RCCOLA

Paralizohet UP-ja

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Universiteti i Prishtinës është paralizuar. Vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së për t’i kufizuar të drejtat e menaxhmentit të këtij universiteti për përdorim të buxhetit dhe marrjen e vendimeve tjera të rëndësishme, ka bërë që të bllokohet puna dhe funksionimi normal i universitetit më të madh publik në vend

Udhëheqës të financave në UP thonë se ky vendim do ta paralizojë punën në këtë universitet, duke filluar që nga mosdhënia e pagave, investimet kapitale… dhe se ky vendim është i palogjikshëm, shkruan “Zëri”.

Vendimi i KD-së, sipas burimeve të “Zërit”, ka ngjallur pakënaqësi te një pjesë e Senatit, ndërlidhur sidomos me zgjedhjen e personelit akademik, e cila është kufizuar nga KD me arsyetimin se ka po ashtu implikime buxhetore.

“Ky vendim i KD-së është ndërmarrë tani kur pritet të publikohen edhe rezultatet e kandidatëve që kanë aplikuar për studime të doktoratës dhe kur pritet të mbahen zgjedhjet e reja. Prandaj, ky vendim është kryekëput për interesa”, thotë ky burim. Madje, ky burim ka paralajmëruar një mbledhje urgjente të Senatit lidhur me këtë çështje.

Për të ftohur gjakrat ndërmjet krerëve të udhëheqjes së UP-së dhe atyre të KD-së është paralajmëruar ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën për gazetën drejtori i Departamentit për Arsimin e Lartë në MASHT, Naim Hasani.

Ai ka deklaruar se nuk është e përcaktuar me statut që t’i merren kompetencat menaxhmentit të UP-së, por, sipas tij, kjo do të duhej bërë sipas një rregulloreje të KD-së. Hasani ka thënë se nga KD-ja nuk kanë marrë ndonjë vendim për kufizim të kompetencave të menaxhmentit të UP-së.

ARKATANA

Ndërkaq, anëtari i KD-së, Milazim Krasniqi, ka thënë se vendimi është marrë në përputhje me kompetencat e këtij këshilli, i cili, sipas tij, është përgjegjës për të gjitha mënyrat e harxhimit të parasë-buxhetit.

Krasniqi ka mohuar se i është marrë ndonjë kompetencë Senatit, përkundrazi ka thënë se pranimi i stafit të ri akademik ka komplikime financiare në buxhet. Ai ka theksuar se KD-ja ka për qëllim që menaxhmenti i ri (që do të zgjidhet brenda një muaji) kur ta marrë detyrën të mos ketë komplikime buxhetore. “Nuk ka as qeveri dhe as menaxhment që bën investime kapitale në tri javët e fundit të mandatit të vet”.

Mirëpo, dy prorektorët e UP-së ai për burime dhe infrastrukturë Enver Kutllovci dhe për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, kanë thënë se mbrapa këtij vendimi ka qëllime tjera. Kutllovci e quan këtë vendim një hap-qëllim “më afër shpisë” tani në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në këtë universitet.

Sipas tij, në KD është paraqitur projekt-propozimi i buxhetit për vitin 2012, ku dhe është aprovuar.

“Ai buxhet i 17 njësive akademike është ndarë për secilën njësi, shuma e caktuar që në vete ngërthen projektet që kanë rreth investimeve kapitale, shpenzimeve në mallra e shërbime, paga, meditje, shpenzime komunale etj… Mendoj që është jologjike që të merret një vendim që të stopohen të gjitha aktivitetet që duhet të rrjedhin në mënyrë normale”, ka thënë Kutllovci.

Ai ka këmbëngulur se menaxhmenti i tashëm është kompetent që t’i kryejë këto aktivitete deri më 1 tetor. E prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, vendimin e KD-së e sheh më shumë si një revoltë të anëtarëve të këtij këshilli që nuk i morën me vete në New York. /Telegrafi/