Pacolli: Presidenti të zgjidhet nga populli
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka pritur në një takim përfaqësuesit e misionit për vëzhgimin e Zgjedhjeve 2013 ENEMO, kryesuar nga Zlatko Vujovic
Pacolli duke folur për nevojën e reformës zgjedhore, ka thënë se ajo është jetike për avancimin e demokracisë në Kosovë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, dhe ka theksuar se në reformën zgjedhore duhet të përfshihet edhe zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejtë nga populli.
Ai në këtë takim me përfaqësuesit e ENEMO-s, ka vlerësuar lartë mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor të 3 nëntorit, por ka përmendur edhe disa raste të incidenteve që kanë ndodhur në Gjakovë.
“AKR në raundin e dytë garon në dy komuna, në Mitrovicë e Gjakovë, kandidatët tanë ish-zv/kryeministrja Mimoza Kusari Lila dhe Agim Bahtiri gëzojnë mbështetje të madhe nga qytetarët”, ka vlerësuar Pacolli.
Ai ka përmendur edhe disa incidente në Gjakovë ku është provuar të dëmtohet procesi zgjedhor si dhe imazhi i Kosovës, duke shpresuar që veprat e tilla të mos përsëriten më.
Pacolli u ka bërë thirrje strukturave të sigurisë që të jenë në krye të detyrës, duke mos lejuar kurrëfarë tendence për manipulim përmes kërcënimeve, vjedhjes së votes, apo formave të tjera.
Përfaqësuesi i ENEMO-së, Zlatko Vujovic ka folur për mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit të zgjdhor, duke potencuar se vëzguesit e misionit ENEMO-së do të bëjnë monitorimin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit, veçanërisht në komunën e Gjakovës. /Kosovapress/


