RCCOLA

Pacolli: Zgjedhjet duhet të mbahen në shtator

/ 23 minuta lexim
Uji Dea

Edhe për dy mandate duhet t’iu vazhdohen privilegjet minoriteteve në një Parlament me 135 deputetë. Në këtë situatë, Kushtetuta duhet të ndryshohet dhe të pastrohet nga dykuptimësia. Nuk jemi gati për të shkuar në zgjedhje para shtatorit. E përkrahi themelimin e një fondi për mbrojtjen e atyre që do të gjykohen nga Gjykata Speciale. Lista e atyre do të përballen me këtë Gjykatë Speciale do të jetë mbi 100 të akuzuar. 70 përqind e zyrtarëve të Qeverisë aktuale janë tepër. Është papërgjegjësi e Thaçit e Mustafës që nuk e zbatuan marrëveshjen PDK-LDK-AKR dhe tash s’kemi reformë zgjedhore dhe kushtetuese. Kryetari i AKR’së, Begjet Pacolli, flet për Express.

Express: Po e nisim këtë bisedë me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Isa Mustafa e përmendi se Kuvendi do të shpërndahet këtë javë dhe kjo nuk ndodhi?
B. Pacolli: Nëse respektohen normat, nëse respektohet e drejta legjitime e qytetarit për të votuar, nëse respektohet kodi moral i mirësjelljes i partive politike, nuk duhet të ketë zgjedhje para shtatorit. Kam informata të sakta se KQZ nuk është e përgatitur.

Express: Por, KQZ e ka për obligim kushtetues të jetë e gatshme çdoherë kur vendi shkon në zgjedhje?
B. Pacolli: KQZ nuk është e përgatitur për zgjedhje. Këta zëra nuk vijnë vetëm nga përfaqësuesit tanë atje, por vijnë edhe nga përfaqësuesit e partive tjera. KQZ për t’i përgatitur zgjedhjet duhet ta dijë dy-tre muaj përpara. Është e vërtetë se KQZ kohëve të fundit është marrë me përgatitjen e zgjedhjeve, por se ende s’kemi lista të pastruara nga të vdekurit. Ende nuk kemi reforma zgjedhore. Ende nuk kemi ide se si të shkohet në këto zgjedhje.

Express: Po përmendet se njëra prej arsyeve se pse po kërkohet të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve janë vendet e rezervuara për minoritetet….?

B. Pacolli: Jam deklaruar shumë herët sa i përket kësaj çështjeje. Kam thënë se duhet të preket Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta duhet të pastrohet prej shumë gjërave dhe një prej tyre është edhe vendet e rezervuara apo vendet e garantuara. Kushtetuta është shumë e ndërlikuar sa i përket disa vendimeve ku kërkohen votat e 2/3 të minoriteteve. Shembulli konkret është themelimi i Forcave Ushtarake të Kosovës, ku nevojiten 2/3 e votave të minoriteteve. Nuk besoj se në 15 vitet e ardhshme minoritetet do të votojnë për themelimin e Forcave Ushtarake të Kosovës.

Express: Rrjedhimisht, sipas jush, duhet të bëhet kompromis dhe t’iu jepen vendet e rezervuara?
B. Pacolli: Mendimi im ishte që të bëhet një kompromis edhe për dy mandatet e ardhshme në mënyrë që të ketë qetësi parlamentare, e cila ka dominuar deri më tash. Por, me një kusht që ne ta pastrojmë Kushtetutën tonë prej disa veprimeve të cilat duhet të bëhen. Për shembull Ligji për Presidentin. Tani kemi problemin e themelimit të ushtrisë.

Mendimi im ishte që të bëhet një kompromis edhe për dy mandatet e ardhshme në mënyrë që të ketë qetësi parlamentar
Express: Megjithëkëtë, shumëkush në Kosovë e sheh problematike nëse minoritetet vazhdojnë t’i kenë vendet e rezervuara për shkak se vota e minoriteteve do të ishte përcaktuese pothuajse për secilin vendim. Në këtë situatë, minoritetet i kanë 20 vende të garantuara dhe do t’i marrin edhe 7-10 vende me vota?
B. Pacolli: Së pari, nuk mendoj se në këto zgjedhje do të marrë pjesë “Lista Srpska”. Duhen shumë çështje të shikohen edhe nga aspekti praktik. Nuk besoj se ata dalin në zgjedhje.

Express: Pse je kaq i bindur se s’do të dalin në zgjedhje “Lista Srpska”?
B. Pacolli: Jam i bindur sepse ata s’kanë bërë asnjë përgatitje dhe janë çdo ditë duke dërguar mesazhe se nuk do të dalin në zgjedhje. Dhe, një përbërje e tillë siç është tani edhe për mandatin e ardhshëm për mua do të ishte një qetësi dhe një kokëçarje më pak në Parlamentin e Kosovës. Frikohem shumë se nesër do të kemi konstelacion krejtësisht tjetër të deputetëve nga minoritetet dhe ata do të bojkotojnë çdo vendim në Parlamentin e Kosovës dhe do ta kthejnë Parlamentin e Kosovës në një institucion jofunksional.

Express: Pikërisht është ky rrezik se nëse nuk vazhdohen vendet e rezervuara ata nuk do të ketë më fuqi të madhe në Parlament?
B. Pacolli: Unë kam propozuar që t’i kenë 20 vende të garantuara. Të rritet numri i deputetëve të Parlamentit të Kosovës në 135. Pesë vende të rezervohen për diasporën. 10 vende të jenë në garë. Nëse këto dhjetë vende i fitojnë krejt serbët le t’i fitojnë. Mirëpo, dhjetë vendet e rezervuara për votat që vijnë nga qytetarët e Kosovës.

Express: Por, nëse bëhen 135 deputetë, Kosova është vend i vogël dhe s’ka as mundësi të bëjë shpenzime edhe më të mëdha?
B. Pacolli: Nuk besoj se është problem 120 apo 135 deputetë. Nuk ekziston ai problem. Por, me 135 deputetë ne do të ishim një situatë krejtësisht tjetër. 2/3 e Parlamentit do të ishin të garantuara gjithmonë në Parlamentin e Kosovës. Nëse minoritarëve iu garantohet jeta edhe për një mandat në këtë konstelacion, atëherë, ne s’do të kishim asnjë problem.

Duhet fond për ata që ndiqen nga Tribunali

Express: Pse votuat pro themelimit të Gjykatës Speciale?
B. Pacolli: Unë s’jam deputet i Kuvendit të Kosovës. AKR me ata pak deputetë ka votuar për Tribunalin. E kam thënë edhe më herët se ekziston një problem që duhet të kalojë. Ky problem është i imponuar për Kosovën. Nëse dëshirojmë të miratojmë mirë por nëse nuk e miratojmë ai do të miratohej nga dikush tjetër dhe do ta kishim të imponuar në Kosovë një Tribunal. Mendimi im dhe i AKR ka qenë që të votohet në Parlamentin e Kosovës, mirëpo, të mos ketë asnjë debat. Deputetët e Kosovës në heshtje të votojnë dhe të mos deklarohen fare.

Express: Por, Kosova është vend demokratik dhe deputetët duhet të flasin për një vendim kaq të rëndësishëm?
B. Pacolli: Njëfarë pakënaqësie ka qenë dashur të ndodhë edhe gjatë votimit dhe unë po të isha parlamentar i Kosovës dhe po të kisha mundësi do ta votoja në heshtje dhe pa asnjë diskutim. Në heshtje do të dërgoja një mesazh bashkësisë ndërkombëtare se një gjë e tillë po e bëjmë sepse tek ne dominon mençuria dhe dëshira e madhe për të bashkëjetuar me të gjitha komunitetet dhe fqinjët përreth. Mesazhi do të ishte shumë i fuqishëm. Por, siç u pa deputetët u deklaruan pro dhe kontra dhe në fund pothuajse të gjithë e votuan. Nuk është vetëm AKR’ja që ka votuar por e kanë votuar. Por, po kthehem pak në retrospektivë. Në momentin kur është përfolur për të ashtuquajturin raporti i Dick Martyt dhe kur e kam lexuar librin e Carla Del Pontes dhe kam parë se raporti i Martyt zanafillën e ka të libri i Carla Del Pontes.

Po të kisha mundësi do ta votoja në heshtje dhe pa asnjë diskutim. Në heshtje do të dërgoja një mesazh bashkësisë ndërkombëtare

Express: Por, Carla Del Ponte deklaroi se themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën ishte veprim i panevojshëm për Kosovën?
B. Pacolli: Vijë edhe tek kjo temë. Por, duke i njohur shumë mirë Carla Del Ponten dhe Dick Martyn, ata jetojnë afër vendit ku kam jetuar 38 vite. Dhe, duke ditur mënyrën se si ka ardhur deri te kjo ide, unë pata kërkuar një prokurë (autorizim) prej organizatës së veteranëve të luftës që ishin përfaqësues legjitim të UÇK’së dhe nga Kryeministri Hashim Thaçi. Edhe Kryeministri, edhe kjo organizatë këtë punë e kanë marrë si hajgare. E kanë neglizhuar duke thënë se UÇK ka bërë luftë të pastër dhe ne nuk kemi asnjë brengë se prej kësaj do të ketë diçka. Por, ndoshta kanë pasur të drejtë de jure sepse e dinë se janë të pastër. Mirëpo, për shkak të prakticitetit është dashur të ma japin këtë autorizim. Dhe, me atë autorizim që në Lugano do të hapi një proces kundër Carla Del Pontes dhe Dick Martyt. E hapur procesin dhe është përcjell nga mediat zvicerane dhe ndërkombëtare se është denoncuar Carla Del Ponte dhe Dick Marty. Në këtë rast, e dija se ky proces do të kishte sukses shumë të madh. Ky proces shkon deri në dëgjimin e parë dhe në dëgjimin e parë gjykatësi nuk mund të shkonte më tutje për arsye se mua më kërkohej një plotfuqishmëri që unë kam të drejtë, gjegjësisht avokati im, të përfaqësonte UÇK’në dhe njerëzit, të cilët ishin përmendur në librin e Carla Del Pontes gjegjësisht në raportin e Dick Martyt….

Express: A duhet të themelohet një fond për ata luftëtarë që do të ndiqen penalisht ashtu siç propozoi PDK? Jakup Krasniqi tha se duhet të ketë fond për t’i dëmshpërblyer vetëm ata që dalin të pafajshëm?
B. Pacolli: Ne nuk e dimë se cili do të jetë fajtor, cili nuk do të jetë fajtor. Propozimi i Jakup Krasniqit nuk ka kuptim, për arsye se nuk e dimë se kush do të jetë i pafajshëm e kush fajtor. Kjo drejtësi duhet të konsumohet dhe pasi të konsumohen të gjitha tentativave të akuzës dhe tentativave të mbrojtjes do të merret një vendim. Askush nuk do t’i mbrojë njerëzit e akuzuar nëse nuk paguajnë. Nuk mund të presim që dikush të dalë i pafajshëm dhe pastaj të paguajmë, sepse avokatët nuk punojnë me kredi. Prandaj, në këtë aspekt, propozimi i Krasniqit nuk ka kuptim. Vendimi i disa njerëzve në Qeveri dhe në Kuvend që të mbrohen këta njerëz me një fond për mua është i drejtë. Është i drejtë për arsye se aty do të përfshihen shumë njerëz, të cilët edhe do të jenë edhe të pafajshëm. Sigurisht, se do të ketë shumë të pafajshëm dhe duhet t’ju ndihmohet. Lista e atyre do të përballen me këtë Gjykatë Speciale do të jetë mbi 100 të akuzuar. Për të mbrojtur këtë numër të njerëzve do të nevojitet një makineri e madhe avokatësh. Nëse është në pyetje mbrojtja jashtë vendit atëherë shumë pak do të jemi në gjendje t’i shfrytëzojmë fuqinë e avokatëve kosovarë. Sigurisht, se të gjithë personat që akuzohen nuk do të kenë mundësi të paguajnë këto shpenzime. Do të ketë edhe persona që janë të pasur dhe është e padrejtë që buxheti i varfër i Kosovës të shfrytëzohet prej atyre njerëzve që kanë para. Besoj se dikush do të tërhiqet nga ky fond me arsyetimin se ka para.

Lista e atyre do të përballen me këtë Gjykatë Speciale do të jetë mbi 100 të akuzuar.

Express: Jakup Krasniqi dje në një intervistë për Express tha se Ambasadori Dell dhe Peter Feith kanë qenë kundër që ju të bëheni President i Kosovës?
B. Pacolli: Nuk dua të hyjë në polemikë me Jakup Krasniqin. Unë e di që Dell ka qenë ai njeri i cili më ka shtyrë që unë të jam kandidat për President.

Express: Të ka ndihmuar edhe me sms të bëheni President?

P. Pacolli: Nuk po them sms tash, por po them se ka qenë njeriu që në dy javët e fundit ka qenë në shtëpinë time. Ai ka dhënë deklarata publike se Jakup Krasniqi kurrë s’mund të jetë President i Kosovës. Sa i përket Peter Feith nuk kam pasur një kërkesë të tij. Por, ai mua gjithmonë më ka thënë se Jakup Krasniqi nuk është i denjë për President të Kosovës. Nëse Jakup Krasniqi spekulon, unë i them atij, se vet Peter Feith më ka thënë disa herë se asnjëherë Jakup Krasniqi nuk do të jetë President i Kosovës. Sidoqoftë, Jakup Krasniqi është në zyrën të cilën ia kam dhënë donacion atij Parlamenti dhe ai sillet në atë zyrë si mbreti i Kosovës. Ai e di se çdo gjë që është në zyrën e tij është donacion që unë ia kam dërguar Parlamentit të Kosovës për të krijuar një vend të këndshëm të punës. Jakup Krasniqi e ka shfrytëzuare atë dhe asnjëherë s’ka thënë faleminderit për atë donacion që ia kam bërë Parlamentit të Kosovës.

70 përqind e Qeverisë janë tepër

Express: Të dalim te puna e Qeverisë. Me gjasë nuk ka ndonjë vend në botë që është i vogël sa Kosova e ka numër kaq të madh të Zëvendëskryeministrave, Ministrave, Zëvendësministrave…?
B. Pacolli: Ideja ime ka qenë gjithmonë që të ketë shumë pak njerëz në Qeveri. Bile as Ministri të mos ketë në Qeveri, por të ketë departamenti. Kështu parashihet në programin e AKR’së, i cili precizon se duhet të ketë gjashtë departamente. Mirëpo, programi i AKR’së është krejtësisht tjetër dhe ndryshon nga programet e partive tjera, të cilat kanë qeverisur dhe tentojnë të qeverisin me Qeverinë e Kosovës.

Express: Por, Ministria e fundit e themeluar në Qeveri i është ndarë AKR’së?
B. Pacolli: Shumë e vërtetë, por ai ka qenë vendim i Qeverisë së Kosovës. Ju e dini, AKR nuk është pjesë vendimmarrëse në Qeverinë e Kosovës. Nuk ka qenë asnjëherë.

Express: Gjithmonë kështu po deklaroheni se jeni në Qeveri dhe nuk kemi shumë fuqi?
B. Pacolli: Është shumë e vërtetë se nuk kemi shumë fuqi në Qeverinë e Kosovës. Këtë e di secili.

Express: Pse jeni në Qeveri kur nuk keni fuqi?
B. Pacolli: Unë e arsyetoj gjithmonë pjesëmarrjen në Qeveri. Pse AKR në Qeverinë e Kosovës për arsye se AKR sot del prej kësaj Qeverie faqebardhë. AKR del prej kësaj Qeverie me rezultate të secilit dikaster qeveritar që është udhëhequr prej AKR’së. Pse një Ministri më pak apo më shumë s’ka rëndësi. Sa i përket Ministrisë së Diasporës, më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës jetojnë në diasporë. Do të ishte shumë jonormale nëse nuk do të përfaqësohej diaspora në Qeverinë e Kosovës. Nuk ekziston Qeveri që nuk e kanë Ministrinë e Diasporës nëpërato shtetet të treta që kanë migrime nëpër botë.

Express: Por, në rajon s’ka Qeveri që ka pesë-gjashtë Zëvendëskryeministra?
B. Pacolli: Unë besoj se ka qenë një mënyrë shumë bukur e menduar e Kryeministrit për të akomoduar njerëzit.

Express: Por, Qeveria nuk është vend ku akomodohen njerëzit?
B. Pacolli: Atë që e shoh se krejt këta njerëz kanë pasur edhe një funksion tjetër. Nuk po dua të mbrojë vetën, por nuk kam parë asnjë Zëvendëskryeministër që është sjellë dhe nuk ka kontribuar. Një Zëvendëskryeministër që është nga radhët e PDK’së, z. Kuçi e ka kryer edhe punën e Ministrit

Fundamenti

Express: Hajde për shembull çka bënë Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi?
B. Pacolli: z. Bukoshi ka qenë njeri, i cili e ka pasur ambientin, mirëqenien, shëndetësinë.

Express: Por, janë Ministrat si për ambient, si për mirëqenie sociale, si për shëndetësinë. Sipas kësaj, Bukoshi e paska pas lënë shumë keq Qeverinë kur ka pushuar në kohën sa është ballafaquar me akuza nga Prokuroria?
B. Pacolli: Kanë punuar. Gjithmonë ka pasur çka punohet në Qeverinë e Kosovës. zonja Tahiri është marrë me bisedimet, kështu që nuk është ajo se s’kanë pasur çka të bëjnë.

Express: Qeveria e ardhshme, pra, duhet t’i ketë 20 Zëvendëskryeministra?
B. Pacolli: Nëse Qeveria do të organizohej nga AKR’ja, ju garantoj se ajo do të punonte me 30 për qind të kësaj që posedon Qeveria aktuale.

Nëse Qeveria do të organizohej nga AKR’ja, ju garantoj se ajo do të punonte me 30 për qind të kësaj që posedon Qeveria aktuale.

Express: Pra, 70 për qind e saj është tepër?
B. Pacolli: Unë konsideroj se po.

Express: Veç se është pak kontradiktore se njërën anë po e arsyeton se kanë pasur punë e në anën tjetër po thua se 70 për qind tepër?
B. Pacolli: Normalisht, se kanë pasur çka të bëjnë. Secili ka pasur diçka të vetën që e ka mbuluar. Por, unë besoj se Qeveria do të ishte më funksionale, do të ishte edhe më transparente, edhe më proaktive nëse do të kishte më pak pozita.

Thaçi e Mustafa janë të papërgjegjshëm

Express: Keni qenë për një kohë të shkurtër President e pastaj keni marrë pozitën e Zëvendëskryeministrit. Pse po e synoni tash pozitën e Kryeministrit?
B. Pacolli: Ka shumë gjëra që duhet të realizohen në Kosovë. Brenga ime është mirëqenia e qytetarëve. Unë jam tepër i hidhëruar që ne ende pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit dhe gjashtë vite pas pavarësisë ende merremi me gjëra banale. Me këto gjëra shoqëritë tjera janë marrë para 3 shekujve. Nëse sot e shikojmë këtë papunësi të madhe, këtë varfëri, diku edhe mjerim, është papërgjegjësi të jesh indiferent ndaj këtyre fenomeneve.

Express: Më herët keni thënë se s’keni qenë në pushtet. Por, tash prej vitit 2010 jeni në Qeveri dhe situata vetëm sa po rëndohet?
B. Pacolli: Së pari, se pse unë e synoj këtë pozitë dhe të jem i qartë në përgjigje. Ndoshta, një gjë të tillë do ta bëja edhe një herë. Unë nuk kam gabuar pse kam hyrë dhe kam sakrifikuar çdo gjë nga vetvetja. Tash, ju them se në momentin kur kanë qenë zërat se do të jetë një vendim i Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja ime si President ka qenë jokushtetuese. Në moment, unë kam thënë se unë tërhiqem nga pozita e Presidentit…. Sepse kam menduar se Kosova nuk bën t’i lejojë vetës asnjë vakum institucional. Ishte e qartë se shteti do të shkonte edhe një herë në zgjedhje

Express: Por, marrëveshjen që e arritët me Thaçin e Mustafën në prillin e vitit 2011 asnjëherë s’u zbatua?

Pacolli: Kjo është papërgjegjësi e madhe e z. Mustafa, papërgjegjësi e madhe e z. Thaçi. Kjo marrëveshje e mbështetur edhe nga Ambasadori amerikan, ajo u dërgua vetëm në Parlament dhe u formuan disa komisione, u harxhuan paratë publike… Papërgjegjësia e z. Mustafa dhe z. Thaçi është se ata janë tërhequr prej premtimeve të tyre si dhe janë tërhequr edhe prej dokumentit, të cilin ata e kanë nënshkruar. Ata kanë dështuar në zbatimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme. Si pasojë e kësaj kemi mbetur pa reformë zgjedhore, pa ligj për Presidentin.

Papërgjegjësia e z. Mustafa dhe z. Thaçi është se ata janë tërhequr prej premtimeve të tyre si dhe janë tërhequr edhe prej dokumentit, të cilin ata e kanë nënshkruar.

Express: Ju po e synoni pozitën e Kryeministrit, por dihet se AKR s’ka fuqi të madhe politike dhe është vështirë të arrini këtë pozitë?
B. Pacolli: Unë besoj se vetëdija e qytetarëve është ndryshe tani. Unë besoj se qytetarët e kanë kuptuar kush ka premtuar dhe kush i ka realizuar premtimet. Ne si parti politike dalim edhe një herë para qytetarëve ballëlartë sepse kemi pasur rezultate të pakontestueshme. Dalim me reforma të implementuara në këtë Qeveri. Këto reforma duhet të zbatohen në mandatin e ardhshëm. Askush prej oponentëve politikë nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Po ashtu, janë dy komunat që i ka fituar AKR, atëherë vendimi i qytetarëve për të votuar AKR’në do të ishte më i drejti.

Express: Por, AKR i ka vetëm tre deputetë dhe është problem që një parti me kaq pak deputetë të synojë pozitën e Kryeministrit?
B. Pacolli: Në kemi pasur më shumë deputetë dhe kanë shkuar për arsye se ne jemi parti liberal demokrate.

Express: A janë në s’përputhje ambiciet e juaj me realitetin për shkak se partinë e keni të vogël?
B. Pacolli: Çdo gjë është e vogël, por rritet. Ne shpresojmë shumë se vetëdija e qytetarëve është ajo që do ta fuqizojë fuqishëm AKR’në. Një ndryshim të madh e pamë në zgjedhjet lokale ku AKR fitojë dy komuna dhe tanimë kemi besim të madh se qytetari di të vlerësojë kapacitetin e AKR’së.

Express: Kënd e shihni Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Thaçin, Mustafën, Haradinajn apo Kurtin?
B. Pacolli: Unë e shohë përfaqësuesin që vjen nga radhët e AKR’së.

Express: Kjo është dëshirore për shkak se dihet fuqia e partive të madhe si e PDK’së e LDK’së dhe njëra prej këtyre partive do ta marrë pozitën e Kryeministrit?
B. Pacolli: Jo nuk është dëshirore. Nuk është vetëm dëshirë por është edhe një nevojë për qytetarët e Kosovës. E them edhe njëherë se asnjë kundërshtarë politikë nuk është në gjendje Kosovën ta drejtojë në mënyrë dinjitoze për arsye se atyre ju mungon eksperienca, u mungon dituria, u mungojnë idetë.

Express: Shumëkush juve ju ka parë si patericë të Qeverisë dhe të Kryeministrit Thaçi?
B. Pacolli: Nuk ka paterica sepse kontributi i AKR’së nuk ka shkuar si kontribut për PDK’në, por ka shkuar për qytetarët e Kosovës. Hajde flasim për rezultatet e AKR’së. Vetëm t’ua numërojë rezultatet e AKR’së. Vetëm në Qeverinë Thaçi II, kur ne kemi qenë pjesë e kësaj Qeverie, janë bërë shumë punë të madha. Të gjitha këto punë e kanë zanafillën prej dikastereve të AKR’së.

Express: Të flasim për njohjet dhe që kohëve të fundit s’ju kemi parë e po loboni për njohje të reja për Kosovën?
B. Pacolli: Njohjet nuk janë ndalur dhe ato vijnë dalë ngadalë. Njohjet vijnë dhe puna është bërë. Jemi në kontakt permanent me shtetet të cilat ende e kanë njohur Kosovën dhe të cilat i kam vizituar ka dy-tri herë. Siç e dini, unë s’marr as pagë, as mëditje, nuk marr as bileta të aeroplanëve dhe nuk shfrytëzoj asgjë

Express: Por, nga buxheti i Kosovës paguhen njerëzit që i keni afër si këshilltarët?
B. Pacolli: Jam i bindur se këshilltarët që janë afër e bëjnë një punë e cila shkon drejtpërdrejtë për qytetarët e Kosovës. Nëse e shihni kështu unë është dashur krejt Qeverinë e Kosovës me financuar.

Express: Vetëm po e qartësojmë, pra, ju nuk merrni pagë nga buxheti i Kosovës por njerëzit që rrinë afër teje po?
B. Pacolli: Ata njerëz kontribuojnë për Qeverinë e Kosovës. Nëse dikush e kërkon që edhe njerëzit që punojnë për Qeverinë e Kosovës t’ua paguajë pagat, më duket se është pak e tepërt. Siç e dini, Fondacioni im harxhon deri në 12 milionë euro në vit duke ndihmuar studentët, duke ndihmuar njerëzit në nevojë, duke i ndihmuar njerëzit që janë të sëmurë, duke investuar në ngritjen e shkollave dhe universiteteve nëpër Kosovën.

Janë 106 njohje, janë 110 njohje

Express: E dini sa njohje i kanë ardhur deri më tash Kosovës?
B. Pacolli: Në flasim de fakto dhe de jure. De fakto janë 110 njohje e de jure janë 106 njohje. Për arsye se ka mënyra të ndryshme nga shtetet e ndryshme sa i përket njohjeve. Dikush e njeh shtetin me një notë verbale, dikush me një notë që dërgohet më Kombet e Bashkuara.

Në flasim de fakto dhe de jure. De fakto janë 110 njohje e de jure janë 106 njohje.

Express: Por, kjo 106 dhe 110 krijon paqartësi dhe qytetarët dëshirojnë ta dinë numrin e saktë të njohjeve?
B. Pacolli: Janë shtet për një ose arsye tjetër nuk e deklarojnë se e kanë njohur Kosovën, por kanë garantuar se do të votojnë çdo vendim që varet nga shteti i tyre. Kemi një mori shtetesh nga Azi që de jure nuk e kanë njohur Kosovën, por de fakto mund të llogarisim në votën e tyre.

Express: Së fundmi në AKR ka ardhur Naim Maloku, ndërkohë, u publikua një foto edhe me Dardan Gashin. Do të jetë pjesë e AKR’së edhe Ministri i Ambientit?
B. Pacolli: Në AKR do të ketë ardhje të reja. Ka ardhje të reja për çdo ditë. Ne nuk kemi vrapuar pas televizioneve dhe mediave. Kemi ardhje nëpër degë dhe ju garantoj se përbërja e kandidatëve për deputetë kësaj radhe do të jetë shumë kualitative.

Express: Keni paralajmëruar disa herë se do të largoheni nga politika. E keni ende këtë opsion?
B. Pacolli: Sa i përket interesit tim personal, unë është dashur që në vitin 2007 të tërhiqem nga politika. Në momentin kur kam ardhur dhe kam parë se ky ambient është shumë i helmuar. Aty është dashur të tërhiqem dhe të vazhdojë rrugën time të cilën e kam filluar dhe e kam bërë me sukses shumë të madh. Mirëpo, ka qenë një përgjegjësi tepër e madhe që gjithë ata njerëz që i kishin besuar AKR’së dhe mua t’i lë, t’ua kthejë shpinën dhe t’i lë. Pikërisht, këtë përgjegjësi morale që e kam ndaj kësaj pjese të qytetarëve unë jam këtu dhe u them kundërshtarëve politikë se do të jem këtu dhe do të luftojë deri në fund që në këtë vend të ketë një drejtë që u takon qytetare të Kosovës…