Fundamenti

Pacolli hetohet

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Qeveria e Kosovës ende nuk është distancuar nga veprimet e Behgjet Pacollit në lidhje me aferën e Grandit, por as nuk ka e ka marrë në mbrojtje liderin e AKR’së.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se rasti duhet të hetohet. Në një prononcim për Express, Kuçi u është përgjigjur edhe akuzave të Isa Mustafës në lidhje me luftën kundër korrupsionit.

Një javë pas shpërthimit të skandalit me hotelin Grand, Qeveria vazhdon të mos deklarohet në lidhje me përfshirjen e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behgjet Pacolli.

Përpos se ende nuk ka një vendim nëse Pacolli do të “lirohet” nga posti qeveritar për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar, në Qeveri hezitojnë të flasin për rastin konkret

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe zyrtar i lartë i PDK’së, thotë se nuk i komenton rastet specifike të drejtësisë.

UBT

“Këto janë çështje të drejtësisë dhe unë s’i komentoj”, ka thënë Kuçi kur është pyetur se cili është qëndrimi i Kryeministrit dhe Qeverisë për aferën e Pacollit me Grandin.

Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës nuk është distancuar nga veprimet e Pacollit, i cili është i përfshirë në aferën e privatizimit të hotelit Grand. Zëvendëskryeministri i Parë kishte thënë se ish-zyrtari i kësaj Qeverie, Astrit Haraqija i kishte kërkuar miliona euro në këmbim të rregullimit të pronësisë së hotelit Grand. Më vonë kishte dalë se Pacolli kishte shkelur ligjin, pasi nuk e kishte denoncuar me kohë Haraqinë për kërkim të ryshfetit.

Në krejt këtë situatë, Qeveria dhe Kryeministri nuk kanë dalë as në mbrojtje të Liderit të AKR’së, i cili ka thënë se nuk do të largohet vetë nga Qeveria.

Hajredin Kuçi ka pohuar se Qeveria e Kosovës u jep mbështetje të plotë vetëm organeve të drejtësisë për të hetuar secilin rast ku ka dyshime për veprime të jashtëligjshme.

“Dëshiroj të theksoj se Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë organeve të drejtësisë”, ka thënë Kuçi.(express)