Pandemia nuk është fontanë dëshirash, gazetarët kanë mision profesional e historik gjatë raportimit

Musa Sabedini gazetar shumëvjeçar me një përvojë të gjatë në gazetari, aktualisht ligjërues në degën e medias dhe komunikimit në UBT, në një bisedë për ekonomia online thotë se pandemia që po e traumatizon tërë botën, kërkon qasje serioze dhe raportim korrekt e profesional të medieve të shkruara dhe elektronike. Fatkeqësisht kemi shumë raste ku po shkelet etika dhe nuk po respektohen udhëzimet e KMSHK dhe udhëzuesit e tjerë të etikës. Bëjeni punën me ndershmëri e profesionalizëm dhe mos vraponi pas klikimeve. Pandemia ose COVID-19 po vret miliona njerëz dhe kemi një situatë të jashtëzakonshme, ku edhe mediat duhet të sillen konformë kësaj situate shprehet Sabedini.

Si dhe sa po raportohet drejtë, saktë dhe me etikë në kohën e pandemisë COVID -19 dhe cili është roli i medieve dhe i gazetarëve karshi kësaj situate, ekonomia online ka biseduar me Musa Sabedinin ligjërues në degën e medias dhe komunikimit në UBT , i njohur për gazetarinë e tij profesionale e hulumtuese, tash e 30 vite dhe fitues i katër çmimeve në gazetari.

Sabedini thotë se situata me pandeminë nuk është fontanë dëshirash, ashtu siç po i shoh e vërej nëpër shumë media të ndryshme raportimet ditore. “Pandemia po e tronditë botën, dhe tani kemi një situatë të re kur edhe gazetarët duhet të luajnë një rol kyç dhe specifik në transmetimin dhe editimin e lajmeve. Nuk guxojmë të sillemi me aq komoditet dhe të dërgojmë ekipe apo gazetar të rinj, të papërvojë dhe që nuk i din as njohurit elementare të rreziqeve që sjell ky virus në teren. E di që ka gazetar dhe media fatmirësisht që po përpiqen të mbulojnë ngjarjet në mënyrë profesionale dhe po mundohen të luajnë një rol prej profesionisti, por ky numër është i vogël sepse kemi pjesën tjetër që shpesh lajmet rreth COVID – 19 i postojnë sikur të ishin lajme nga jeta e show bizit”.

Sabedini thotë se mediat duhet të trajnojnë gazetarët para se ata të dalin në teren dhe duhet të ofrojnë edhe kushte për ta kryer ata me përgjegjësi e ndershmëri profesionin e tyre shumë delikatë.”Mediat në këtë situatë duhet të luajnë një rol pos atij profesional, duhet të ofrojnë para publikut tema vetëdijësuese dhe senzibilizuese rreth COVID-19. Janë jo korrekte kur informacionet e përditshme jepen me shifra ose me emra të fshatrave e lagjeve se ku po godet ky virus. Media profesionale duhet të bazohet në njoftimet zyrtare që ofrojnë specialistët nga Instituti i Shëndeti Publik, nga ata të Mikrobiologjisë dhe Infektivës. Aktualisht kjo është treshja ku duhet ata të përqendrohen. E shoh shumë jo profesionale kur mediat marrin prononcime nga njerëzit e qeverisë apo të komunave. Pandemia nuk është lojë falli, ajo donë raportim të saktë dhe cilësor sepse vetëm në këtë mënyrë e ruajmë shëndetin e publikut nga lajmet e rreme, e ruajmë publikun nga lajmet e pakonfirmuara dhe nga lajmet e klikimeve” shprehet Sabedini.

Musa Sabedini mendon se ende ka kohë që në këtë drejtim të ndryshohen gjërat në kuptimin pozitivë. “Në Kosovë duhet të punohet më shumë me gazetarët dhe ata që e duan me mish e shpirt këtë zanat. Gazetaria është profesion i rreziqeve të mëdha dhe këtu s`jemi heronj, përkundrazi jemi pjesë e punës së përditshme. Për mua heroi më i mirë i kësaj kohe në gazetari do të ishte gjenerata e cila e kupton drejtë dhe saktë të bërit gazetari profesionale, objektive e balancuese. Ne duhet të respektojmë etikën dhe të ndjekim udhëzimet që dalin nga kodet e etikës. Po e shihni që publiku është lodhur nga debatet televizive që po e humbin edhe kuptimin sepse kemi devijime të mëdha. Në këto debate nuk ftohen njerëz kompetentë ose profesionist, por ftohen figura që potencialisht janë të përshtatshme për të prodhuar klikime. Kjo vërtet është e pafalshme”.

Sipas Sabedinit situatat e ndjeshme kërkojnë profesionalizëm të lartë, maturi, dije e guxim për t`u përballur me të papriturat.”Redaksitë e portaleve, por edhe të televizioneve, radiove e gazetave duhet urgjentisht të angazhojnë vetëm gazetarë që janë të pjekur, që kanë përvojë e njohuri mbi rrezikun që paraqet informimi i shtrembëruar apo jo i saktë” tha Sabedini.

Por çka duhet të dimë dhe si të raportojmë rreth situatës pandemike ?Sabedini insiston se puna e parë që duhet të bëjnë mediat është përgatitja psikike dhe psikologjike gazetarëve, para se ata të dalin në teren.”unë edhe më herët kam shkruar për disa rregulla ose kritere që duhet t`i dijë secili gazetar kur ndodhet përballë këtyre situatave të jashtëzakonshme.“E para gazetari nuk duhet të krijoj panik apo të përhap lajme që nuk janë të verifikueshme. Raportimet e gazetarëve duhet të jenë të balancuara dhe me mesazhe të qarta. Gazetarët gjithmonë duhet të qëndrojnë pranë burimeve të sigurta, duke mos i injoruar institucionet përgjegjëse dhe duke mos shtrembëruar deklaratat e tyre” mendon Sabedini.

Për Sabedinin ka rëndësi që mediat mos të vendosin tituj psikologjik dhe tituj paragjykues.“Kurrë mos përdorni shifra dhe prejardhjen e të infektuarve, vetëm në rastet kur ato jepen nga zyrtarët dhe respekto në maksimum etikën dhe përmbaju udhëzimeve të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK). Rri në kontakt të vazhdueshëm me qendrat spitalore më të afërta. Merr prononcime të vazhdueshme nga infektolog, epidemiolog dhe ekspert të ngjashme që japin mesazhe vetëdijësuese rreth virusit aktual.
Përqendrohu tek masat mbrojtëse dhe parandaluese të Koronavirusit. Ndihmo mantelbardhët dhe ekspertët me prezantimet e tyre profesionale. Kujdesuni edhe për familjet e juaja dhe jepni këshilla kudo që ndodheni. Menaxhojeni stresin dhe euforinë se duhet me çdo kush të prodhoni lajmin e kërkuar nga redaksitë e juaja” shprehet Sabedini.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).