“Parku i ndarjes”
Nga Arbana Xharra – Ura e Ibrit e zaptuar sërish, madje lehtësisht, në prani të bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-it, EULEX-i edhe Policisë së Kosovës, rikonfirmon edhe njëherë se kjo pjesë e Kosovës me kontribuues të denjë vendorë dhe ndërkombëtarë po i rrit gjasat që të mbetet jashtë çdo sistemi juridik të vendit.
Forcat e sigurisë, të cilat në cilësinë e spektatorit, ruajtën serbët teksa sillnin materialet e nevojshme për të ndërtuar vazot e betonit përpara “Parkut të paqes”, pa ua prishur rehatinë, janë argument i mjaftueshëm, se ndarja nuk po betonohet, por se tashmë ajo është politikisht e betonuar.
Kurse garantuesit në vazhdimësi të krijimit të autonomisë serbe në Kosovë, po ata nënshkrues të çfarëdo marrëveshjeje që u është vendosur mbi tavolinë në dialog me Serbinë, dje kërkonin qetësi sepse, “se shpejt do ta bashkojnë Mitrovicën”. E po këta negociues të ndarjes, paralajmëronin heqjen e barrikadës, bile artificialisht “kërcënonin” edhe Brukselin, partnerin e tyre negociues me Beogradin.
Edita deklaroi se “nëse Brukseli nuk merr ndonjë vendim për këtë çështje, atëherë Qeveria e vendit do të ndërhyjë me autoritetin e saj ligjor”. Por një gjë mbetet e paqartë nga kjo deklaratë e Editës: për cilën qeveri flet ajo dhe për çfarë autoriteti ligjor? Të kujt ishin policët të pranishëm në momentet e rikthimit të barrikadës edhe kur u betonuan dy muret afër saj, të cilët nuk lëvizën vendin?
Nga ana tjetër vështruesit nga Suhadolli, ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, si duket iu desh një meritë para se të largohet nga pushteti, si një nga ministrat më skandalozë dhe të dështuar të Qeverisë Thaçi. Ai tha se “policia në bashkëpunim edhe me forcat e tjera ndërkombëtare të sigurisë është e vendosur që edhe kjo protestë ta kalojë pa ndonjë incident”. Megjithatë, protesta përfundoi me disa policë, protestues dhe gazetarë të lënduar, vetura të djegura dhe dhjetëra të arrestuar.
Rexhepi shtoi se “barrikada e rivendosur nga serbët nuk mund të largohet me protesta, por nga institucionet tona në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë”. Rikujton pozicionimin e qartë politik vendor, ku “gjithçka vendoset me ndërkombëtarët”, ashtu siç në praninë e tyre edhe u betonuan vazot-muret te “Parku i paqes”.
E në gjithë këtë situatë, kohë pas kohe shfaqej Bahtiri i Mitrovicës me deklaratat e tij, sa naive aq qesharake. Tendencat turpëruese, fillimisht për të marrë meritat e largimit të barrikadës e më pas ambiciet e tij prej “të fortit”, duke dhënë ultimatum për heqjen e tyre, e në fund kërkesa e tij për protestuesit “që të mos e rrënojnë procesin e bashkimit të Mitrovicën”.
Ndërkohë një tjetër realitet politik paraqitej matanë urës, kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, u bën me dije shqiptarëve se; “nuk i pyet kush për këtë territor të Kosovës”. Rakiq me komoditet fton shqiptarët të bisedojnë për mënyrën se si do të duket parku, ku fëmijët shqiptarë dhe ata serbë do të luajnë bashkë.

