Mobi Casa

Pacolli: President për shantazh

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Qëndrimet e PDK’së, AAK’së dhe Vetëvendosjes për të vazhduar zgjedhjen e Presidentit përmes Kuvendit nuk i ka pëlqyer Behgjet Pacollit. Ai ka thënë se nuk duhet të përdoret posti i Shefit të Shtetit për shantazhe dhe pazare politike. Në një bisedë për Gazetën Express, Zëvendëskryeministri i Parë ka kërkuar respektimin e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit direkt nga qytetarët.

Për Behgjet Pacollin, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti janë liderë që po e përdorin postin e Presidentit për shantazhe dhe përfitime politike.

Në këtë formë, Lideri i AKR’së e ka parë zmbrapsjen e PDK’së, AAK’së dhe Vetëvendosjes nga reforma kushtetuese, e cila ka paraparë votimin e Presidentit nga populli.

Zëvendëskryeministri i Parë ka thënë se nëse dikush mendon që posti i Presidentit duhet të shfrytëzohet si mjet shantazhi ose pazari politik, atëherë kjo është papërgjegjësi ndaj qytetareve të Kosovës.

“Tani nuk dua të flas për emrat por në përgjithësi. Nëse vazhdohet të mendohet që posti i Presidentit të shfrytëzohet si instrument shantazhi apo pazari për qëllime politike, atëherë nuk besoj se është konform përgjegjësisë ndaj qytetarëve që të kanë votuar”, ka thënë Pacolli për Gazetën Express.

Reagimi i Pacollit vjen pas vendimit të PDK’së, AAK’së dhe Vetëvendosjes se Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të votohet përsëri në Kuvendin e Kosovës.

Lideri i AKR’së thotë se nuk dëshiron të merret me emra, por shton se askush nuk duhet të përdor një post shtetëror për shantazhe politike.

Reforma zgjedhore ka nisur pas votimit të Presidentes Jahjaga në Kuvendin e Kosovës, me ç’rast PDK, LDK, AKR, AAK ishin pajtuar për t’i bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore që presidenti i ri të vjen prej votave të drejtpërdrejta të qytetarëve.

Hidromorava

Dy vjet më vonë, përkatësisht në mbledhjen e fundit të liderëve, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe udhëheqësit e minoriteteve kanë thënë se janë për modelin e vjetër të zgjedhjes së Presidentit.

Tash, Pacolli thotë se nuk duhet të shkelen marrëveshjes dhe Rezoluta e Kuvendit, e cila obligon partitë të shkojnë deri në fund reformës kushtetuese që ka të bëjë me Shefin e Shtetit.

“Është shumë keq kur nuk respektohen marrëveshjet. Ekziston një marrëveshje që është edhe rezolutë e Kuvendit të Kosovës dhe duhet të implementohet. Çdo veprim tjetër do të ishte i padrejtë për qytetarët dhe në Kosovë duhet të instalohet kultura e respektimit të fjalës së dhënë, marrëveshjeve në përgjithësi e sidomos atyre politike”, ka thënë Pacolli.

Veç kësaj, Lideri i AKR’së ka thënë se nëse shkelet marrëveshja e shkruar dhe e miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës, atëherë po cenohet edhe besimi i qytetarëve te të zgjedhurit e tyre.

“Nuk ka qenë premtim por është arritur një marrëveshje me shkrim, e pasuar nga një rezolutë në Kuvendin e Kosovës dhe kush tenton mosrespektimin e kësaj marrëveshje cenon direkt besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Zëvendëskryeministri i Parë ka thënë se partitë nuk duhet t’i ikin marrëveshjes së arritur në Prillin e vitit të kaluar me ndërmjetësimin e Ambasadës Amerikane.

“Duhet të respektohet marrëveshjet dhe rezoluta e Kuvendit të Kosovës. Ky është respekt për qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ai.