Pacolli: Lëvizje e lirë dhe ekonomi me rritje të shpejtë!

Në një tubim madhështor të mbajtur sot në Pejë, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të AKR-së për kandidatin e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti.
Duke i falënderuar qytetarët e Pejës për pritjen madhështore, Presidenti Pacolli theksoi se, tash pas 10 vitesh e drejta për qytetarët e Kosovës do të realizohet. “Jemi bërë bashkë, jemi kthyer në shtëpinë e madhe të Ibrahim Rugovës”, ka thënë Pacolli duke premtuar rrugëtim të përbashkët për të ecur përpara me sukseset e koalicionit të shpresës në qeverisje. “Ne do t’iu shërbejmë qytetarëve me punë, vullnet e përgjegjësi, sepse ne nuk jemi koalicion i dhunshëm, por njerëz të paqes që e dëgjojnë njëri tjetrin dhe kështu së bashku jemi shumë më të fortë”, ka thënë presidenti Pacolli.
Ai ka theksuar se nuk mund të ketë pavarësi pa mirëqenie, ndërsa me përbërjen e ekspertëve dhe profesionistëve në listën e deputetëve të cilën e ofron koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, në krye me Avdullah Hotin, Pacolli tha se do të ndërtohet republika e Kosovës, ashtu siç e deshi Rugova.
“Ne do të punojmë për rritje ekonomike mbi 8 përqind, kjo rritje do të krijojë të hyra buxhetore dhe investime kapitale, ndërsa ekonomia jonë do të lëviz lirshëm dhe nuk do të ketë kufij”, shtoi ndër të tjera i pari i AKR-së, duke i siguruar qytetarët e Kosovës që bashkë me kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Avdullah Hoti, do të implementohet synimi i qytetarëve të Kosovës për një shtet të zhvilluar dhe të fortë ekonomikisht.
Ndërsa kandidati i koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër Avdullah Hoti, është zotuar para qytetarëve të Pejës se asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës nuk do t`i falet askujt. “Ne jemi njerëz të fjalës, njerëz të besës. Ja kemi borxh Presidentit Rugova për këtë edhe jemi bërë bashkë me brezin e republikës, me trashëgimtarët e Rugovës dhe kemi plan konkret se si do ta realizojmë qëllimin tonë.”
Ai ju ka kërkuar votën qytetarëve të Pejës, duke theksuar se zgjedhjet janë referendum për të ardhmen afatgjate të Kosovës. “Jemi bashkë si në kohën e Rugovës, është koalicion i jashtëzakonshëm ku të gjithë ndjehen në shtëpinë e tyre”, ka thënë Hoti, dhe ka shtuar se ky koalicion do ta forcojë sërish miqësinë me SHBA-të dhe miqtë evropianë, ashtu siç ishte në kohën e presidentit Rugova./rajonipress/