Pasurohet Biblioteka e Gjimnazit ‘Zenel Hajdini”
Gjilan- Gjimnazi “Zenel Hajdini” ka pranuar nga Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës (BKEK), 585 tituj librash të ndryshëm, duke pasuruar kështu fondin librar të bibliotekës së kësaj shkolle.
Dorëzimi solemn i librave të Gjimnazit “Zenel Hajdini”, u bë në kohën kur këtë shkollë e vizitonte edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Fransua Fitu, i cili u tha nxënësve gjimnazistë dhe të rinjve se ata janë pasuria më e madhe e Kosovës.
Ndryshe, Sali Bashota drejtor i BKUK-së, duke i dhuruar librat drejtorisë së gjimnazit, uroi që këto libra, të cilat ai i vlerësoi si pasuri e madhe për këtë shkollë, t’u shërbejnë nxënësve të gjimnazit për pasurimin dhe zgjerimin e dijeve të tyre.
Gjatë qëndrimit në gjimnaz, ambasadori Fitou Veç tjerash lexoi fabulën e njohur të La Fontenit, “Gjinkalla dhe thnegla”, për të cilën tha se është e njohur dhe e dinë të gjithë francezët. Ai premtoi sjelljen e disa librave të gjuhës frënge në këtë shkollë, duke theksuar se është këtu për të parë nevojat e kësaj shkolle dhe se janë të interesuar të ndihmojnë në mësimin e gjuhës frënge edhe jashtë gjimnazit.
Ndërsa, Mehmetali Rexhepi, drejtor i shkollës tha se në këtë shkollë elitare të Gjilanit, punohet me përkushtim dhe se dëshmi për këtë janë sukseset e nxënësve të kësaj shkolle në garat të ndryshme. Librat e dhuruar nga BKUK-ja drejtori Rexhepi i vlerësoi si dhuratë shumë të çmuar
Bibliotekari Vehbi Ferizaj ka thënë se Gjimnazi ka nevojë të vazhdueshme për pasurimin e fondit librar. Ai thotë se në vijimësi ka bërë kërkesë për pajisjen e bibliotekës me botime të reja, tituj të ri dhe ekzemplarë, sepse nuk mjaftojnë vetëm nga dy apo tre ekzemplarë të një botimi.
Ferizaj ka shprehur falënderimin për këtë kontingjent librash tituj të ndryshëm që shtojnë numrin e tyre për 568 sosh. Ai tregoi se interesimi i nxënësve për lexim dhe për tituj të rinj është i madh. Aktualisht biblioteka e Gjimnazit ka 6.668 ekzemplarë titujsh të ndryshëm.
Ferizaj ka thënë se numri i lexuesve varet nga profesorët e gjuhës shqipe dhe sa ata i angazhojnë dhe kërkojnë nga nxënësit leximin e librit. Sipas tij, është e nevojshme që të punohet më shumë në nxitjen dhe shtimin e kulturës së leximit. Gjimnazi i Gjilanit ka 2650 nxënës dhe 120 mësimdhënës. /rajonipress/