Ne i përmbushëm obligimet tona sipas Pakos së Ahtisarit, por prezenca ndërkombëtare në Kosovë nuk arriti t’i përmbushë obligimet në Veri të vendit. UNMIK’u për 10 vjet atje toleroi ndërhyrjen e Beogradit dhe krijimin e strukturave kriminale e ilegale, të cilat edhe sot i mbajnë peng të drejtat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Tek ura e Mitrovicës është ngritur dhe mbahet akoma një monument i shëmtuar si simbol i ndarjes e izolimit, simbol i urrejtjes e kërcënimit, i quajtur trishtueshëm barrikadë”, ka thënë Krasniqi.

10 Shtatori – datë me rëndësi

Heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë është ndër tri datat më të rëndësishme për historinë e re të Kosovës – pas Deklaratës së 17 Shkurtit 2008 dhe Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, të datës 22 korrik të vitit 2010.

Ndryshe, mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë po ndodh pak ditë pas miratimit të ligjeve dhe ndryshimeve kushtetuese që i kanë hapur rrugë largimit të kompetencave të ndërkombëtarëve dhe kalimin e tyre te vendorët.

Tash e tutje, udhëheqësit e Kosovës do t’i kenë të gjitha kompetencat për të drejtuar shtetin dhe për të gjetur zgjidhje edhe për pjesën më problematike – Veriun.

Kosova është bërë shtet më 17 Shkurt të vitit 2008, pas disa raunde bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit, rezultati i të cilave ishte zero.

Deri më tash, Kosova i ka ndërtuar gati të gjitha institucionet e një shteti, por pa ushtrinë dhe shtrirjen e autoritetit në Veriun e Kosovës.

Shteti i dytë i shqiptarëve në Ballkan është njohur nga shumica e vendeve të botës, duke përfshirë SHBA’në dhe 22 vende të BE’së. Por, Kosovën, përveç një numri shtetesh, vazhdojnë mos ta njohin as Rusia, Kina dhe Serbia, e cila vazhdon ta pengojë shtetin e ri.(express)