Mobi Casa

Pallavrat e Handke`s

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Shkrimtari gjerman, me prejardhje austriake, Peter Handke, i cili në qarqet europiane njihet si shkrimtar i Slobodan Milosevicit, të hënën u intervistua nga ditorja serbe ‘Vecernje Novosti’. Edhe pse rrethanat në Ballkan ka kohë që kanë ndryshuar prej kohës së luftërave ballanike, Handke vazhdon të mbetet i ngujuar brenda klisheve të tij për “serbët e kërcënuar” nga e gjithë bota. Kjo shihet qartë edhe nga disa prej përgjigjeve të tij, që Express ka përzgjedhur për lexuesit.

Peter Handke qëndroi në Serbi, ku pranoi mirënjohje letrare për romanin e tij të fundit, “Moravska Noc’ (Nata e Moravës). Austriaku është shkrimtari i vetëm i huaj të cilit iu nda shpërblimi “Racanska Povelja”. Qëndrimin e tij në Serbi e shfrytëzoi gazeta ‘Vecernje Novosti’ për të intervistuar shkrimtarin, që serbët e konsiderojnë më të madhin e letërsisë gjermane.

VN: Serbët janë betuar më së shumti në shtetin e vrarë, ata janë dënuar dhe janë përndjekur nga Kroacia, e bota tani po na e rrëmben Kosovën e Metohinë… Këtyre presioneve po iu reziston Republika Srpska. A ka ajo ardhmëri?

Handke: S’mund të përgjigjem nëse Republika Srpska ka ardhmëri, sepse s’jam politikan. Por, si shkrimtar dhe njeri i zakonshëm, e di një gjë: Republika Srpska qysh tani është ardhmëri. Isha atje disa herë, më së shpeshti në Visegrad. Për herë të fundit isha para tri viteve, andaj s’mund t’i ndajë përvojat tuaja të përditshme. Ajo që tani po shoh e po dëgjoj për Republika Srpska’n më jep shpresë, edhe pse më s’mund të betohem më për asgjë. Ja, u mundova që për pesë minuta të jem ekspert për Ballkanin, edhe pse tani e urrejë secilin që prezantohet si i tillë – e në televizor sheh përplot. Ekspertët e vërtetë për Ballkanin janë njerëzit e rëndomtë. Duhet të dëgjohet zëri i tyre, ata e dinë realitetin. Nëse do të luani ashtu si dirigjojnë “ekspertët”, atëherë do të “lumturoheni” njësoj si populli i Libisë, të cilit ata ia sollën aktvendimin…

Mobi Casa

VN: Si e shihni ju ekipin e politikanëve që bëjnë çfarë të duan nëpër Europë. A mundet që kjo fotografi politike të ndryshoj nëpërmjet ndonjë kthese të magjishme?

Handke: Po të ishte dashuruar ndonjëri prej tyre në një vajzë serbe mbase edhe do të kishte ndonjë shpresë… Por, Tony Blair ishte i hendikepuar, sepse kurrë nuk u njoh me ndonjë bukuroshe nga Uzice… Sot, pas të gjithave që ndodhën këtu [në Serbi], vështirë se do ta kishte edhe rastin më të vogël “që të kalojë”. Por, ta lëmë mahinë anash, mendoj se të rinjtë, gjegjësisht gjeneratat e reja serbe, do të duhej ta dinin më së miri nëse ka gjasa për një Europë më njerëzore dhe më të mirë.

VN: Kohë më parë mbetët pa Çmimin Nobel për Letërsi, i cili iu nda bashkëkombëses tuaj, Elfriede Jelinek. A mos ka ‘serbizmi’ juaj ndonjë lidhje me këtë gjë?

Handke: A nuk e fitova unë? Sa keq! Unë parashikoj se Çmimin e ardhshëm Nobel për Letërsi do ta fitojë Leo Messi. A nuk ishte Ahtisaari, ai engjëll i vërtetë, që fitoi Çmimin Nobel për Paqe? Nëse do të pyetesha unë, mendoj se ai njeri nuk e meriton t’i jepet as një shishe e vodkës së lirë finlandeze, e lëre më ndonjë shpërblim – për çfarëdo qoftë.