Paralajmërimi për grevë, SBASHK-u: Nesër nuk do të ketë fillim të veprimeve sindikale

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), më 2 prill mbajti Kongresin e Tetë në të cilin u vendos që më 8 prill të protestohet, ku pastaj u paralajmërua edhe grevë në të gjitha institucionet arsimore pas datës 20 prill.

Por për veprime të tilla sindikale, SBASHK-u ende nuk ka vendosur. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj tha për Telegrafin se nesër nuk do të ketë fillim të veprimeve sindikale.

“Nesër nuk do të ketë fillim të veprimeve sindikale, pas kësaj date unë konsultohem me kryesinë dhe thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues ku janë përfaqësues tani të gjitha institucioneve arsimore, pastaj ata vendosin sesi do të duket skenari i veprimeve sindikale”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka shtuar se vendimi i Kongresit ka qenë që të obligohet kryetari dhe kryesia e SBASHK-ut që të përdorë të gjitha veprimet por të pres deri më 20 prill nëse ka dialog, lidhur me kërkesat e tyre.

“Kongresi nuk ka caktuar datë konkrete për veprime sindikale por ka saktësuar 8 prillin që kemi mbajt protestën dhe ka saktësuar që nga kjo datë deri më 20 prill të pritet nëse do të ketë mundësi për dialog, dhe nëse ndodh kjo atëherë nuk shkohet për veprime sindikale”, u shpreh Jasharaj.

Jasharaj theksoi se i mbetet Këshillit Drejtues që të vendos se si do të duken veprimet sindikale nëse vendoset që të shkohet me to pas ditës së nesërme (20 prill).

UBT

“Pra, nesër nuk ka asnjë veprim sindikal, por është data e caktuar nga Kongresi që të pritet deri atëherë, dhe pas kësaj date atëherë i mbetet Këshillit Drejtues që në bazë të vendimit të Kongresit të definoj qartë si do të duken veprimet sindikale a do të jenë të përshkallëzuara, apo do të shkohet në grevë të përgjithshme”, tha Jasharaj.

Kujtojmë se pas mbledhjes së Kongresit të mbajtur më 2 prill 2022, Jashraj kishte deklaruar që Qeveria ka hapësira nga data 8 deri më 20 prill, që t’i plotësojë kërkesat e tyre, në të kundërtën do të hyjë në greva.

“Më 8 prill do të shkojmë në një protestë, besoj me numër të kufizuar për të mos e tepruar me numrin, ngase mund të ketë edhe probleme të tjera… Pas 20 prillit, unë siç po e shoh nuk do të ketë rezultate nga pritjet. Atëherë pas 20 prillit do të fillohet me grevë, nuk do të ketë më protesta, po flas me autoritet të plotë vetëm me SBASHK-un. Nëse deri më 20 prill, pas 8 prillit nuk do të ketë asnjë lëvizje pozitive, atëherë sistemi arsimor që nga çerdhet deri te universitet, por edhe institucionet e kulturës, do të jenë në grevë, pikërisht për dy kërkesa: Pse nuk po na japin nga 100 euro mbështetje, për shkak të ngritjes së vazhdueshme të çmimeve deri në Ligjin e pagave dhe, pse nuk jemi të përfshirë në mënyrë aktive dhe të barabartë me Qeverinë në Ligjin e pagave”, kishte deklaruar Jasharaj.

Ndryshe, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci kishte deklaruar se nuk është koha për greva të cilët janë paralajmëruar nga SBAShK-u. Sipas saj, Qeveria e Kosovës po punon shumë dhe grevat e protestat janë të panevojshme për shkak të humbjeve në mësim të nxënësve.

“Unë nuk besoj që është koha për greva, Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë. Humbjet tek nxënësit kanë qenë të mëdha, kështu që besoj që bashkë me të gjithë mësimdhënësit dhe SBAShK-un duhet të japin maksimumin për fëmijët tanë. Ka shumë nevojë për përmirësim të rezultateve në arsim”, kishte deklaruar Nagavci. /Telegrafi/