Paratë e qeverisë në llogarinë e investimeve të huaja

Shifrat mbi rritjen e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë (IHD) dukën të mos jenë reale. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e IHD-ve në gjysmën e parë të këtij viti kanë arritur vlerën e 143.4 milionë eurove, që paraqet rritje vjetore prej 66.4 për qind.
“Të gjitha komponentët e IHD-ve shënuan rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e BQK-së. Mirëpo këto shifra kontestohen nga njohësit e ekonomisë. Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, ka thënë për Tribuna se rritja e investimeve të huaja në Kosove është lajm i mirë, mirëpo këto të dhëna duhet të merren me rezerva.
“Në përllogaritjen e investimeve të huaja direkte BQK llogarit edhe investimet në infrastrukturën publike, të cilat paguhen nga Buxheti i Kosovës, por implementohen nga kompani të huaja. Për shembull, investimi prej mbi 200 milionë euro i Qeverisë së Kosovës në autostradë Morinë-Prishtinë konsiderohet si investim i huaj. Kjo është absurde, ngase këto mjete buxhetore ndahen nga fondet publike. E dyta, për tërë këto vite, IHD-të kanë qenë të ndërlidhura me privatizimin, njëherë privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore e pastaj i ndërmarrjeve publike, dhe IHD-të nuk do duhej te shikoheshin vetëm nga prizmi i privatizimit, por IHD duhet e ndërlidhen me ambientin e të berit biznes dhe me ekonominë e gjithëmbarshme”, ka thënë Demi…(Tribuna).