RCCOLA

Papunësia, problem i vjetër – por aktual

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Papunësia edhe gjatë vitit 2013, ka qenë një ndër problemet kryesore, me të cilat janë ballafaquar qytetarët kosovarë. Blerta Zeqiri, nga Prishtina, 28-vjeçare, është e papunë. Në vitin 2012 ajo ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, ndërsa tashmë vazhdon studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Blerta tregon se ka konkurruar në dhjetëra konkurse që janë shpallur në gazeta ditore dhe portale të ndryshme elektronike.

“Kam aplikuar, ka pasur raste kur jam ftuar në intervista, mirëpo fatkeqësisht nuk më kanë pranuar askund”.

“Unë mendoj se problemi kryesor që nuk po pranohem në punë, është se nuk kam të njohur, sepse kudo pa pasur dikë të njohur, nuk mund të pranohesh. Pra, familjarizmi, padyshim është shumë i shprehur si në institucione private dhe ato qeveritare”, thotë Blerta.

Pjesa më e madhe e të papunëve në Kosovë janë të rinj dhe me nivel të arsimit të mesëm.

Sidoqoftë, të dhënat e fundit që kanë dalë nga regjistrimi i fundit i popullsisë, që është bërë në prill të vitit 2011, ishin alarmuese. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gati gjysma e popullatës e aftë për punës, apo 44.9 për qind, janë të papunë.

Por, në kohën kur vende të ndryshme të Evropës ballafaqoheshin me rritje të numrit të të papunëve, në Kosovë ASK-ja del me shifra, siç u vlerësuan nga ekspertë të ekonomisë, befasuese dhe të mrekullueshme.

Në bazë të një ankete të realizuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, thuhej se niveli i papunësisë ka rënë për 10 për qind apo në 35.1 për qind, në krahasim, siç thuhej, të një ankete të realizuar më 2009.

Ekspertë të ekonomisë, por edhe disa parti opozitare në vend, i vlerësonin të pamundshme këto shifra, pasi, sipas tyre, viteve të fundit nuk kishte pasur ndonjë indikacion në rritjen e punësimit në vend.

Ndërkaq, në anketën tjetër të publikuar në fund të muajit shtator të vitit 2013, ASK-ja thotë se shkalla e papunësisë është 30.9 për qind. Krahasuar me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, do të thotë se niveli i papunësisë në Kosovë ka shënuar rënie për afër 5 për qind.

Uji Dea

Këto shifra vazhdimisht janë kundërshtuar nga përfaqësues të punëtorëve dhe organizata të ndryshme joqeveritare.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vlerëson se afër 60 për qind konsiderohet të jetë shkalla e papunësisë në vend.

Megjithatë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, deri në shtator të vitit 2013, në zyrat e punësimit në nivel vendi, janë të regjistruar mbi 266 mijë punëkërkues.

Numri i punëkërkuesve mund të jetë më i lartë, pasi jo të gjithë punëkërkuesit regjistrohen në zyrat e punësimit.

Shpëtim Kalludra, administrator i bazës së të dhënave për punësim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për Radion Evropa e Lirë, tregon se nga muaji janar, deri në muajin shtator janë punësuar 3, 871 persona.

“Nga ky numër – 2,799 persona janë punësuar në sektorin privat, kurse 1,072 në sektorin publik. Kanë qenë disa programe të punësimit, por faktikisht programi kryesor i punëve publike nuk është zhvilluar. Prandaj, në një formë kemi një numër më të vogël në ndërmjetësime për punësime”, shpjegon Kalludra.

Në anën tjetër, Haxhi Arifaj, udhëheqës në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, më herët për Radion Evropa e Lirë ka thënë, se nuk është i kënaqur me angazhimin e institucioneve qeveritare sa i përket punësimit.

“Për punëtorët, gjatë këtyre katër vjetëve, Qeveria e Kosovës ka bërë shumë pak për të hapur vende të reja të punës. Punëtoria kosovare është ballafaquar me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Privatizimi ka bërë që shumë punëtorë të mbesin pa punë dhe njëkohësisht në tregun e punës, gjatë kësaj kohe, kanë hyrë të rinj, që kanë kryer shkollimin, por që nuk kanë arritur të punësohen”, ka deklaruar Arifaj.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, vetëm brenda një viti mbi 25 mijë të papunë hyjnë në tregun e punës.

Papunësia në Kosovë mbetet sfidë për institucionet e vendit. Ndërkohë, ulje të madhe të shkallës së papunësisë në Kosovë deri në vitin 2015, nuk pritet të ketë, pasi që korniza afatmesme e shpenzimeve 2013-2015, e miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk parasheh punësim të ri në sektorin publik./rel/