Pajaziti do që opozita të reflektojë

Deputeti Zenun Pajaziti, njëherësh anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se PDK, si partia me e madhe në vend, në vazhdimësi ka bërë përpjekje për vazhdimin normal të punës së institucioneve të vendit, duke respektuar ligjet dhe kushtetutën.
“Unë shpresoj që opozita të reflektojë, pas gjithë këtyre çka kanë ndodhur, dhe me faktin që kemi një lëvizje sa i përket edhe inkuadrimit të Gjykatës Kushtetuese, pastaj edhe për punën e demarkacionit kemi një vendim të vet Kuvendit që duhet të funksionojë, po ashtu edhe për faktin se kemi një deklarim të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që na mbështesin; së fundmi edhe vet institucioni i BE-së, Këshilli i Evropës. Ma merr mendja që opozita duhet të reflektojë karshi kërkesave dhe interesave të qytetarëve të vendit dhe vetë votueseve të tyre”, tha Pajaziti.
Ai tha se të gjitha partitë politike në vend, e ne veçanti ato të opozitës, duhet të marrin mësim nga e kaluara dhe të kenë qetësi, pasi që askujt nuk i konvenon dhe nuk i shërben gjendja me tensione për avantazhe politike.
Nga ana tjetër, opozita paralajmëron vazhdimin e aksioneve bllokuese të punës së Kuvendit të Kosovës, duke mos e përjashtuar as përdorimin e gazit lotsjellës e veprime të ngjashme.