Pacolli paralajmëron zbardhjen e një pabesie shumëvjeçare: Fakte, gjykata dhe një libër në përgatitje
Prishtinë – Biznesmeni dhe politikani i njohur Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht për atë që e ka cilësuar si një nga përvojat më të rënda personale dhe profesionale të jetës së tij: pabesinë nga një bashkëpunëtor, të cilit, sipas tij, i kishte besuar pa rezervë për më shumë se dy dekada.
Në një shkrim të publikuar, Pacolli shprehet se përballja me faktet e pabesisë ka qenë tronditëse, duke theksuar se ajo nuk ka qenë e kufizuar vetëm në mashtrime apo falsifikime dokumentesh, por ka përfshirë edhe tentativa për poshtërim, vjedhje, përbuzje, gënjeshtra dhe veprime të tjera që ai i cilëson si të ulëta.
Sipas Pacollit, veprimet e pretenduara kanë shkuar edhe më tej, duke përfshirë përpjekje për të rrënuar gjithçka që ai ka ndërtuar ndër vite, respektin ndaj njerëzve, moralin personal dhe pronën.
Ai ka paralajmëruar se faktet e mbledhura ndër vite do të publikohen një nga një, sapo të fillojë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Libi, vende ku, sipas tij, janë konsumuar këto veprime.
Pacolli ka bërë të ditur gjithashtu se është duke përmbledhur të gjitha faktet edhe në një libër, i cili pritet të promovohet publikisht, me qëllim që rasti të dokumentohet dhe të shërbejë si dëshmi e një përvoje të dhimbshme personale.
Sipas tij, ky angazhim ka dy qëllime kryesore: së pari, të rritet vetëdija se pabesia është një akt i rëndë që nuk duhet dhe nuk mund të kalojë pa pasoja; dhe së dyti, të shërbejë si mesazh paralajmërues për të gjithë ata që mund të gjenden në situata të ngjashme, se besimi është i natyrshëm, por kontrolli ndaj bashkëpunëtorëve mbetet i domosdoshëm.
Pacolli nuk ka zbuluar ende emra konkretë, duke theksuar se gjithçka do të bëhet publike përmes rrugëve ligjore dhe në përputhje me procedurat gjyqësore./rajonipress/


