RCCOLA

OSBE, zi e terr për Policinë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Dy të rrahur e shumë materiale propaganduese që u konfiskuan ditën e Vidovdanit, u bënë shkas që zyrtarët e OSBE-së në një raport të tyre të thonë zi e terr për Policinë e Kosovës.

Në raport nuk përmendet dhuna e ushtruar ndaj 28 policëve të Kosovës. Bajram Rexhepi nuk i bën përshtypje ky raport. Ai lavdëron punën e policisë dhe thotë se vitin e ardhshëm do të lejojë vetëm klerikët dhe organizatat fetare, askush tjetër.
Trupmëdhenj, të fortë e arrogantë. Vetëm shikimi i tyre të fut frikën në palcë, e lëre më të biesh në duart e tyre.

Pa futur këtu edhe “dajakun” që kanë shkrepur, pak a shumë ky është përshkrimi që një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ua bën pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ROSU.

Më pak se dy orë e gjysmë angazhim i tyre në Gazimestan, me rastin e festës së Vidovdanit, u ka mjaftuar dy vëzhguesve të kësaj organizate të nxjerrin këtë konstatim për forcat më elite të sigurisë në vend.

Mobi Casa

Në shtatë faqe material, Hjortur Sverrisson, U.D i drejtorit të Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në OSBE, ia përshkruan në detaje hjekat e dy pjesëmarrësve të nacionalitetit serb në këtë ceremoni, kreut të policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit, të cilit atë ditë i ishin plagosur afër 30 policë.

OSBE shprehet e shqetësuar me aksionin, siç e quan, të tepruar, të njësisë speciale të policisë së Kosovës (ROSU), në Gazimestan më 28 qershor të këtij viti.

“Përdorimi i tepruar i forcës në rrahjen e pjesëmarrësve të dëshmuara nga OSBE dhe konfiskimi i gjësendeve si rroba dhe flamuj ka mundur të përbëjë keqtrajtim dhe shkelje të drejtës së të shprehurit, të drejtës së grupimit dhe asaj fetare”, thuhet në raport, të cilin e transmeton Express.

Krejt kjo thuhet se është e bazuar vetëm në atë çfarë kanë parë monitoruesit e OSBE-së me sytë e tyre gjatë festës së Vidovdanit.