Eko Higjiena

Pacolli: Kalimi i pragut zgjedhor është i pakontestueshëm

/ 2 minuta lexim

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se kjo parti do të shënojë sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Aleanca Kosova e Re është mjaft mirë e përgatitur të garojë në zgjedhjet e 8 qershorit.

Kështu ka vlerësuar lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli.

“Jemi duke punuar me strukturat e partisë në terren dhe së shpejti do të jetë e gatshme edhe lista e AKR-së me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, e cila do të jetë një listë e fuqishme, me emra të individëve të shquar, që do të japin kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit. Prandaj, besoj shumë në suksesin që do të korrë në këto zgjedhje e gjithë struktura e AKR-së”, ka thënë Pacolli në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se AKR-ja edhe në mandatin e ardhshëm do të jetë pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

UBT

“Mirëpo synimi i AKR-së nuk është vetëm përfshirja në Kuvend, por edhe t’i fitojmë këto zgjedhje dhe ta udhëheqim shtetin”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se në mandatin e ardhshëm do të angazhohet për fuqizimin, faktorizimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë.

Rëndësi të veçantë Pacolli ka thënë se do t’i kushtojë edhe Ligjit të Prokurimit, duke mos lejuar që të jetë gjenerator i korrupsionit, siç ka ndodhur deri më tani.

Ai ka thënë se AKR-në s’mund ta frikësojë asnjë sondazh që, sipas tij, ka tendenca për ta zhvlerësuar këtë subjekt politik para zgjedhjeve.

“Për AKR-në kalimi i pragut zgjedhor është i pakontestueshëm. Është një tendencë e sondazheve të qëllimshme të cilat kanë për synim ta frikësojnë AKR-në, në mënyrë që të jetë pjesë e ndonjë liste të përbashkët”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se dy partitë e mëdha, PDK-ja e LDK-ja, kanë kërkuar që AKR-ja të jetë pjesë e listës së tyre të përbashkët.