RCCOLA

Partitë kosovare, si sindikatat e mafisë

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Njohës të rrethanave politike në vendin tonë janë të shqetësuar se deri kur zhvillimi i lirë i veprimtarisë së bizneseve private në Kosovë do të sfidohet dhe kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike, konkretisht me partitë në pushtet, qofshin në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal.

Salihaj: Për të krijuar monopol në zhvatje dhe hajni të llojllojshme, pushtetarët janë lidhur edhe me oligarkët ekonomikë, të cilëve u kanë krijuar mundësi monopoli, në mënyrë që më vonë t’ua “lagin fytin’, siç u bë publike në aferën e përgjimeve “Pronto”

“Në Kosovë ky krim është legalizuar përmes (pseudo)partive politike, të cilat, në fakt, ngjajnë në sindikata të mafive në Sicili. Ky krim i organizuar dhe i legalizuar do të sundojë derisa qytetarët të ndërgjegjësohen për të mos i votuar më. Prokurorët nuk i mbyllin sytë, ata po i mbajnë hapur, që të pengojnë të mos penalizohet asnjë pushtetar kriminel, meqë ata i kanë caktuar prokurorët”, potencoi analisti politik Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike në vendin tonë janë të shqetësuar se deri kur zhvillimi i lirë i veprimtarisë së bizneseve private në Kosovë do të sfidohet dhe kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike, konkretisht me partitë në pushtet, qofshin në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal.

Veç saj, analistët politikë dhe qytetarët tanë me të drejtë po pyesin se deri kur mafio-oligarkët e nëntokës kriminale do ta dirigjojnë dhe kontrollojnë pushtetin politik dhe jo vetëm. Analistët pyesin se përse prokuroria i mbyll sytë para këtyre bizneseve të mafio-oligarkëve, ku bashkë-aksionarë kryesorë janë pushtetarët e nivelit të lartë dhe realisht këto biznese janë mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe zhvatin qytetarët në baza ditore, qoftë përmes monopoleve kriminale, qoftë përmes tenderëve dhe formave të tjera të krimit të organizuar. Analisti politik Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot” tha se kur shtetin e kap krimi i organizuar, bizneset nuk e kanë lirinë ligjore për ushtrim të veprimtarisë së tyre.“Në Kosovë ky krim është legalizuar përmes (pseudo) partive politike, të cilat, në fakt, ngjajnë në sindikata të mafive në Sicili. Ky krim i organizuar dhe i legalizuar do të sundojë derisa qytetarët të ndërgjegjësohen për të mos i votuar më. Prokurorët nuk mbyllin sytë, ata po i mbajnë hapur, që të pengojnë të mos penalizohet asnjë pushtetar kriminel, meqë ata i kanë caktuar prokurorët”, potencoi ai.

Zhvatje dhe hajni

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj (LDK), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se mafia politike e Kosovës, përveç të gjitha sferave të tjera të shtetit, kapi edhe ekonominë. “Mafia e pushtetarëve, me paratë e vjedhura dhe me kapitalin e fituar me kontrabandë, hapi firma të llojllojshme në emër të personave anonimë. Kjo është mënyra e tyre për t’i pastruar paratë e fituara me krim si dhe për ripërtërirjen e kapitalit”, u shpreh ai. “Persona anonimë, të cilët nuk kishin asgjë, përnjëherë u bënë të pasur dhe filluan qarkullimin me miliona. Të gjitha këto, në fakt nuk janë firma të tyre, por të politikanëve dhe mafiozëve të llojllojshëm, të regjistruara në emër të personave të tjerë. Tash, së fundi, u zbuluan edhe firma që ia kanë zhvatur më tepër se 11 milionë euro telekomit të Kosovës, pronarët e të cilave dolën se kanë lidhje familjare me kapon e organizatës kriminale SHIK”, potencoi ai.“Për të krijuar monopol në zhvatje dhe hajni të llojllojshme, pushtetarët janë lidhur edhe me oligarkët ekonomikë, të cilëve u kanë krijuar mundësi monopoli, në mënyrë që më vonë t’ua lagin fytin, siç u bë publike në aferën e përgjimeve “Pronto”. Në gjithë këtë krim që ka mbuluar Kosovën, janë përfshirë edhe organet e drejtësisë, kështu që kriminelët e të gjitha llojeve tash e kanë sallamadi, sepse ata kanë në shërbim të tyre organet e ndjekjes, zbulimit dhe të drejtësisë”, ka vlerësuar Salihaj.

Hidromorava

Aliu: Qeveritë e rrënuan tregun

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, pyet se a thua veprimtaria e bizneseve private në Kosovë deri kur do të sfidohet dhe kushtëzohet, zhvillimi i lirë, nga vendosja e raporteve me partitë politike, konkretisht me partitë politike në pushtet, qofshin ato në nivelin qendror apo atij lokal, vetëm a thua se deri kur mafio-oligarkët e nëntokës kriminale do ta dirigjojnë dhe kontrollojnë pushtetin politik? Përse prokuroria vazhdimisht i mbyll sytë para këtyre bizneseve të mafio-oligarkëve, ku bashkaksionarë kryesorë janë pushtetarët e nivelit të lartë dhe realisht këto biznese janë mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke zhvatur qytetarët, në baza ditore, qoftë përmes monopoleve kriminale, qoftë përmes tenderëve dhe formave të tjera, të krimit të organizuar? Është për keqardhje se përse të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe qeverinë aktuale, dështuan që të garantojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme, edhe pse janë dorëzuar e nënshtruar të gjitha institucionet para mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët i kanë kapur të gjitha institucionet”, u shpreh ai.

Shkodra: Anarkia ligjore favorizon monopolet

Analisti politik Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot” thotë se shumë ankesa ka kur flitet për monopolet në biznese private. “Krejt kjo rrjedh ngase ligji nuk funksionon. Gjykatat janë të heshtura. Janë të paafta nga politika që e krijon koalicioni aktual i cilitdo që vjen në pushtet. Pra, abuzimet janë ashiqare, krejtësisht për interesat e oligarkëve. Vrapi për t’u ngritur në pushtet është edhe poenta kryesore, për të përfituar grupet e interesit dhe jo për të shtrirë një baraspeshë në tregun ekonomik. Këtu s’merr vesh njeriu, kë duhet paditur, gjykatat për mosfunksionimin e tyre me ligj, apo pushtetin politik. Ky veprim i tillë do të duhej të merrte fund sa më parë, por fatkeqësisht partitë politike tashmë po vijojnë me një apetit dhe me një sjellje tradicionale, të ushtruar njëra pas tjetrës si diçka e arsyeshme përkundrejt ligjeve, që mbeten të paushtruara në praktikë”, theksoi ai.

Qytetarët të zhgënjyer nga shteti mafioz

Edhe qytetarët e anketuar janë të zhgënjyer me ndikimin e mafiozëve në shtet. Kësisoj, qytetari Xhevat Prebreza nga Prishtina për gazetën “Kosova Sot” thotë se sot për sot është një vështirësi shumë e madhe për të bërë biznes të ndershëm, ngase e tëra kjo po ndodh nga ndikimi i politikës në bërjen e tij biznesit të madh e të vogël, qoftë ai biznes bujqësor apo në ndonjërën nga sferat e ekonomisë.“Gjendja është e tillë dhe kjo ka bërë që ekonomia e Kosovës të pësojë shumë në rënien e saj për shkak të ndikimit të tepërt të politikës në bërjen e biznesit. Sepse, duhet thënë troç se të bësh sot biznes në Kosovë nëse nuk ke ndonjë lidhje me politikën dhe politikanët e lartë vërtet është shumë-shumë e vështirë që të bësh një biznes të ndershëm dhe veprimtari private”, theksoi ai. Ndërsa, qytetari Lutfi Rexhepi nga Podujeva për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk është e pamundur që të bësh biznes, por është shumë e rëndë.“Të jesh sot biznes i ndershëm është shumë e vështirë, sepse ekonomia e lirë apo ajo liberale e tregut sot paraqet vështirësi nëse prapa atij biznesi nuk qëndrojnë politikanët apo njerëzit e fuqishëm”, vlerësoi ai.“Duhet thënë troç se aktualisht ka ditë të vështira për bizneset e ndershme”, potencoi Rexhepi. Ai pret që pas dialogut me Serbinë ekonomia të dalë më në fund në plan të parë.

(Kosova Sot)