RCCOLA

Pacolli: Rehatia e harresës na e solli Gjykatën Speciale

/ 2 minuta lexim

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e vizitës që i bëri qytetit të Gjakovës në përkujtim të viktimave të kësaj komune nga lufta e vitit 1999, ka shfrytëzuar rastin që të kritikojë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend.

Ai tha se sikur t’i dokumentonim historitë e vrasjeve makabre në vendin tonë, nuk do të paraqitej nevoja për Gjykatë Speciale.

“Nëse nuk i nderon martirët shpesh, jo thjesht në përvjetorë, apo me akademi përkujtimore, nëse nuk i kujton përditë, nëse nuk e dokumenton historinë e tyre individuale dhe familjare, qoftë për historinë, qoftë për gjyqin e drejtë, fillon dhe ambientohesh me qetësinë e lirisë dhe rehatin e harresës. Kështu na ka ndodhur pak ne në Kosovë, ndërsa mbërritëm në momentin e krijimit të gjykatës speciale. Nëse ne do i kishim dokumentuar për t’i paraqitur në gjyqet ndërkombëtare gjithë këto histori vrasjesh makabre në mes të Europës, sot historia do ishte krejt ndryshe”, ka thënë Pacolli, transmeton koha.net.

Mobi Casa

Ai theksoi se kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, me punën e vet të jashtëzakonshme për të ndërtuar të ardhmen e Gjakovës, asnjëherë nuk le mënjanë nderimin për të rënët.

“Ajo na thirri bashkë me Agim Bahtirin e Mitrovicës, me Bernard Nikajn, ministrin tonë, me shumë miq, të marrim pjesë në marshimin paqësor të Mejës. Duke patur në sytë tanë varret dhe lapidarët e tyre, ne s’do harrojmë kurrë ku i ka themelet liria dhe pavarësia që kemi sot”, ka komentuar në fund zëvendëskryeministri Pacolli.