Hidromorava

Pas 33 vitesh hiqet emri i diktatorit Enver Hoxha

/ 3 minuta lexim

Për rreth 35 vite, beratasit dhe kushdo që hynte në qytetin e Beratit dallonte në malin e Shpiragut parullën me emrin ENVER. Germat e mëdha dukeshin me kilometra larg, falë punës disavjeçare për të realizuar një vepër që u gdhend në shkëmb.

Por, prej 1 jave emri i diktatorit nuk është më. Një grup të rinjsh janë ngjitur në lartësitë e Shpiragut për t’i thënë “Kurrë” atij sistemi. Ata kanë nisur punën për të zëvendësuar emrin e Enver Hoxhës me fjalën anglisht NEVER. Për këtë kanë gjetur dhe mbështetjen e pushtetarëve vendorë, raporton Panorama.

Pas ndryshimit të dy shkronjave të para, puna ka mbetur tek pastrimi dhe mbushja me gëlqere dhe pllaka të germës së fundit R.
Nismëtarët e këtij ndryshimi i përkasin shtëpisë kinematografike “Debatik Center Production Distribution”, të kryesuar nga profesori Armando Lulaj, i cili ka studiuar për art kinematografik.

“Iniciativën e ndërmorëm për të ndryshuar një parullë që simbolizonte izolimin e pashembullt të shoqërisë shqiptare dhe të tregojmë se shoqëria nuk duhet të bëhet pre e kompromisit të një shteti të kalbëzuar”, u shpreh Lulaj.

Hidromorava

“Për të kryer këto ndryshime kemi pasur ndihmë nga disa bashkëpunëtorë personalë të mi, të shtëpisë kinematografike dhe mbështetje nga komuna Sinjë dhe Bashkia e Urës–Vajgurore. Është për t’u vlerësuar ndihma e dy miqve të mi, kryetarit të Bashkisë Urë–Vajgurore, Syrja Ormenaj dhe kryetarit të komunës Sinjë, Pelivan Sina, të cilët më kanë dhënë një mbështetje të gjithanshme”, shtoi ai.

Parulla me emrin Enver është realizuar në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 për të nderuar udhëheqësin komunist të Shqipërisë. Pas mbërritjes së demokracisë, shumë parti të ndryshme me militantët e tyre kërkuan që 5 germat e mëdha me dimensione 150 metra të gjata dhe 50 metra të gjëra, të shkatërroheshin.
Për eliminimin e tyre u arrit dhe përdorimi i lëndëve plasëse, megjithatë as nëpërmjet tyre nuk mund të prishej parulla e gdhendur në shpatin malor të Shpiragut, pikërisht në 5 prej 12 brinjëve të malit, në afërsi të fshatit Paftan.

Mësohet se fillimisht të rinjtë kanë pastruar zonën nga shkurret dhe më pas kanë rimbushur germat, duke arritur vetëm të zëvendësojnë dy të parat, çka i korrespondonte më së miri fjalës kurrë në anglisht.