RCCOLA

Paqeruajtësit e Kosovës trajnohen për t’u ballafaquar me protestat

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Trupat e NATO-s që drejtohen në Kosovë, marrin trajnime speciale për mbajtjen nën kontroll të trazirave, përfshirë edhe udhëzimet se si ta mbrojnë veten kur koktejet e molotovit hidhen tek ta gjatë përleshjeve të dhunshme me protestuesit.

Majori Douglas Holt, udhëheqësi kryesor i ushtrimeve KFOR 18 (i quajtur kështu për shkak se është hera e 18-të që këto trajnime janë mbajtur), tha se stërvitja në Qendrën e Përbashkët të Gatishmërisë Shumëkombëshe, në Hohenfels të Gjermanisë – për kontingjentin e paqeruajtësve që do të vijnë – përdorë skenarë të botës reale që e bëjnë forcën shumëkombëshe të gatshme për të vepruar në një zonë të botës që mbetet ende një pikë e nxehtë për tensione etnike dhe protesta të dhunshme politike, raporton Stars and Stripes, transmeton Telegrafi.

Si pjesë e trajnimit, trajnuesit portugez të fobisë së zjarrit do të ushtrojnë trupat se si të përballojnë frikën nga zjarri, shpjegon Holt.

“Trazirat e turmave shpesh përfshijnë koktej molotovi dhe gjëra të tilla. Kështu, portugezët njësisë i japin aftësi se si të përgjigjen ndaj këtyre mjeteve, si ta mbajnë njësitin e tyre të sigurt dhe se si ta ushtrojnë disiplinën përballë kësaj frike”, shton ai.

Mobi Casa

Edhe pse ushtria amerikane është duke reduktuar praninë e saj në Evropë për shkak të ndryshimit të fokusit strategjik dhe të pakësimit të programeve për shkak të shkurtimeve buxhetore, Komanda e Përbashkët e Trajnimit Shumëkombësh në Hohenfels, mbetet e fuqishme, duke organizuar dhjetëra trajnime në vit. Trajnimi i Forcës së Kosovës, që vazhdon deri në fund të janarit, është një nga më të mëdhenjtë.

KFOR-i ka qenë në Kosovë që nga viti 1999, kur NATO largoi forcat serbe nga rajoni që është i banuar kryesisht me shqiptarë etnikë. Që atëherë, numrat e KFOR-it janë tkurrur në mënyrë të vazhdueshme në rreth 4,700 trupa nga 32 shtete. Në mesin e atyre të përfshirë në trajnim janë 725 amerikanë. Garda Kombëtare e Virginias dhe Marylandit nga Divizioni i 29-të i Këmbësorisë, që janë pjesë e atij kontingjenti, do të veprojnë si udhëheqës të grupit të betejës, teksa mbahen trajnimet.

Edhe pse tensionet ndëretnike në mes të qeverisë kryesisht shqiptare të Kosovës dhe pakicës serbe janë pakësuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, mundësia e protestave dhe trazirave mbetet konstante.

“Ky trajnim është mundësia e tyre e fundit për ta për të bërë një gabim”, tha Don Mills, projektues për KFOR 18. “Herën tjetër që ata do të kenë mundësinë të provojnë diçka është kur janë në terren”. /Telegrafi/