Eko Higjiena

Pakënaqësi në Gjilan për mungesën e përfaqësimit në Qeverinë Kurti 3: “E votojmë, por po ndihemi të poshtëruar”

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Mungesa e një përfaqësuesi nga rajoni i Anamoravës në përbërjen e Qeverisë Kurti 3 ka nxitur reagime dhe pakënaqësi në mesin e një pjese të qytetarëve të Gjilanit. Ata e konsiderojnë këtë si një sinjal negativ për përfaqësimin rajonal dhe përmbushjen e pritjeve të krijuara gjatë fushatës zgjedhore.

Qeveria e re, e cila sipas kritikëve është ndërtuar me premtime për profesionalizëm dhe përfshirje më të gjerë, nuk ka përfshirë asnjë ministër nga Gjilani apo komunat e Anamoravës.

Për disa qytetarë, kjo përbën zhgënjim të thellë, sidomos duke pasur parasysh mbështetjen e konsiderueshme elektorale që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë në këtë rajon.
“E kam votuar edhe kësaj radhe LVV-në. Nuk jam pishman për votën, por fakti që Gjilani nuk ka asnjë ministër më lë shije të hidhur. Ky qytet ka kuadro të përgatitura dhe potencial ekonomik që do të mund të përfaqësohej denjësisht në ekzekutiv,” shprehet Esati, një qytetar nga Gjilani.

Të tjerë shprehen më kritikë ndaj qasjes së kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se përtej retorikës për zhvillim dhe investime, Gjilani vazhdon të përballet me sfida të theksuara ekonomike dhe mungesë projektesh madhore.

Sipas tyre, premtimet për investime konkrete në këtë pjesë të Kosovës nuk janë materializuar në masën e pritur.

FIDANISHTJA

Një qytetar tjetër, Elbasani, i cili thotë se nuk është pjesë e asnjë subjekti politik, e sheh situatën me ironi. “Njerëzit ankohen, por prapë votojnë njësoj. Kjo tregon se zhgënjimi nuk po përkthehet në ndryshim politik,” thekson ai.

Ndërkohë, kritika adresohen edhe ndaj deputetëve të zgjedhur nga ky rajon. Disa qytetarë vlerësojnë se përfaqësuesit parlamentarë nga Gjilani nuk kanë arritur të artikulojnë mjaftueshëm kërkesat dhe interesat e zonës në nivel qendror.

“Dikur Gjilani njihej për dinamizëm ekonomik dhe investime. Sot ka ndjenjën e stagnimit. Duhet më shumë guxim dhe angazhim për ta ndryshuar këtë realitet,” shprehet Menderesi, një tjetër banor i qytetit.

Mungesa e përfaqësimit në kabinetin qeveritar ka rikthyer debatin për balancën rajonale në institucionet qendrore dhe për nevojën që zhvillimi ekonomik të mos përqendrohet vetëm në zona të caktuara.

Për shumë gjilanas, përfshirja në vendimmarrje nuk është vetëm çështje simbolike, por garanci për adresimin më të drejtpërdrejtë të nevojave dhe prioriteteve lokale./rajonipress/