Uji Dea

OSBE: Situatë delikate në Luginë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Komisari i OSBE-së për pakicat, Knut Volebek, e ka lënë të hapur mundësinë e zhvillimit të bisedimeve midis përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe Qeverisë serbe për zgjidhjen e çështjeve në këtë rajon. Gjatë vizitës në Preshevë, të mërkurën, ai u shpreh se situata në Luginë është mjaft serioze dhe ajo kërkon një qasje të veçantë nga Qeveria e Beogradit.

“Popullata e jugut të Serbisë po kalon nëpër sfida të shumta”, ka raportuar DW deklaratat e Volebekut gjatë vizitës në Luginë. Me këtë rast ai ka zhvilluar takime të veçanta me liderët politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe me zyrtarët e Qeverisë së Beogradit.

Komisari i OSBE-së shtoi se roli i tij dhe i organizatës që ai përfaqëson është të parandalojë konfliktet e mundshme, sidomos në mjediset multietnike. Volebek vuri në dukje se do t’ua komunikojë shqetësimin e politikanëve shqiptarë edhe zyrtarëve më të lartë serbë, presidentit dhe kryeministrit, me të cilët do të ketë takime ditëve në vijim.

“Besojmë se Beogradi do të jetë i gatshëm për të rishikuar pozitën e shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë, dhe nëse kërkohet ndihma jonë për ndërmjetësim eventual, ne me dëshirë do ta pranojmë”, u shpreh Volebek.

Mobi Casa

Në emër të delegacionit shqiptar me përfaqësues nga partitë shqiptare të Preshevës, në bisedimet e së mërkurës (30.01.2013) u prononcua kryetari i Komunës së Bujanocit, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike, Nagip Arifi.

“Zyrtarit të lartë të OSBE-së i parashtruam një sërë argumentesh për problematikën tonë dhe mosrespektimin e të drejtave nga Serbia. Duke filluar nga prezenca e madhe e forcave serbe të sigurimit, çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, problemet në arsim, kulturë, informim, përfshirjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore, etj.”, tha Arifi.

Zyrtari i OSBE-së, Volebek, u takua edhe me kryetarin e Trupit Koordinues të Qeverisë serbe për Luginë të Preshevës, Zoran Stankoviq. Ky i fundit deklaroi: “Ne nuk mendojmë se situata është aq e rëndë siç pretendojnë liderët shqiptarë. Shteti po bën gjithçka për tejkalimin e problemeve në këtë rajon”. Sipas tij, ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës së Preshevës është i panevojshëm, sepse Qeveria në Beograd mund t’i zgjidhë vetë problemet me shqiptarët lokalë.

Situata në Luginë të Preshevës nisi të tensionohej sidomos pas heqjes së lapidarit të UÇPMB-së, më 20 janar, nga forcat serbe të rendit. Si rrjedhojë është mbledhur Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku përveç gjykimit të rastit është kërkuar edhe zgjidhja e problemeve të tjera të shqiptarëve. Pas protestës së 21 janarit në Preshevë është planifikuar edhe një protestë për të premten në Bujanoc, përmes së cilës do të kërkohet heqja e lapidarëve të policëve serbë në Luginën e Preshevës, si dhe fillimi i dialogut për zgjidhjen e çështjes shqiptare në këtë rajon. (DW)