Pacolli i brengosur për numrin e madh të votave të pavlefshme
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur i brengosur me faktin se nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, numri i votave të pavlefshme ka dalë të jetë shumë i madh.
Sipas tij, janë rreth 15 për qind të votave që kanë shkuar dëm, andaj, siç thotë ai, “ky është cenim i madh i vullnetit të popullit.
“Mbi 110.000 vota të pavlefshme, ndërsa në votim kanë marrë pjesë mbi 800 mijë vetë. Afro 30 mijë vota të pavlefshme janë në votimin për kryetar. Mbi 80 mijë janë në votimin për parti. Ky është cenim i madh i vullnetit të popullit. Afro 15% e votave kanë shkuar dëm”, ka shkruar kryetari i AKR-së në Facebook.
Pacolli thotë se arsyet pse kanë dalë kaq shumë vota të pavlefshme janë se sistemi i votimit ka qenë i komplikuar.
“Votimi ndër ne është demokratik, por është shumë i komplikuar për qytetarin tonë. Në fletëvotimin për parti, për asamblistë mund të jenë bërë më shumë lojëra në përpjekjet për të manipuluar votën”, ka thënë Pacolli në një postim në Facebook.
Ai kërkon që në votimet e ardhshme të thjeshtohet fleta e votimit, pasi sipas tij, “nuk jemi as në Suedi, dhe as në Finlandë”.


