Papunësia e të rinjve, brengë shpirtërore e Behgjet Pacollit

Behgjet Pacolli u ka thënë të rinjve se papunësia e tyre është brengë e tij shpirtërore, dhe në katër vitet e ardhshme të qeverisjes punësimit i të rinjve do të jetë në qendër të vëmendjes së tij. E këtë e ka bërë përmes ekranit, nga Kazakistani ku po qëndron për vizitë bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Me moton “Na kryejmë punë”, Aleanca për Kosovë të Re ka mbajtur, të dielën, konventën për të rinjtë.
“Unë nuk jam sot aty me ju, por mendjen dhe shpirtin e kam te ju. AKR nuk do të ishte këtu pa rininë. Ju jeni forca e AKR-s dhe unë ju premtoj se rinia do të jetë pjesë dhe shtylla e qeverisë sonë, ju do të jeni pjesë e vendimmarrjes”, tha Pacolli.
Ministri në detyrë, Bernard Nikaj, para të rinjve tha se AKR në qeverinë e re do të vazhdojë që të punojë me të rinjtë.
“Në kabinetin tim jam i rrethuar nga bashkëpunëtorët që janë të moshës suaj, kështu do të jetë edhe në katër vitet e ardhshme gjatë qeverisjes sonë”, tha Nikaj.
E ministri tjetër në detyrë Dardan Gashi, ka thënë se Kosova është e zhytur deri në fyt në bërllok.
“Në bërllok të korrupcionit, bërllok të papunësisë, bërllok të varfërisë e krimit. Nga ky bërllok mund ta nxjerrin vetëm ata që janë dëshmuar deri më tani, ata që vendosën për reciprocitetin, ata që bënë zona të lira ekonomike, ata që ja kthyen Trepçën minatorëve”, ka thënë Gashi.