Pacolli: Zvicra është një shembull për t’u ndjekur

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli që nga prilli i vitit 2011, nuk kurseu asnjë përpjekje për të siguruar njohjen e vendit të tij. Gjë që 98 shtete tashmë e kanë njohur. Ai do të donte që Zvicra, vendi i tij i adoptuar, të jetë një shembull për atdheun e tij.

Në gjendje të mirë shëndetësore dhe i nxirë nga dielli afrikan, Behgjet Pacolli duket i ndritshëm kur arrin në “Swiss Diamond Hotel” të VicoMorcote, një hotel me pesë yje që ka liqeni i Lugano-s, afër shtëpisë së tij. Familja e tij, gruaja e tij e tretë dhe katër fëmijët e tyre (më i riu është i sapolindur), jetojnë në Melide, në kantonin e Ticino-s.

A mund të na shpalosni bilancin tuaj për 20 muajt e parë si një përgjegjës për marrëdhëniet e qeverisë suaj me ato të huaja? A po ecin përpara procedurat për njohjen e Kosovës?

Behgjet Pacolli: Deri më tani 98 shtete, duke përfshirë 25 në Afrikë, e kanë njohur zyrtarisht republikën tonë. Unë personalisht kujdesem për kontaktet me Afrikën, ku kam vizituar 48 shtete gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit. Kam rënë në dashuri me këtë kontinent, i cili jam i bindur, është e ardhmja.

Megjithatë, unë nuk kam arritur ende të bind qeveritë e vendeve të Maghreb-it, ndërsa kam marrë miratimin e shumicës së shteteve të Afrikës Lindore dhe disa të Afrikës Qendrore. Jam gati të nisem për një turne në Kenia, ku kam qenë, në Tanzani, Zambia dhe Uganda. Afrika e Jugut nuk duhet të marrë kohë për të njohur pavarësinë tonë.

Në Evropë, vetëm Spanja – e cila lufton kundër dëshirës për autonominë të Katalonisë – Sllovakia, Rumania, Greqia, Qipro dhe sigurisht Serbia dhe Rusia ende nuk e kanë njohur zyrtarisht. Në Azi, megjithatë, ne ekzistojmë si një shtet me të drejta të plota për Malajzinë, Timorin, Brunei, Japonin, Korenë e Jugut, Papua Guinea e Re, Zelandën e Re, Australinë dhe me shumë shtete të Oqeanisë. Ne jemi ende në pritje të një vendimi nga Indonezia dhe Tajlanda, ku ne tashmë kemi hapur një zyrë përfaqësuese.

Si mund të përcaktoni lidhjet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës sot?

B.P.: Ato janë të ngurta. Dy shtetet “e mia” gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Bashkëpunimi është gjithashtu shumë i mirë falë punës së madhe që kryen në Prishtinë ambasadorja zvicerane, Krystyna Marty Langa. Tani Zvicra kupton më mirë Kosovën dhe ajo duhet të jetë një shembull për ne. Uroj që ne të përmirësohemi në fushën e shërbimeve duke përcjellë modelin zviceran. Pavarësisht nga situata ende e vështirë ekonomike (shkalla e papunësisë është midis 30 dhe 40%), ne mund të mbështetemi në një të rini të numërt, të trajnuar mirë dhe të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë për përparimin e vendit.

Unë nuk e mohoj se ka shumë punë për t’u bërë. Kryesisht duhet të stimulojmë ekonominë dhe të krijojmë vende pune, afro 35.000 vende në vit. Por unë dua të theksoj se ne kemi bërë progres në fushën e investimeve dhe qeveria ime parashikon një ligj për të mbështetur investitorët në fushën e mineraleve, të cilat përbëjnë një pasuri të madhe të Kosovës. Kjo mbështetje pasqyrohet nëpërmjet përfitimeve tatimore, siç është ulja e tarifave doganore dhe tërheqja e pagesave të taksave.

Mobi Casa

Qeveria juaj i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) dhe Kombeve të Bashkuara hapjen e hetimeve për punën e kryer nga Carla del Ponte, kur ishte prokurore për krime lufte në ish-Jugosllavi. A do të shohim një konfrontim të ri Behgjet Pacolli – Karla del Ponte?

BP: Si anëtar i Qeverisë së Kosovës, unë nuk mund të flas për këtë kërkesë. Mendoj se funksioni i Carla del Pontes si prokurore në ICC i siguron asaj imunitetin dhe është e mundur se kërkesa jonë për hetim, bashkë me kërkesën e paraqitur nga Tirana nuk do të kenë sukses. Megjithatë, pafajësia e fundit e shqiptuar nga Tribunali i Hagës është vetëm drejtësi. Ish- ministri ynë kryesor ka luftuar për nëntë vjet për të çmontuar këto akuza dhe për të gjitha ato vite ai ështe burgosur duke qenë i pafajshëm. Për qeverinë tonë është e rëndësishme që publiku më në fund të mësojë se si gjërat kanë ndodhur realisht.

Konfrontimi im me Carla del Ponten ishte në 1997-1998, kur gjyqtari, atëherë prokurori i Konfederatës, kishte urdhëruar një kontroll/hetim mbi kompaninë time në Lugano Mabetex Lugano, me kërkesën e prokurorit antikorrupsionist të Moskës, YuriSkutarov, e cili ishte duke kryer hetim për ish-presidentin rus, Boris Jelcin. Jelcin ishte i dyshuar se kishte pastruar para me bashkëpunimin tim. Rasti ka përfunduar pa rezultat.

Kohët e fundit kufiri Kosovë-Serbi ishte bërë skenë e protestave nga nacionalistët serbë. Si qëndron situata në mes të dy vendeve?

BP: Protestat janë mbajtur nga grupe ekstremiste dhe situata nuk është aq tragjike siç e raportojnë mediet. Qeveria jonë ka bërë përparim të madh në lidhje me çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, e cila tani do të rregullojë pozicionin e saj ballë Kosovës. Tetë marrëveshje në këtë drejtim janë nënshkruar mes dy vendeve.

Ju përkujtoj gjithashtu se 20.000 serbët që jetojnë në veri të Kosovës nuk janë të gjithë kundër pavarësisë. Kosovarët kanë nevojë të jenë të hapur edhe me Serbinë, prandaj edhe përpiqemi të arrijmë këtë, për shembull, duke përmirësuar kanalet e qarkullimit. Kështu që, ne kemi hapur kohët e fundit një autostradë që na lidh me Shqipërinë dhe Serbinë.

Çfarë mund të na thoni në lidhje me të ardhmen politike të Kosovës?

BP: Sipas Kushtetutës sonë, presidentja e cili më pasoi, Atifete Jahjaga, mund të qëndrojë në detyrë për pesë vjet. Megjithatë, kur ajo u zgjodh, ajo kishte një marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re (partia ime): ajo kishte rënë dakord të japë dorëheqje pas vënies së reformave kushtetuese nën çati. Pra, sapo të kryhet kjo çështje, ajo do duhet ta bëjë këtë. Kështu që Kosova do të votojë përsëri dhe unë do të jem në vijën e parë të frontit.(albinfo)