KKVITI

Paratë kanë emër dhe mbiemër

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi – Ligji nuk i lejon Qeverisë së Kosovës që nga Fondi i Kursimeve të merr para sa të ketë dëshirë, madje as ato për të cilat thotë se nuk iu dihet pronari. Mund të bëjë vetëm huazime të përkohshme, kryesisht përmes shitjes së letrave me vlerë. Madje, edhe kjo varet se Trusti a dëshiron që të bëjë investime të këtilla.

Qeveria e Kosovës fillimisht don që të merr ca para, për të cilat Trusti për Kursime Pensionale (TKP) nuk po e ditka se të kujt janë, ndërsa më vonë, ka synim të merr edhe 400 milionë euro të tjera..

Mirëpo, këtu asgjë nuk është e sigurt. Krejt varet nga vullneti i meknaizmave vendimmarrës të Trustit se a dëshirojnë të investojnë në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës – me afat të caktuar të maturimit, me siguri të lartë dhe kthim me interes. Asnjë para e kursimtarëve nuk guxon ta ndryshoj pronësinë, madje, as ato për të cilat mendohet se nuk kanë pronarë.

Ligji i thotë qartë: kursimet pensionale janë të financuara nga kontributet e të punësuarve dhe punëdhënësve të tyre, si dhe të administruara e të investuara përmes FKPK-së. Sipas këtij sistemi, nga të gjithë banorët e punësuar të Kosovës dhe punëdhënësit e tyre kërkohet të paguajnë kontribute pensionale. Secili pjesëmarrës ka llogari individuale, në të cilën kreditohen kontributet si dhe kthimi nga investimet.

Pra, sipas ligjit, nuk ka pagesa anonime. Secili cent dihet se i kujt është dhe koha kur ai mund të bartet në shfrytëzim individual të kursimtarit. Ndërkaq, me ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji, Qeveria e Kosovës synon t’i bartë në buxhetin shtetit mbi nëntë milionë euro, të cilat nuk paskan pronarë. “Në rast se për kontributet përkatëse nuk identifikohen paguesit nga ana e Fondit dhe nuk ka as lajmërim nga ana e vet paguesve deri në gjashtë (6) vjet nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e Fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës”m thuhet në ligj. Por, nëse identifikohet ai që ka paguar kontribute, paratë i kthehen, duke përllogaritur interesin dhe fitimin që ka pasur Fondi gjatë kësaj periudhe.

Gjatë vitit 2015, Banka Qendrore e Kosovës kishte vërejtur se shuma e pa alokuar prej 10.8 milionë eurosh, nuk u është atribuuar llogarive të pjesëmarrësve. Fondi, gjatë gjithë vitit ka arritur që këtë shumë ta zbresë për 1.6 milionë euro dhe vazhdon të punojë që ajo të ulet tutje.

Si do që të jetëm as këto para nuk mund të kalojnë përfundimisht në arkën e shtetit, por duhet të trajtohen si borxh publik, deri në momentin kur përfundimisht nuk lajmërohet pronari i parasë. Ndërkaq, sipas ligjit aktual, por edhe ndryshimeve të propozuara, pronari, ose trashëguesi, mund të lajmërohet në cfarëdo kohe, qoftë edhe pas 100 vjetësh, po e zëmë.

FIDANISHTJA

Logjikisht paratë që administron Trusti nuk mund të jenë anonime, meqenëse ato paguhen nga punëmarrësi dhe punëdhënësi, me emër e mbiemër. Edhe nëse vdes pronari, atëherë dikush do t’i trashëgoj ato. Nga ana tjetër ky institucion nuk ka forma të tjera të grumbullimit të kursimeve, pos ndojë donacioni, i cili mund të ketë qëllim që të mbuloj shpenzimet operative.

Po ashtu, buxheti i Kosovës nuk mund të llogaritë aq shumë as në paratë e tjera, të cilat janë të investuara në mbi 30 shtete të botës, nga Zelanda e Re e deri në Amerikë dhe nga Afrika , në Azi e deri në Evropë. Nuk ka ligj, apo nen që TKP-në e detyron të investoj në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës. Ligji i krijon mundësinë që “përpjesëtimi maksimal i mjeteve të tërësishme të pensionit, që mund të investohen në mjetet e një emetuesi, duke përfshirë llogaritjen e mjeteve të personave të ndërlidhur, është pesë për qind për aksione, tridhjetë për qind në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës….”.

Për të gjitha këtu duhet të bëhet vlerësime kreditor “nga një agjenci e mirënjohur ndërkombëtarisht”.

Ndërkaq, duke ditur se Kosovës asnjëherë nuk i është bërë një vlerësim i tillë dhe nuk dihet se çfarë rreziku bartin letrat qeveritare, atëherë Bordi i Trustit mud të thotë se nuk duam të investojmë në këto letra qeveritare, meqenëse Kosova nuk ka vlerësim kreditor dhe nuk dihet se çfarë rreziku bartë ky investim. Teorikisht kjo është e mundur, por, një vendim i këtillë mund të jetë vetëm hipotetik, meqenëse qeveria gjen forma, qoftë edhe përmes trysnisë, që të merr nga fondi maksimumin që ligji e parasheh. Llogaritur sipas gjendjes aktuale nuk janë paka para – nga 1.4 miliardë euro te Qeveria e Kosovës mund të investohen 420 milionë euro. Madje, kjo shumë rritet secilin muaj

Tek e fundit, po të ofrohen garanci të forta, të bëhen inevstime në projekte me kthim të sigurt, atëherë pse këto para të mos inevstohen në Kosovë ? Pse prej tyre duhet të përiftojnë kompani nga tërë bota, e më së paku pronarët e kësaj paraje dhe vendi i origjinës së tyre ?

Sipas raportit të vitit të kaluar, nga afër 1.2 miliardë euro sa kishte Trusti në menaxhim, në Kosovë ka pasur vetëm 8.9 për qind të tyre. Prinë SHBA-ja, ku janë investuar 44.04 për qind të parasë, e pastaj Britania e Madhe – 10.70 për qind.

Ma merr mendja se secili nga 298 mijë kursimtarët aktiv sa janë aktualisht ka vullnet që përmes instrumentave të sigurtë të investoj në zhvillimin ekonomik të vendin dhe ngritjen e mirëqenies sociale të banorëve të saj. Por, ata nuk janë të bindur se mund të arrijnë këtë efekt, meqenëse synimet që ka Qeveria e Kosovës janë krjetësisht tjera. Ajo nuk ka prezentuar asnjë projekt që vërtetë mund të na bind se paratë nuk rrezikohen. Dhe, krejt skepticizmi për fatin e parasë bazohet në dy gjëra. E para – norma e ulët e zhvillimit ekonomik, në të cilen nuk mund të bazohet rritja e të hyrave në buxhet. Dhe, e dyta, struktura e shpenzimeve buxhetore është destimuluese për inevstitorët në letrat me vlerë, meqenëse qeveria përmes emetimit të tyre synon ta zbutë ndryshimin ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve, i cili po thellohet për shkak të kostos së lartë të kategorive sociale. Këto kategori etëm shpenzojnë dhe nuk ofrojnë kthim. Për këtë arsye edhe rreziku është i lartë.