RCCOLA

Pacolli : AKR do të qeveris me Kamenicën

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Dega e AKR-së në Kamenicë në kuadër të aktiviteteve të veta ka organizuar tubim publik me qytetarët. Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli ka thënë para qindra qytetarëve prezentë se AKR është faktor i stabilitetit politik në Kosovë.

Behgjet Pacolli, ka thënë sot në Kamenicë se qytetarët e kësaj komune besojnë në AKR, gjithmonë e kanë votuar AKR-në dhe një ditë ky subjekt do ta udhëheq Kamenicën. Pacolli theksoi se kamenicasit kanë të drejtë të jetojnë dinjitetshëm. “Sa herë kam ardhë në Kamenicë, e kam ndier veten si në shtëpinë time. Ju e dini dega e AKR-së në Kamenicë është futur në një proces të brendshëm zgjedhor. Falënderoj mikun tim Fatmir Matoshin, i cili pa kursyer asgjë nga vetja po jep gjithçka për të mirën e qytetarëve të Kamenicës, për të mirën e partisë sonë, e cila synon që një ditë të udhëheq me Kamenicën, sepse është e drejtë e qytetarëve të Kamenicës që të jetojnë dinjitetshëm”, tha Pacolli.

Para qindra anëtarëve e simpatizantëve, Behgjet Pacolli, ka folur për qeverisjen qendrore, programin e AKR-së për zhvillimin ekonomik të vendit dhe procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Këshilltari i Asamblesë Komunale dhe ish-kandidati për kryetar të Kamenicës nga AKR-ja, Nebi Sylejmani, deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime në AKR, në mënyrë që t’i jepet freski degës. “Në koordinim me kryesinë, por edhe me qendrën, kemi marrë vendim që t’i hapim dyert e partisë. Shembull për këtë, është organizimi i një Këshilli koordinues për organizimin e zgjedhjeve për kuvendin e degës dhe koordinator i këtij këshilli është zgjedhur një anëtar i ri i yni, Fatmir Matoshi”, theksoi Sylejmani.

Hidromorava

Në emër të anëtarëve të ri që kanë aderuar në këtë parti ka folur edhe Fatmir Matoshi, koordinator i Këshillit për organizimin e zgjedhjeve në degën e AKR-së. “Para pak ditësh kam marrë njërin prej vendimeve më të rëndësishme te jetës sime. Vendimin për t’iu bashkuar AKR-së dhe presidentit Behgjet Pacolli, me të vetmin qëllim, ndryshimin e gjendjes kaotike që ekziston në komunën e Kamenicës, këtë vendim timin e kanë përkrahur dhe na janë bashkuar edhe shumë kolegë nga subjektet tjera e qytetarë të pa organizuar politikisht deri më tani”, theksoi Matoshi.

Ai tha se edhe përkundër presioneve të vazhdueshme, qytetarët e thjeshtë po i bashkohen AKR-së çdo ditë. “Kur kemi filluar me organizimin e zgjedhjeve të brendshme në AKR, po e shohim se forca e kësaj partie qëndron te populli. Ne jemi të bindur që bashkë me kryesinë e degës, bashkë me shumë njerëz që po na vijnë për çdo ditë, do të arrijmë që në vjeshtën e këtij viti, të jemi forca e parë në komunë. Do të punojmë për këtë pa u kursyer, do të kemi mbështetjen e presidentit Pacolli. AKR është e hapur për qytetarët dhe AKR-ja funksionon për të mirën e qytetarëve, ndërsa komuna e Kamenicës të vetmen shpresë për të dalë nga gjendja në të cilën është, ku për çdo vit i ikin me qindra kuadro të reja që marrin rrugën e perëndimit dhe Prishtinës, mund të shohin dritën e shpresës, vetëm të mbështetur nga AKR dhe z. Pacolli, që poashtu është një vendas i yni dhe e vetmja shpresë që kësaj komune një ditë t’i buzëqesh fati, t’i hiqet epiteti i zorrës qorre, që njerëzit këtu të mund të jetojnë dinjitetshëm, që të mund të shohin perspektivën për fëmijët e tyre”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, Fatmir Matoshi.

Në tubimin me qytetarët e Kamenicës, morën pjesë edhe drejtues të lartë të AKR-së, ministra në qeveri dhe deputetë të Kuvendit nga ky subjekt, të cilët diskutuan me qytetarët për “Vizionin e Presidentit Pacolli për Kamenicën e Re”. /rajonipress/