Paraqitjet e shqiptarëve në ligat evropiane në këtë fundjavë
Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Alban Meha, ka dy arsye të forta që t’i gëzohet golit të shënuar për skuadrën e tij Paderborn, që mposhti në udhëtim Hannoverin me rezultatin 2:1. Arsyeja e parë është që me golin e tij të shënuar në minutën e 79-të ia siguroi një fitore të rëndësishme Paderbornit në Bundesliga 1 të Gjermanisë. E dyta, që goli i tij u shënua pas një kohe të gjatë nga goditja e dënimit. Meha 28-vjeçar luajti gjatë gjithë ndeshjes së zhvilluar të dielën në kuadër të xhiros së 21-të të elitës së futbollit të Gjermanisë.
“Koha Ditore” sjell përmbledhjen e paraqitjeve të lojtarëve shqiptarë nëpër Evropë.
Alban Meha
Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Alban Meha, ka dy arsye të forta që t’i gëzohet golit të shënuar për skuadrën e tij Paderborn, që mposhti në udhëtim Hannoverin me rezultatin 2:1. Arsyeja e parë është që me golin e tij të shënuar në minutën e 79-të ia siguroi një fitore të rëndësishme Paderbornit në Bundesliga 1 të Gjermanisë. E dyta, që goli i tij u shënua pas një kohe të gjatë nga goditja e dënimit. Meha 28-vjeçar luajti gjatë gjithë ndeshjes së zhvilluar të dielën në kuadër të xhiros së 21-të të elitës së futbollit të Gjermanisë.
Xherdan Shaqiri
Ndërkohë po të dielën golin e parë në Serie A e shënoi mesfushori kosovar Xherdan Shaqiri. Ai në fitoren e Interit 4:1 ndaj Atalantës realizoi në minutën e dytë nga penalltia, transmeton koha.net. Reprezentuesi i Zvicrës pati edhe një asistim. Shaqiri më herët ka shënuar edhe në garën për Kupë të Italisë.
Mustafi i plotë në fitore
Mbrojtësi shqiptar i përfaqësueses së Gjermanisë, Shkodran Mustafi, ka luajtur gjatë gjithë ndeshjes te Valencia që mposhti Getafen me rezultatin 1:0. Ndeshja ndërmjet Valencias e Getafes u zhvillua të dielën dhe i ka takuar xhiros së 23-të të kampionatit të Spanjës. Me këtë fitore Valencia forcohet në pozitën e katërt me 47 pikë. Për Mustafin 22-vjeçar kjo ishte paraqitja e 19-të në elitën e futbollit spanjoll. Ai në 19 paraqitje ka shënuar tre gola dhe ka kontribuar me një asistim.
Hysaj vazhdon me asistime
Mbrojtësi i krahut Elseid Hysaj ka vazhduar të kontribuojë me asistime për skuadrën e Empolit. Hysaj të dielën asistoi për golin e barazimit në përballje me Milanin (1:1). Ai në këtë ndeshje të zhvilluar në kuadër të xhiros së 23-të të Serie A, asistoi në minutën e 68-të. Hysaj 20-vjeçar asistoi edhe në ndeshjen e kaluar që Empoli e fitoi 2:0 ndaj Cesenas, shkruan Koha Ditore. Empoli mbetet në pozitën e 14-të me 24 pikë. Hysaj në Serie A të Italisë këtë edicion ka luajtur në 24 ndeshje me fanellën e Empolit.
Berisha nuk mposhtet
Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, e ka mbyllur ndeshjen pa pësuar asnjë gol. Berisha mbrojti gjatë gjithë ndeshjes te Lazio që të dielën mposhti Udinesen me rezultatin 1:0. Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së 23-të të kampionatit italian, Serie A. Me këtë fitore Lazio mbetet në pozitën e pestë me 37 pikë. Në stol te Lazio ishte portieri tjetër shqiptar Thoma Strakosha, kurse mungoi mbrojtësi kosovar Lorik Cana për shkak të suspendimit. Berisha 25-vjeçar me fanellën e Lazios këtë edicion ka zhvilluar tetë ndeshje.
Hetemaj “zverdhet” në fitore
Mesfushori kosovar, Përparim Hetemaj, është ndëshkuar me karton të verdhë në fitoren e skuadrës së tij Chievo ndaj Sampdorias me rezultatin 2:1. Ai me karton të verdhë u ndëshkua në minutën e 82-të, derisa luajti gjatë gjithë ndeshjes së zhvilluar të dielën në kuadër të xhiros së 23-të të kampionatit italian, Serie A. Me këtë fitore Chievo është ngritur në pozitën e 15-të me 24 pikë. Për reprezentuesin e Finlandës kjo ishte ndeshja e 21-të e zhvilluar me fanellën e Chievos. Ai ka kontribuar edhe me një asistim.
Lenjani starton në humbje
Mesfushori kosovar, Ermir Lenjani, ka luajtur vetëm një pjesë në humbjen që skuadra e tij e ka pësuar nga Toulouse me rezultatin 2:1. Reprezentuesi i Shqipërisë luajti vetëm në pjesën e parë në këtë ndeshje të luajtur të shtunën në kuadër të xhiros së 25-të të elitës së futbollit të Francës, shkruan Koha Ditore. Pas 25 ndeshjeve të zhvilluara Rennes zë vendin e 12-të me 31 pikë.
Gashi nuk ka të ndalur
Sulmuesi Shkëlzen Gashi nuk ka të ndalur në Zvicër. Ai të shtunën shënoi golin e vetëm për Baselin që barazoi 1:1 me Sionin. Gashi shënoi në minutën e 68-të.
Roshi shënon për tri pikë
Mesfushori i krahut Odise Roshi ka shënuar gol të bukur për t’i siguruar tri pikë FSV Frankfurtit. Frankfurti fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Leipzigut të dielën në kuadër të xhiros së 21-të të Bundesliga 2, përcjell koha.net. Golin e vetëm në ndeshje Roshi e shënoi në minutën e 58-të.
Valon Berisha kthehet me fitore
Mesfushori Valon Berisha është kthyer me fitore nga lëndimi i gjurit që e mbajti jashtë fushës për plot tetë muaj. Berisha të shtunën mbrëma luajti prej minutës së 81-të për Salzburgun që fitoi 2:0 në udhëtim kundër Wiener Neustadt.
Bytyqi, rezervist në fitoren e Cambuurit
Mesfushori ofensiv, Sinan Bytyqi, është inkuadruar në fitoren e skuadrës holandeze Cambuur ndaj Heerenveenit me rezultatin 2:1. Për Bytyqin 20-vjeçar kjo ishte paraqitja e shtatë në “Eredivisie” të Holandës.


