RCCOLA

Palestinës, i lëshohet certifikata e lindjes

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Asambleja e Përgjithshme e OKB ka miratuar statusin e vendit vëzhgues në OKB për Palestinën, një lëvizje kjo që është kritikuar ashpër nga SHBA dhe Izraeli.

Me 138 vota pro, nëntë kundër, dhe 47 abstenime Asambleja ka miratuar të enjten mbrëma kërkesën palestineze. Pas votimit në New York mijëra palestinezë dolën rrugëve të Ramallahut, Gazës dhe të Bregut Perëndimor për të festuar rezultatin e favorshëm për ta, njoftoi televizioni BBC.

Festimeve të palestinezëve iu bashkua edhe organizata izraelite Neturei Karta, e cila përkrahë kërkesën palestineze për anëtarësim në OKB.

Në fjalimin e tij të së enjtes mbrëma para Asamblesë së Përgjithshme të OKB, kryetari palestinez, Mahmoud Abbas, u shpreh se “sot kërkohet që Palestinës t’i lëshohet një certifikatë e lindjes”, dhe se ky votim është rast i fundit që të ruhet zgjidhja për dy shtete.

“Në këtë ditë, para 65 viteve, Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi Rezolutën 181, me të cilën territori historik i Palestinës u nda në dy shtete, dhe kështu prodho certifikatën e lindjes së shtetit të Izraelit”, përkujtoi ai para votimit.

“Sot, ftoj Asamblenë e Përgjithshme që të lëshojë një certifikatë të lindjes edhe për shtetin e Palestinës”, vazhdoi ai.

Ambasadori izraelit në OKB, Ron Prosor, tërhoqi vërejtjen se “palestinezët po ia kthejnë shpinën paqes”, përderisa kryetarin Abbas e akuzoi për injorim të historisë. Sipas Posor, asnjë vendim i OKB s’mund të ndërpresë lidhjen 4,000-vjeçare mes popullit izraelit dhe tokës izraelite.

Projekt-rezoluta e votuar kërkon nga Asambleja e Përgjithshme që Palestinës t’i miratohet statusi i vendit vëzhgues në OKB, dhe shpreh shpresën që Këshilli i Sigurimit do të reagojë si duhet ndaj kandidimit të Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB. Këtë kërkesë e kishte parashtruar Abbas në vitin 2011. Gjithashtu, projekt-rezoluta bënë thirrje për vazhdimin e negociatave paqësore me “institucionin e shtetit palestinez, që jeton në paqe dhe siguri pranë Izraelit, në bazë të kufijve të përcaktuar në vitin 1967”.

Ndryshe, statusi vendit vëzhgues do t’i mundësojë Palestinës përfshirjen në shumë organizata dhe marrëveshja ndërkombëtare, si Gjykata Penale Ndërkombëtare, apo Konventa e Gjenevës për Mbrojtje të Civilëve.

Reagime të ashpra nga SHBA dhe Izraeli

Fundamenti

“Rezoluta e sotme, fatkeqe dhe kundërproduktive, vendos pengesa shtesë para rrugës drejt paqes”, tha, me tjerash, ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, fjalimin e kryetarit palestinez e cilësoi si “shpifës dhe helmues”, dhe me “përplot të pavërteta a dhe propagandë” kundër Izraelit. Sipas tij, me miratimin e rezolutës janë shkelur marrëveshjet e mëhershme izraelito-palestineze, andaj Izraeli do të veprojë në pajtim me këtë gjë.

Britania e Madhe dhe Gjermania abstenuan gjatë votimit, ndërkaq Republika Çeke, Ishujt e Mareshalit dhe Panamaja ishin në mesin e shteteve që votuan si SHBA dhe Izraeli.

Çka mund të pritet realisht?

Përndryshe, me votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, e cila përbëhet nga 193 shtete anëtare, në mënyrë implicite është pranuar ekzistimi i shtetit palestinez në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe në pjesën lindore të Jerusalemit, respektivisht në territoret që Izraeli i kishte aneksuar gjatë luftës gjashtëditore të vitit 1967.

Kjo hapësirë, megjithatë, është më e vogël sesa territori që palestinezëve u ishte ofruar më 29 nëntor të vitit 1967, kur edhe ishte miratuar Rezoluta 181, e cila rezultoi me ndarjen e Palestinës në dy shtete; në atë izraelit dhe atë arab. Atëbotë këtë rezolutë e kishin pranuar izraelitët dhe e kishin refuzuar palestinezët. Si rrjedhojë, izraelitët kishin festuar, ndërsa arabët që nga ajo kohë e deri më sot i vuajtën pasojat gabimit të bërë.

Mbështetja dhënë Palestinës, përmes miratimit të statusit të shtetit vëzhgues në Asamblenë e Përgjithshme, vërtet është e madhe, madje edhe historike. Kryetari palestinez Abbas gjithë këtë e përjetoi si një triumf diplomatik, sepse ai rezolutën e sheh si një mjet presioni ndaj Izraelit në negociata e reja paqësore.

Mirëpo, në realitet, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë. Pikat kontrolluese të Izraelit ndërmjet qytetit Ramallah – ku edhe ndodhet selia e kryetarit Abbas – dhe Jerusalemit do të ekzistojnë edhe në të ardhmen, njësoj siç do të ekzistojnë edhe radhët e gjata të njerëzve që presin të kalojnë nëpër to. Palestinezët edhe më tej nuk do të kenë kontroll ndaj kufijve të tyre, njësoj sikurse që edhe më tej do t’iu nevojitet leja izraelite për të udhëtuar jashtë vendit. Ata nuk do të kontrollojnë as hapësirën e tyre ajrore, e as tregtinë… Me një fjalë, okupimi izraelit do të vazhdojë.

Izraeli ndërkaq konsideron se mënyra e vetme që okupimi të përfundojë dhe që vërtet të krijohet një shtet palestinez janë negociata direkte. Udhëheqësia palestineze, në fakt, pajtohet me këtë gjë, andaj edhe nënvizon se njohja në OKB nuk është një alternativë për negociata, por vetëm një mënyrë për të bërë presion mbi Izraelin gjatë diskutimeve dhe negociatave të ardhshme.