Mobi Casa

Pasanikët e drejtësisë, trafikantë të ligjit

/ 8 minuta lexim

Ekspertët e njohur të fushës dhe analistët vlerësojnë se shteti i Kosovës po lëngon rëndë, duke vazhduar të mos ketë drejtësi dhe institucione të pavarura e profesionale të drejtësisë, por kryesisht të ndikuara dhe të uzurpuara shpor nga politika dhe grupet kriminale e mafioze.

Kapiti: Drejtësia thellësisht e varur dhe në shërbim të politikës, të pushtetit dhe të krimit e korrupsionit

“Janë prokurorët e gjyqtarët, krahas politikanëve, shtresa më e pasur, të cilët po trafikojnë pandalshëm drejtësinë kosovare, e cila në fakt si drejtësi e plotë nuk ekziston”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Ekspertët e njohur të fushës dhe analistët vlerësojnë se shteti i Kosovës po lëngon rëndë, duke vazhduar të mos ketë drejtësi dhe institucione të pavarura e profesionale të drejtësisë, por kryesisht të ndikuara dhe të uzurpuara shpor nga politika dhe grupet kriminale e mafioze.

Duke pasur drejtësi pa drejtim, të ndikuar nga politika dhe grupet kriminale të interesit, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se e ka humbur tërësisht kuptimin e vetë bazik dhe atë të përcaktuar drejt me Kushtetutë drejtësia në Kosovë. Duke qenë në këtë situatë, ata vlerësojnë se Kosova po shndërrohet në një xhungël ligjore, ku të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin dhe vazhdojnë të jenë të paprekshëm.

Kjo gjendje,sipas analistëve, shihet si pasojë e kapjes së të gjitha hallkave të shtetit nga njerëzit që po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën që prej vitit 1999, si nga mbitoka, si nga nëntoka kriminale, garniturë kjo e cila po e sundon sistemin e drejtësisë në vazhdimësi, një garniturë e njëjtë, që udhëhiqet herë nga nëntoka, e herë në ekzekutiv në të dyja nivelet.

Ekspertët e kësaj fushe mbeten të shqetësuar se si po i sundojnë edhe institucionet e drejtësisë, si dhe të gjitha institucionet e shtetit, mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, të cilët i futën nën kontroll të gjithë mekanizmat e drejtësisë, policinë, hetuesinë, prokurorinë, e deri të zinxhiri i fundit, që janë gjykatat. Kjo gjendje as që mund të merret me mend se do të ndryshohet pa zbatimin e Ligjit të VETTING-ut.

Kapiti: Në Kosovë nuk ka drejtësi të paanshme, as të pavarur dhe as profesionale!

Këtë gjendje të tillë të pashpresë e sheh dhe e konstaton edhe njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti.“Në Kosovë nuk ka drejtësi të paanshme, as të pavarur dhe as profesionale, sepse ajo është dhe funksionon si drejtësi thellësisht e varur dhe në shërbim të politikës, të pushtetit dhe të krimit e korrupsionit të tyre, si dhe në shërbim dhe në mbrojtje edhe të krimit e të korrupsionit të vetë gjyqësorit. Në këto kushte ligjin dhe drejtësinë e bëjnë dhe e japin më të fortët, që do të thotë se në Kosovë sundon paligjshmëria, vetëgjyqësia e ligjit të xhunglës, e më të fortëve, që e kanë pushtetin, përkrahjen dhe mbrojtjen e tij dhe të politikës, si dhe ligjin e japin dhe e zbatojnë korrupsioni, paraja dhe krimi i organizuar mafio-oligarkik”, theksoi ai.

“Pra, ajo e cila konstatohet si mafio-oligarkia u zullumeve, hajnisë dhe korrupsionit, është aleanca politike pushtet-drejtësi, e cila e ka kapur pushtetin legjislativ, atë ekzekutiv, atë juridik dhe mediatik, gjë e cila e bën të pamundur ndërtimin dhe funksionimin e ligjit, të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Kosovë, ashtu sikurse edhe në Shqipëri”, vijoi më tej Kapiti.

“Mosllogaridhënia dhe pandëshkueshmëria e krimit, hajnisë dhe korrupsionit institucional në Kosovë është krimi më i madh që bëhet në një shtet që mbahet peng prej tyre. Kjo gjendje quhet sistem korruptivo-kriminal, gjendja më e keqe ku mund të bjerë shteti, shoqëria dhe demokracia, gjendje e cila realisht bëhet rreziku më i madh që kërcënon sovranitetin e individit, shoqërisë dhe të shtetit. Prandaj, një VETTING gjithëpërfshirës do të ishte i një rëndësie jetike për Kosovën, për ndërtimin e shtetit demokratik e ligjor, për progresin e zhvillimin gjithëpërmasor dhe për integrimin e Kosovës si brenda saj ashtu edhe për në BE”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Uji Dea

Burjani: Kapja e planifikuar e drejtësisë

Sipas njohësit të kësaj fushe, Blerim Burjani, problemet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe për një kohë relativisht të gjatë. “Kosova ende do të ballafaqohet me probleme që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, problemet dihen, por zgjidhja nuk dihet, sepse nuk ka mundësi kurrfarë në situatën aktuale të lirohet nga ndikimi i njerëzve politikë. Kontrolli përmes individëve ka filluar të ndodhë në gjyqësi që prej vitit 2001, duke rekrutuar në të gjitha instancat njerëz të afërt me politikën që po ndërtohej aso kohe dhe po integrohej në institucione. Pra, ideja e kapjes është e planifikuar që drejtësia mos të funksionojë si duhet dhe e pavarur, që të mos jetë profesionale dhe e pandikuar, por të jetë e mbikëqyrur dhe nën kontrollin politik.

Kjo çështje mbetet edhe për një kohë të gjatë kështu si është, pa zhvillim pozitiv. Kjo do të vazhdojë akoma kështu dhe nuk ndryshon pa ndryshimin e qeverisjes në shtet. Nga qasjet tjera ndaj këtij problemi nuk ka gjë, si nga premtimet e kota që po bëhen, nuk ka gjë as nga rritja e pagave, sepse është vazhdimisht mbajtja nën kontroll i këtij sistemi. Tashmë është e qartë se kush ka ndikim të pandalshëm në sistem dhe këtë të vërtetë e dinë edhe institucionet ndërkombëtare, prandaj e kanë detyruar Kosovën të themelojë gjykatë të veçantë speciale”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Të paaftit dhe të korruptuarit, jashtë zyrave shtetërore

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi tha për “Kosova Sot” se Kosovës i duhet edhe shumë kohë për instalimin e shtetit ligjor, të drejtësisë së pavarur, sepse edhe më tutje de-fakto e de-jure politika e inkriminuar vazhdon të mbetet e lidhur me mafio-oligarkët që po bëjnë krimin e organizuar në Kosovë, si armiku më i madh që po kërcënon e shkatërron gjyqësorin, respektivisht cilësinë e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes interferimit e ndikimit direkt.

“Do të ishte e dobishme për vetëpastrimin e drejtësisë që të zëvendësohen sa më parë të korruptuarit dhe të paaftët e këtij sistemi në KGJK dhe KPK, me njerëz me integritet moral, etik dhe në nivel të lartë profesional. Siç dihet, dukuria më e përhapur dhe më e dëmshme e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë ka qenë dhe është kalbja morale e tyre, derisa kjo sëmundje ka prekur rëndë edhe pushtetarët tanë të lidhur me krimin e gjyqësorin”, u shpreh ai. “Do të duhej që të verifikohej sa më parë e në hollësi përmes vetë pastrimit ligjor të VETTING-ut figura e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët i kanë “lidhjet” e tyre me botën e krimit dhe të politikës së lartë të inkriminuar dhe kanë bërë pasuri të pajustifikueshme përrallore”, potencoi Kelmendi. Sipas tij, VETTING-u është zgjidhja e vetme.

Kelmendi: VETTING-u është zgjidhje e vetme!

“Edhe përkundër gjendjes besoj se Kosova ka njerëz, të cilët do të kishin guximin të mos ndikoheshin nga politika dhe nëntoka kriminale dhe të bënin një përzgjedhje të duhur të personave profesionistë, të pakorruptuar e me etikë e integritet profesional për sistemin e drejtësisë.

VETTING-u është zgjidhje e vetme, madje mendoj i detyrueshëm dhe i pashmangshëm dhe pse ky proces duhet të bëhet nga profesionistë ndërkombëtarë, e kurrsesi nga njerëz të sistemit të kalbur brenda në drejtësi dhe jashtë saj në politikën e inkriminuar.

Vetëm me staf ndërkombëtar, siç është FBI-ja amerikane, të angazhuar enkas për këtë proces do të zbardheshin pasuritë milionëshe të paraqitura e shumë të tjera të padeklaruara të gjyqtarëve dhe prokurorëve e politikanëve, mafio-oligarkëve të lidhur me ta”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)