Fundamenti

Paqartësi për zgjedhjen e Presidentit

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Partitë politike ende nuk e kanë të qartë se si do të zgjedhet Presidenti i vendit, pavarësisht se Komisioni për Reformën Kushtetuese 6 muaj më parë dorëzoi amendamentet që një gjë e tillë të bëhet me votë të drejtpërdrejtë. Në LDK dhe AKR thonë se e duan Presidentin nga votat e popullit, ndërsa në PDK dhe AAK ende janë të pavendosur.

Partitë kryesore ende nuk e dinë se si do të zgjedhet Presidenti i vendit, pavarësisht se Komisioni për Reformën Kushtetuese tashmë ka kryer ndryshimet e nevojshme, që i pari i shtetit të zgjedhet me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Tash e gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit të Komisionit, ka paqartësi nëse partitë politike do të votojnë pro propozimeve të tij.

“Komisioni kushtetues ka punuar vetëm për një opsion, opsionin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit dhe në atë drejtim i kemi dorëzuar edhe amendamentet”, ka thënë Arsim Bajrami kryesues i këtij Komisioni, të hënën për Express.

“Partitë politike duhet të vendosin se si donë ta kenë Presidentin e ardhshëm të zgjedhur nga populli apo përmes Parlamentit. Për gjithçka vendosin votat e deputetëve”, tha Bajrami.

E, disa parti politike tash po shfaqen të paqarta sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së të parit të shtetit.

Nga qëndrimi i tyre i mëhershëm nuk lëvizin LDK’ja e Isa Mustafës dhe AKR’ja e Behgjet Pacollit, që janë edhe pjesë e marrëveshjes me PDK’në e Hashim Thaçit për reformat kushtetuese dhe zgjedhore.

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi tha për Express se partia e tij e do Presidentin nga votat e popullit.

“Amendamentet që i ka dorëzuar Komisioni thonë se Presidenti zgjidhet drejtpërdrejtë dhe këto ne i kemi përkrah si LDK, ai është qëndrimi zyrtar i LDK’së dhe nuk ka ndryshuar”, tha Gashi për Express.

Deputetja Myzejene Selmani nga AKR, ndërkaq kujtoi se partia e saj kërkon zgjedhje presidenciale që nga 2006’ta.

RCCOLA

“Presidenti të zgjidhet nga populli, kur zgjidhet një kryetar i Komunës pse mos mu zgjedh edhe Presidenti ashtu”, tha ajo.

Në partinë e Hashim Thaçit dhe AAK’në e Ramush Haradinajt thonë se do të marrin vendimin më vonë.

“Do të kemi qëndrim si parti, por pas një konsultimi që do ta bëjmë brenda partisë. Do ta bisedojmë njëherë në parti pastaj do të kemi qëndrim”, tha nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi për Express.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati ndërkaq tha se pjesa dërrmuese e partisë konsiderojnë se zgjedhja e presidentit nga votat e popullit është mënyrë e mirë.

“Po ne nuk kemi marrë vendim definitiv për këtë. E kemi diskutuar si temë dhe mendimi i pjesës dërrmuese është që zgjedhja e drejtpërdrejtë është më mirë, por për këtë ne pritet të marrim vendim dhe posa të jetë koha e duhur”, tha Musmurati.

Ndryshe, reformat kushtetuese nisën më miratimin e marrëveshjes së treshes politike PDK, LDK dhe AKR më 22 prill të 2011’ës, e që synim kryesor kishte reformimin e sistemit zgjedhor duke mundësuar edhe krijimin e bazës ligjore për të zgjedhur Presidentin e shtetit drejtpërdrejtë nga Populli.

Vetëvendosje preferon President konsensual

Partia Albin Kurtit nuk e sheh si opsion të mirë zgjedhjen e Presidentit të shtetit nga votat e qytetarëve. Sipas deputetit, Afrim Kasolli zgjedhja e Presidentit nga votat e qytetarëve nuk përfaqëson demokracinë e drejtpërdrejtë siç thonë partitë tjera.

“Sepse demokracia e drejtpërdrejt nënkupton angazhimin për çështje politike e jo për persona. Prandaj ne funksion te çlirimit te politikes nga personat e të thellimit të saj për çështje fondamentale shoqërorë, Lëvizje Vetëvendosje e përkrah mënyrën e zgjedhjes se presidentit të vendit nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Kasolli të hënën për Express.