Paniku i partisë së kolonelëve!
Nga Veton Nevzadi- Debati lidhur me fitoret bindëse të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe Kaçanik qartë po reflekton panikun e partisë së kolonelëve nga shpërfaqja e peshës reale të subjektit politik të tyre në secilin nga qytetet ku ata po maten në kandarin e qytetarëve.
Kolonelët kanë arsye të shqetësohen sepse ditë pas dite po u hiqet aureola e përfaqësuesve dhe “shpëtimtareve të popullit”, të cilën e kishin vendosur vet në kokat e tyre. Për fatin e keq të tyre, ky popull, në emër të të cilit janë thirrur deri sot (dhe po vazhdojnë të thirren), nuk po i njeh si të tillë në kutitë e votimit, dhe kjo e arsyeton këtë shqetësim që ata po e manifestojnë çdo ditë.
Dhe pikërisht për shkak të kësaj përkrahje plebishitare që po merr PDK nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ata kanë filluar ta përjetojnë si dhunë secilën fjali që flet për këto fitore bindëse. U pengon ekspozimi i këtyre fitoreve dhe secila bisedë e cila do ti nxirrte në sipërfaqe këto suksese të PDK-së. Bëhen sikur mos të ketë ndodhur asgjë, madje mundohen ti minimizojnë këto fitore politike me kinse përqindjen e vogël të daljes së qytetarëve në votime, duke harruar se edhe në këto dalje rezultatet e tyre ishin edhe më të vogla për të qenë kolonelët fitues.
Sa i përket përqindjes së qytetarëve në votime, nuk mund të kuptohet sesi në një qytet si Kaçaniku me 33.780 banorë, si votues janë të regjistruar 31.473 qytetarë. Megjithatë, është kjo çështje e KQZ-së.
Gjithë ai helm e vrerë i vjellur, gjithë ajo shkarravitje neper rrugë dhe vet-viktimizim, e ato performanca të bëra, tashmë po u hudhen në shportën e mbeturinave politike si gjësende të pavlera dhe irituese për njeriun e zakonshëm të vendit tonë. Qytetari i thjeshtë i Kosovës nuk ka pikë nga qielli, por është pjesë e pandashme e secilit zhvillim dhe ngjarje që ndodhë. Nuk është e lehtë për t’u nënçmuar inteligjenca e tij, ashtu siç pretendonte partia e kolonelëve.
Qytetari ynë e din shumë mirë se tentimet e partisë së kolonelëve, për të zbehur të arriturat që ndodhën gjatë kësaj periudhe, kishin për synim vrasjen e vullnetit dhe përpjekjet e sinqerta të njerëzve të përkushtuar për të zhvilluar këtë vend dhe për tu mundësuar gradualisht qytetarëve një jetë të qetë dhe të dinjitetshme.
Mirëpo nuk përjashtohet kurrë mundësia që dikush të ketë bërë ndonjë gabim, madje as që pretendojmë të përkryerën, pasiqë ne i ngjajmë kohës, ndërsa koha tregon se po jetojmë një tranzicion në të cilin çdo herë ka mundësi për ndonjë anomali.
Partia e kolonelëve me mungesën e ideve alternative dhe projekteve zhvillimore për vendin, me veprimet pseudopatriotike dhe me keqpërdorimin e atributeve të cilat i lejon demokracia, e me sjelljen e patakt, të asocon me atë fjalën e urtë popullore për lumenjtë vërshues dhe të padobishëm të cilët të mbysin në pranverë e në verë shterin.