Eko Higjiena

Pacolli: Ministrinë, ose shkuam në opozitë!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ultimatumi i tretë i dhënë nga Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli për riformatizimin e Qeverisë është shpërfillur nga partneri i madh i koalicionit, PDK.

Pacolli kishte thënë se më së largu të enjten e kaluar do të përfundonte procesi i ndryshimeve në Qeveri dhe kalimi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nën udhëheqjen e AKR’së.

Të shtunën, Pacolli nuk ka dhënë ndonjë ultimatum të ri, por ka thënë vetëm se nëse nuk e merr edhe një Ministri atëherë sigurt do të largohet nga Qeveria.

“Nëse kjo Ministri nuk kalon te ne, unë ju them këtu se nuk do të jemi më në Qeveri. Sepse nuk mbetet hapësirë për fushëveprim”, ka thënë Pacolli, gjatë një aktivitet partiak.

Zëvendëskryeministri i Parë ka përmendur përsëri Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik si dikaster me të cilin AKR synon të qeveris në mandatin e mbetur të Qeverisë.

Ai ka thënë se pasi ta marrin këtë Ministri do të vazhdojnë në privatizimin e Brezovicës dhe Trepcës.

ARKATANA

“Ne jemi në bisedime me partnerin e koalicionit, PDK’në për kalimin e një ministrie me rëndësi nën udhëheqjen e AKR’në dhe ta pastrojmë, siç them unë, prej barishteve dhe therrave që të fillojmë punën denjësisht. Sepse ne kemi plan edhe si të trajtohet Brezovica, si të trajtohet Trepça”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Pacolli kishte thënë para një jave se dy ditë pasi të kthehet Thaçi nga Brukseli, kandidati i AKR’së, Fadil Ismajli do të akomodohet në postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik.

”Në dy ditët e para pas përfundimit të takimit të së martës në mes të kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb Ivica Daçiqit, emri i Fadil Ismajlit do t”i propozohet kryeministrit për miratim”, kishte thënë Pacolli.

Sikurse Pacolli ka deklaruar edhe Zëvendësja e tij në AKR, Mimoza Kusari – Lila. Ajo më 2 mars ka deklaruar se rifomatizimi i Qeverisë do të përfundonte brenda një jave.

“Riformatimi mund të ndodh javën e ardhshme apo një javë prapa. Pra, është çështje ditësh përbërja e re e qeverisë”, kishte thënë Kusari – Lila.

Sidoqoftë, Kryeministri Hashim Thaçi në intervistën e fundit televizive ka deklaruar se s’ka kurrfarë ultimatumi për të bërë ndryshime në Qeveri. Ai ka thënë se do të këtë ndryshime në Ekzekutiv, por jo në afatin e përcaktuar nga partnerët e vegjël të koalicionit.(express)