Uji Dea

Palët e dëmtuara kërkojnë ndërhyrjen e kreut të Gjykatës

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Palët e dëmtuara në një proces gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Themelore dega në Viti, Hysen Hasimi e Adem Halabaku kanë kërkuar ndërhyrjen e kreut të Gjykatës së Gjilanit, Zyhdi Haziri dhe atë të zyrës së Prokurorit Disiplinor. Hasimi e Halabaku kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Raif Fazliu me arsyetimin se ai ka konflikt të interesit në rastin e tyre.

Dy qytetar vitias Hysen Hasimi e Adem Halabaku vazhdojnë të përballen siç thonë ata me padrejtësi të shumta që po ndodhin brenda Gjykatës Themelore në Viti. Ndonëse ata e kishin fituar kontestin për ta kthyer lëndën në rigjykim, tani ata kanë telashe tjera, meqë kryetari i trupit gjykues ka rastisur të jetë Raif Fazliu, i cili më parë ka punuar si zyrtar për ndërrimin e pronës në Kuvendin Komunal në Viti.

Madje , Hysen Hasimi e Adem Halabaku e akuzojnë pikërisht Raif Fazliun si shkaktarin kryesor që lënda e tyre të merr rrjedhë krejt të kundërt.”Gjykatësi Raif Fazliu ka konflikt të interesit dhe ne kemi kërkuar urgjentisht largimin e tij nga trupi gjykues. Kemi qenë edhe në zyrën e prokurorit disiplinor në Prishtinë dhe në zyrën e Zydi Hazirit. Presim që kjo lëndë të udhëhiqet nga një trupo gjykues i paanshëm dhe që nuk ndikohet nga të tjerët” tha Adem Halabaku.

Hysen Hasimi thotë se gjykatësi Raif Fazliu ende pa e nisur gjykimin na ka përjashtuar nga rasti. “Jemi përjashtuar nga procesi gjyqësor pa arsye dhe pa të drejtë ligjore, për arsye se jemi palë ndërgjyqësore dhe kemi problem kontestimor në këtë lëndë. Ne kemi përparësi për ta blerë pronën e cila është shitur nga serbët disa pronarëve shqiptarë. Ne mendojmë se na janë shkelur të drejtat tona dhe kërkojmë ndërhyrjen e prokurorit disiplinor dhe të vet Zyhdi Hazirit” tha Hasimi.

Madje, Hysen Hasimi e Adem Halabaku e kanë paralajmëruar zyrën e prokurorit disiplinor dhe vet Zyhdi Hazirin se gjyqtari Raif Fazliu është i zhytur dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në këtë aferë korruptive.

Hidromorava

Ndryshe Gjykata e Apelit e kryesuar nga Nenad Llaziq kishte marrë aktvendim që ta përsëris lëndën në rastin e Hysen Hasimit e Adem Halabakut nga Pozharani i Vitisë.

Gjykata e Apelit e ka urdhëruar Gjykatën Themelore në Gjilan departamenti në Viti që ta përsëris procedurën. Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin e pronave serbe në Pozharan të Vitisë të cilat janë shitur e blerë disa herë nga shqiptarët ta kthejë në rigjykim. Ky rast është shqyrtuar në mënyrë detaje nga Gjykata e Apelit e cila nga ana e kryesuesit Nenad Lalziq ka vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

Hysen Hasimi dhe Adem Halabaku të cilët janë nga Pozharani i Vitisë thanë se ata kanë trokitur në shumë zyre e dyer për ta kontestuar një vendim të mëparshëm të Gjykatës Komunale në Viti e cila ua njihte pronësinë serbëve të cilët tani ndodhen në Serbi. “Ne e dimë se çfarë kanë bërë serbët e Vitisë me pronat e shqiptarëve dhe që nga fillimi kemi dyshuar se këto prona nuk janë private, por shtetërore” tha Halabaku.

Hysen Hasimi thotë se pronarët serb Stana Vojisllav , Millutin Gjorgjeviq e Dara Kociq nuk kanë pasur asnjëherë dokumente valide të tokës që e kanë shitur, madje ata janë edhe uzurpatorë të pronës komunale. “Unë nuk e kam të qartë se qysh Gjykata ua vërtetojë tokën atyre derisa janë uzurpatorë. Dikush këtu u korruptua dhe ne do të kërkojmë që rasti të kthehet në rigjykim” pati deklaruar më herët Hasimi.

Adem Halabaku me profesion mësues thotë se dy tri herë është rrahur nga pala tjetër për të njëjtën tokë. “Pronarët serbë të tokës nuk janë këtu, janë diku në Serbi. Ata vërtet shkuan, por neve na lanë belanë para derë” shprehet ai./rajonipress/