Parajsa e gangsterëve
Deputetët e PDK’së dhe të Vetëvendosjes, Latif Gashi, Bekim Haxhiu –Kamishi Rexhep Selimi e Florin Krasniqi, të enjten në mesditë e shndërruan Kuvendin e Kosovës në arenë gangsterësh. Sebep i kësaj nuk ishte ndonjë kauzë fisnike e tyre, por një konflikt banal.
Për rrahjen, ata fajësuan njëri -tjetrin. Kamishi, që përfundoi me shenja në fytyrë, tha se u sulmua nga tre deputetë të Vetëvendosjes dhe truprojat e tyre.
Në oborrin e Kuvendit të Kosovës krisën grushtet ndërmjet ish komandantëve të UÇK së në Partinë Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.
Sherri plasi pas disa deklaratave të Rexhep Selimit për SHIK`un, gjë që i sollën atij tre grushte turinjve nga Latif Gashi.
Të paktën ky është rrëfimi që e ka dhënë për Express në orët e vona të së enjtes Latif Gashi, ish pjesëtar i SHIK.
Në pamundësi për t`ia kthyer Gashit grushtet, taksirati e ka zënë Bekim Haxhiun- Kamishin i cili tha se u zë në pritë, i vetëm nga tre deputetët e Vetëvendosjes- Rexhep Selimi, Florim Krasniqi Visar Ymeri e disa të tjerë.
Kamishi thotë është përleshur me së paku tetë persona në oborrin e Kuvendit, përderisa kishte shkuar për ta mbyllur veturën e Latif Gashit.
“Më zunë në pritë”, tha Kamishi për gazetë.
Ai gjithçka kishte pritur, por jo edhe goditjen ndaj tij nga bashkëluftëtari Rexhep Selimi.
Por, në anën tjetër, Rexhep Selimi thotë se është sulmuar nga SHIK’u dhe prandaj i është përgjigjur fizikisht.
“Më plasi barku me këtë SHIK, prandaj edhe u përgjigja fizikisht”, thotë ish komandanti i UÇK, tash deputet i Vetëvendosjes.
E Latif Gashi ka rrëfyer se deputetët e Vetëvendosjes, sipas tij, po mundohen ta fusin në Kuvendin e Kosovës politikën e rrugaçëve.
“Askush deri më tash s’e ka prekur me dorë Latif Gashin. Rexhep Selimi më ka fyer dhe ka tentuar të më sulmojë. Por, sulmin e tij e kam zmbraps. Ai e ka nis krejt këtë, më vjen keq për këtë që ka ndodhë, por vetë e ka lyp.
Gashi ka thënë për Express se në shenjë hakmarrjeje që nuk kanë mundur ta sulmojnë atë, e kanë sulmuar deputetin Bekim Haxhiu, i cili më shumë është munduar ta qetësojë situatën.
“Këtë e kanë bërë deputeti Rexhep Selimi, Florin Krasniqi, Visar Ymeri dhe plot truproja të tyre. Atë e kanë sulmuar derisa ka qenë te vetura ime në parking”, ka thënë Latif Gashi.
E Latif Gashi ka pasur edhe një shpjegim për atë se çfarë ka ndodhur të enjten në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
“Krejt kjo po ndodh në shenjë revolte për humbjen që kanë pësuar në Kaçanik dhe Ferizaj. Ata po mundohen që me çdo kusht të marrin pushtetin me dhunë”, tha Gashi për Express.
Përleshja në mes Gashit dhe Selimit ka ndodhur në prani të deputetes Blerta Deliu, një ish gazetareje, por kishte edhe dëshmitarë tjerë.
Një prej tyre që deshi të mbetej anonim ka treguar për Express së Latif Gashi dhe Rexhep Selimi fillimisht kanë zhvilluar një dialog të nxehtë.
“Rexha i ka fol Latifit diçka për polici sekrete. Lata e ka pyetur ‘e ke fjalën për policinë e juve a tonën’. Pastaj Rexha i ka thënë Latës se jeni spiunë të të gjithëve. Kjo e ka nervozuar Latën, i cili i ka thënë Rexhës që të ketë kujdes së këto janë akuza të rënda dhe duhen adresuar diku tjetër. Pas kësaj kanë filluar grushtet në mes dy deputetëve”, ka treguar dëshmitari.
VV: Pasojat e SHIK`ut
“Të enjten, pa provokimin më të vogël, deputeti Latif Gashi është munduar ta kërcënojë deputetin Rexhep Selimi që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media. Ndoshta përvoja e Gashit nga SHIK-u e bën të mendojë se ai mund t’i ndalë të tjerët të mos flasin, e bën të mendojë se mund t’i kërcënojë të tjerët”, thuhet në reagimin e VV.
KDI: Incidenti dëmton imazhin e Kosovës
“Dhuna që shpërtheu në ambientet e Kuvendit të Kosovës, së pari mes deputetit Latif Gashi dhe Rexhep Selimi e pastaj edhe mes deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiu, e ka historinë e vet dhe buron pikërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare”, thuhet në reagimin e KDI.(Express)