Panairi “Tirana 2013” nis me sloganin kundër piraterisë
Panairi i sivjetmë “Tirana 2013”, i cili ka nisur dje në mjediset e Pallatit të Kongreseve në kryeqytetin shqiptar, këtë vit ka sloganin “Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin”, kjo është deklaruar si risia e ngjarjes më të madhe të librit në Shqipëri. Organizatorët kanë thënë se përmes kësaj motoje, është menduar të rrisim ndjeshmërinë e shoqërisë dhe të të gjithë lexuesve, institucioneve shqiptare dhe të huaja apo bizneseve që operojnë me librin.
Ata kanë thënë se ndonëse nuk ka ndonjë iniciativë konkrete në këtë drejtim, me fillimin e saj synojnë që të bashkërendisin të gjitha grupimet e interesuara për të mbrojtur të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale. Në panairin që do të mbahet përgjatë pesë ditëve, po marrin pjesë mbi 90 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, me plot tituj e autorë të rinj. Në hapje të tij kanë marrë pjesë një numër i madh personalitetesh nga fusha e artit, letërsisë, politikës etj.
Rogreta Shani nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka bërë të ditur për gazetën Zëri se qenë bërë të gjitha përgatitjet për të pasur një mbarëvajtje të mirë.
“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë panair dhe tani po punojmë fort për t’i realizuar ato. Sa i përket vizitorëve, pritshmëritë tona janë shumë të mëdha, nga viti në vit numri i vizitorëve shtohet, vjet ka qenë rreth 13 mijë sivjet presim 19 mijë vizitorë e më shumë, dhe shpresojmë t’i kemi”, ka thënë Shani.
Ndërkaq, kur flitet për pjesëmarrjen e botuesve nga Kosova, ajo ka thënë se sivjet ka një pjesëmarrje më të madhe. “Këtë vit kemi akoma më shumë botues nga Kosova, kemi libra të rinj që na paraqiten, me një fjalë jemi shumë të kënaqur që kemi kaq shumë botues nga Kosova”, ka thënë ajo.
Zonja Shani ka bërë të ditur se si çdo vit, edhe këtë vit, çmimet e librave në panair do të jenë me zbritje. “Pothuajse të gjithë botuesit janë paraqitur me ulje të çmimeve. Që sot, në hapje të panairit ka 20,30 për qind ulje, por ka edhe nga ata që janë me 50 për qind ulje, kjo për arsye që të sjellin lexuesit më pranë librit”, ka bërë të ditur Shani.
Disa nga ngjarjet që shënojnë panairin pos konferencës gjithëpërfshirëse për sensibilizim në luftën kundër piraterisë, e cila është planifikur të realizohet në ditën e tretët të tij, dhe ku pritet të marrin pjesë njohës të legjislacionit të së drejtës së autorit nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës shqiptare dhe europiane, përfaqësi diplomatike, Avokati i Popullit etj, në kuadër të panairit të sivjemë do të ketë një takim të gjerë që ka në fokus problemet e përkthimit, kjo me nismën e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Në fakt përkthimi është një fushë që çdo vit ka pasur hapësirën e vet në Panairin e Librit në Tiranë dhe znj. Kumbaro si përkthyese e njohur shumë herë ka qenë prezente në trajtimin e këtyre problemeve.
Panairi i Librit në Tiranë sivjet lidhet me 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Albert Kamy, me këtë rast Ambasada Franceze ia kushton stendën e vet pikërisht 100-vjetorit të lindjes së tij. Përgjatë ditëve të panairit që do të zhvillohet deri më 17 nëntor, Ambasada Franceze organizon një sërë aktivitetesh, si ekspozita, konferenca, ndarje çmimesh etj. Për nder të Kamy-s, Ambasada Franceze në Tiranë do të ndajë këtë vit edhe çmimin për përkthyesin më të mirë të veprës së Kamysë.
Në kuadër të panairit të librit Tirana2013 do të ketë edhe ndarje të çmimeve sipas kategorive të të gjitha llojeve si në poezi, prozë, esse, përkthim, studime etj. Juria e Panairit, e përbërë nga personalitete në fushën e letrave si Dhurata Shehri, Saverina Pasho, Parid Teferiçi, Fatos Baxhaku dhe Arta Marku, do të japë verdiktin për autorët dhe librat më të mirë të Panairit, dhe janë mbi 100 tituj të paraqitur si kandidatura për të fituar këto çmimie.
Autorë shqiptarë dhe të huaj që do të jenë të pranishëm në ditët e Panairit si Ismail Kadare, Kim Mehmeti, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti, Dashnor Kokonozi, etj. Të pranishëm do të jenë dhe dy emra të njohur në fushën e letrave dhe televizionit italian: Claudio Magris dhe Bruno Vespa do të jenë të pranishëm të veçantë të Panairit të 16 të Librit “Tirana 2013”. Vespa vjen si i ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës.
Ky është edicioni i 16-të i Panairit të Librit që po mbahet në Tiranë./zeri/

